ZHVILLIMET POLITIKO-SHOQËRORE TE SHQIPTARËT NË MAQEDONI 1990 - 2001

Zgjedhjet lokale në I R J M (1996)

Zgjedhjet lokale në I R J M

(1996)

Gjatë vitit 1996 në IRJM u bënë zgjedhjet për pushtetin lokal. Për dallim nga zgjedhjet e para lokale të vitit 1990, të cilët u zhvilluan sipas Ligjit të vjetër zgjedhor nga periudha e sistemit komunist, zgjedhjet lokale të vitit 1996 u bënë pasi u shpall Ligji për vetëqeverisjen lokale43 dhe Ligji për ndarjen territoriale44.

Që nga periudha e shpalljes së pavarësisë së IRJM qarqet nacionaliste maqedonase ndërtuan sistem të atillë të centralizuar, i cili praktikisht i ç’pushtetizonte shqiptarët. Me këtë sistem shqiptarët edhe në komunat ku ishin shumicë nuk ishin faktorë vendimmarrës për shumë çështje jetësore, si në planin ekonomik, arsimor, kulturor, shëndetësor apo të sigurisë. Ligji për vetëqeversijen lokale, që u miratua në vitin 1995 nuk ishte i përshtatshëm, sepse pushtetin lokal e vendoste në varësi të plotë nga pushteti qendror.

Në zgjedhjet lokale të vitit 1996, përveç partive maqedonase morën pjesë edhe tre parti politike shqiptare: Partia për Prosperitet Demokratik, Partia për Prosperitet Demokratik e Shqiptarëve dhe Partia Demokratike Popullore. Lufta kryesore politike në këto zgjedhje u zhvillua kryesisht në mes dy krahëve të ish-PPD, Partisë për Prosperitet Demokratik (rryma e vjetër) dhe Partisë për Prosperitet Demokratik të Shqiptarëve (rryma e re)45.

Zgjedhjet lokale ishin një sfidë e madhe për popullin shqiptar të IRJM, i cili duhej të zgjidhte midis dy opcioneve të mundshme: politikës tradicionale të partisë shqiptare në pushtet, Partisë për Prosperitet Demokratik, ose opcionit reformator të opozitës shqiptare, Partisë për Prosperitet Demokratik të Shqiptarëve, që përpiqej të imponojë interesin kombëtar të shqiptarëve në IRJM.

Edhepse procesi i votimit u manipulua një kohë të gjatë, sidomos në qytetin e Tetovës, rezultati përfundimtar i zgjedhjeve lokale të vitit 1996 tregoi se populli shqiptar në shumicë dërmuese përkrahu kursin reformator të opozitës shqiptare në IRJM. Ky kurs reformator (PPDSH), korri fitore në dy qendrat kryesore urbane me shumicë shqiptare, Tetovë dhe Gostivar, si dhe mori shumicën e Këshillave komunale në nivel të IRJM. Pra, ndër shqiptarët e IRJM, përmes zgjedhjeve lokale të vitit 1996, u legjitimua një politikë, e cila nga njëra anë e kontestonte politikën e degjeneruar dhe apatike shqiptare dhe njëkohësisht kontestonte proceset shoqërore politike që zhvilloheshin në dëm të interesave kombëtarë të shqiptarëve.

Me t’u vendosur në krye të pushtetit lokal, faktori i ri politik filloi të vë në jetë platformën e tij gjenerale, duke u përpjekur të përmirësojë pozitën e shqiptarëve në sistem, atë që ia mundësonte Ligji për pushtet lokal. Në krye të Ndërmarrjeve Publike që ishin në kompetencë të komunave, për herë të parë u vendosën udhëheqës shqiptarë46. Deri në këtë kohë, rolin udhëheqës në ato ndërmarrje e kishin pasur vetëm maqedonas. Hapi tjetër i rëndësishëm ishte përmirësimi i strukturës nacionale të të punësuarve nëpër ato ndërmarrje, që gjithmonë kishte qenë në dëm të shqiptarëve. Çështje mjaft me rëndësi ishte përmirësimi i infrastrukturës komunale, e cila vite me radhë ishte lënë pas dore. Gjithashtu, duke shfrytëzuar të drejtën kushtetuese të nenit 48 të Kushtetutës47 së Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, në të cilën ngërthehen të drejtat e kombeve që jetojnë në IRJM për të shprehur veçoritë e tyre etnike, Kuvendi komunal i Tetovës dhe Gostivarit dhe Kuvendet e komunave tjera, ku shqiptarët përbënin shumicën, sollën vendim për përdorimin e flamurit kombëtar, i cili u vendos përpara objekteve komunale, krahas simboleve shtetërore të IRJM. Mirëpo, Gjykata kushtetuese rekomandoi ndalimin e përkohshëmn të të gjitha simboleve kombëtare shqiptare, me arsyetim se komunat nuk janë kompetente për këtë. Gjyqi kushtetues obligimin e mëtutjeshëm për zbatimin e vendimit ia lente qeverisë. E tërë kjo, për një kohë të caktuar, mbeti çështje e hapur. Mirëpo, Qeveria e priti momentin e përshtatshëm për të intervenuar, me çka u shkaktuan përleshje të mëdha në Gostivar dhe Tetovë në mes popullatës shqiptare dhe forcave policore maqedonase. Në momentin kur ndodhën këto procese ndodhi edhe një ngjarje me rëndësi të madhe politike, bashkimi i një pjese të faktorit politik shqiptar, të të dy partive politike opozitare, Partisë për Prosperitet Demokratik të Shqiptarëve dhe Partisë Demokratike Popullore.



43 Ukaz za proglasuvanje na Zakonot na lokalna samouprava, nr. 08-3575/1, 26 oktomvri, 1995, Slluzhben vesnik na Republika Makedonija, br. 52, 1 noemvri, 1995.

44 “Zakon za teritorijalna podelba na Republika Makedonija”, “Slluzhben vesnik na Republika Makedonija”, br. 49, 14 septemvri, 1996.

45 Partia politike e quajtur “rryma e re” u regjistrua me emrin: Partia për Prosperitet Demokratik e Shqiptarëve – “PPDSH”, me Vendimin e sjellur më datë 18. 04. 1995, Slluzhben vesnik na Republika Makedonija, br. 41/94.

46 Vendimi nr. 08-367/4, të datës 2.7.1996, për emërimin e drejtorit të Ndërmarrjes Komunale, Fondit për Udhë Lokale të Komunës së Tetovës dhe NP. “Geoinzhinering”, i datës 17. 05. 1997, “Fletorja zyrtare e Komunës së Tetovës”, nr. 5/96.

47 Kushtetuta e RM, Neni 48, thuhet: “Pjestarët e nacionaliteteve kanë të drejtë lirisht të shprehin, kultivojnë dhe zhvillojnë idenitetin dhe veçoritë nacionale. Republika ua garanton mbrojtjen e identitetit nacional, kulturor, gjuhësor dhe fetar…”, Slluzhben vesnik na Republika Makedonija br. 52, 22 noemvri, 1991.

Arkivi