ZHVILLIMET POLITIKO-SHOQËRORE TE SHQIPTARËT NË MAQEDONI 1990 - 2001

Qeveria e dytë e Maqedonisë së pavarur

Qeveria e dytë e Maqedonisë së pavarur

Qeveria e Branko Cërvenkovskit

Pas rënies së Qeverisë së “ekspertëve” të N. Klusevit u zgjodh qeveria e re politike në krye me B. Cërvenkovskin, i cili ishte njëkohësisht edhe kryetar i Lidhjes Socialdemokrate (ish Lidhja Komuniste e Maqedonisë–PTD). Kjo qeveri u zgjodh më 4 shtator, 199298. Branko Cërvenkovski e drejtoi qeverinë maqedonase jo vetëm deri në fund të mandatit të parë parlamentar, por edhe gjatë tërë mandatit të dytë parlamentar, deri në vitin 1998, kur Socialdemokratët i humbën zgjedhjet parlamentare.

Faktori politik shqiptar, Partia për Prosperitet Demokratik mori pjesë në këtë qeveri si partner i koalicionit me pesë ministra99 dhe katër zëvendësministra100. Me vetë faktin e pjesëmarrjes së faktorit shqiptar si partner i koalicionit qeveritar u anashkaluan të gjitha obligimet e marra nga ky subjekjt politik për jetësimin e Autonomisë politike territoriale të shqiptarëve në Maqedoni.

Qeverisja e Socialdemokratëve në Maqedoni ishte periudha më vendimtare për të gjitha proceset që zhvilloheshin në këtë shtet të sapoformuar, si në marrëdhëniet e brendshme ndëretnike, ashtu edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Shikuar nga këndi i interesit kombëtar shqiptar, shumë procese politike, gjatë kësaj periudhe morën fund, në dëm të çështjes kombëtare shqiptare. Shqiptarët e Maqedonisë mbetën brenda kufijve të shtetit të ri të sapoformuar, ndërkaq statusi politik dhe juridik i popullit shqiptar mbeti “pakicë nacionale”. Në fushën ekonomike shqiptarët gjatë kësaj faze nuk arritën të krijojnë një bazë të qëndrueshme prej pasurisë që ishte pronë shtetërore. Shqiptarët nuk arritën të privatizojnë asnjë ndërmarrje shtetërore, të cilat gjatë kësaj kohe u privatizuan, me çka u përjashtuan nga mundësia për mirëqenie ekonomike. Nga ana tjetër përfshirja e shqiptarëve në këtë fazë në administratën shtetërore mbeti vetëm një përqindje simbolike.

Në mandatin e parë të B. Cërvenkovskit ndodhën dy ngjarje me prapavijë të thellë antishqiptare, që rezultuan me sulme brutale policore, gjykime dhe burgosje të shqiptarëve: E para ishte ngjarja e Bit Pazarit në Shkup dhe e dyta ishte afera e armëve.

Bit Pazari

Më datë 6 dhe 7 nëntor, 1992, në lagjen Bit Pazar të Shkupit ndodhën trazira të shqiptarëve, të cilat u nxitën nga një skenar i parapërgatitur nga qarqet luftënxitëse në Maqedoni. Me këtë rast, policia maqedonase demonstroi forcë brutale kundër shqiptarëve. Sipas informatës së Ministrisë për Punë të Brendshme të Maqedonisë këto ngjarje përfunduan me katër persona të vrarë101 dhe katërmbëdhjetë të lënduar rëndë, si dhe u bastisën dhe u privuan nga liria një numër i madh shqiptarësh.

Është interesant një fakt që do të përsëritet në vazhdimësi, në kohën kur ndodhën ngjarjet dramatike të Bit Pazarit, kryetari i Republikës së Maqedonisë, K. Gligorovi udhëtoi për “punë zyrtare” jashtë Maqedonisë. Kjo dhe shumë ngjarje tjera dëshmojnë se në Maqedoni asgjë nuk është bërë pa njohurinë e kryetarit Gligorov.

Faktori politik shqiptar që ishte pjesëmarrës në Qeverinë e Cërvenkovskit si fajtor e cilësoi Ministrinë e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, e cila e kishte përgatitur skenarin e përgjakshëm të Bit Pazarit. Mirëpo, gjithashtu duhet theksuar se asgjë nuk u ndërmor nga faktori politik shqiptar, për t’u penguar përsëritja e skenarëve të ngjajshëm.

Asnjëherë nuk u ndriçua prapavija e ngjarjeve të Bit Pazarit. Nuk ishte e qartë pse i nevojiteshin këto ngjarje tragjike establishmentit politik të kohës? Një gjë është e qartë, se “Bit Pazari” ishte një skenar i përgatitur, për të argumentuar faktin se Republika e posaformuar është e “rrezikuar” nga shqiptarët, me çka mund të destabilizohej edhe rajoni i Ballkanit. Pra, qarqet nacionaliste maqedonase përpiqeshin që përmes skenarëve të përgjakshme antishqiptare t’i paraqesë shqiptarët, para faktorit ndërkombëtar, si destabilizues të Maqedonisë, me qëllim të përshpejtohet njohja ndërkombëtare e shtetit të ri.

Afera e armëve

Por, Bit Pazari nuk ishte ngjarja e vetme që përpiqej të dëshmojë “rrezikimin” e Maqedonisë nga shqiptarët. Një ngjarje tjetër akoma më e madhe do të trondisë gjithë faktorin politik shqiptar në Maqedoni, duke goditur edhe Republikën e Shqipërisë. Kjo ishte e ashtuquajtura “afera e armëve”, e cila shpërtheu në vjeshtë të vitit 1993, pikërisht në kohën kur u shfaqën tendencat për reforma brenda faktorit politik shqiptar. Përmes kësaj ngjarje, të përgatitur, gjithashtu në kuzhinat e qarqeve nacionaliste antishqiptare, u fajësuan jo vetëm shqiptarët e Maqedonisë, por edhe Republika e Shqipërisë, para faktorit ndërkombëtar, si destabilizuese e Maqedonisë dhe e Ballkanit. Shkas për shpërthimin e të ashtuquajturës “aferë të armëve” ishte organizimi fiktiv për vetëmbrojtje, në rast rreziku. Për këtë organizim ka qenë njoftuar edhe Qeveria e Maqedonisë.

Gjatë shpërthimit të “aferës së armëve”, shumë njerëz dhe atdhetarë të ndershëm pësuan rëndë, duke përfunduar nëpër burgje. Askush nga udhëheqësit kryesorë të faktorit politik shqiptar nuk dha sqarim të qartë për opinionin e gjerë se ç’po ndodhte. Disa përfaqësues të zgjedhur shqiptarë deklaronin se për këtë, “s’paskan ditur asgjë” apo “për herë të parë kanë dëgjuar”. Të gjitha këto deklarata i demantoi intervista e një funksionari të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes të Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë. Sipas tij, “Për idenë e vetëmbrojtjes së shqiptarëve ka qenë e njoftuar Qeveria e Klusev-it. Përgatitja për vetëmbrojtje nuk ka pasur për qëllim rrezikimin territorial të Maqedonisë . . . Ai tha, se: Qeveria e Maqedonisë dhe Ministria e saj e Mbrojtjes nuk e fajësoi Shqipërinë për këtë aferë ” 102.

Mirëpo, edhe përkundër këtyre deklarimeve publike, nga përfaqësues shqiptarë në qeveri, ministri i Punëve të Brendshme, L. Fërçkovski, e kishte fajësuar Shqipërinë. Fërçkovski, thoshte se: “faktet për implikimin e Shqipërisë ua ofroi disa shërbimeve të huaja informative mike, të cilat mundën t’i verifikojnë. Pra, të mos jetë ky vetëm pohim, por u thamë: >>Urdhëroni, verifikoni këta fakte: xhirollogaritë nëpër banka, prejardhjen e armëve me numra, lidhjet, fotografitë, videokasetat…<<! Dhe ata mund t’i vërtetonin këta. Rezultati ishte presioni i ashpër ndërkombëtar mbi Shqipërinë. Mendoj se ata e merituan këtë”103.

Projekti i “vetëmbrojtjes së shqiptarëve” me të cilën pa dyshim se ishte e njohur edhe Qeveria e Klusevit, kishte dy dimensione të dëmshme: përmes këtij projekti indirekt implikohej Shqipëria, e cila sipas skenaristëve akuzohej në qarqet diplomatike ndërkombëtare si destabilizuese e Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe e rajonit. Çështja tjetër që kishte pasoja shumë të rënda për faktorin politik shqiptar dhe shqiptarët e Maqedonisë në tërësi ishte se përmes implikimit të së ashtuquajturës “vetëmbrojte e shqiptarëve”, sipas skenaristëve dhe politikës ditore maqedonase mund të fajësoheshin shqiptarët si terroristë dhe armiq të Maqedonisë, gjë që krijonte parakushte për lloj-lloj aferash dhe burgosjesh të reja, ashtu siç edhe ndodhi. Ndërkaq, faktori politik shqiptar duke qenë i implikuar dhe me “faj”, do të qëndronte i ngulfatur dhe asnjëherë nuk do të mund të artikulonte drejt interesin kombëtar shqiptar, sepse skenaristët, do të mund të riaktivizonin rrjetin e burgosjeve të reja sa herë që do t’i duhej politikës ditore për të arritur ndonjë qëllim politik. Pra, afera e armëve e mbante peng udhëheqjen politike shqiptare në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe përmes saj edhe veprimtarët politikë shqiptarë që vepronin, që në njëfarë mënyre ishin të implikuar në të.

Mirëpo, për fat të keq faktori politik shqiptar hoqi dorë nga projekti i “vetëmbrojtjes”, duke u distancuar, gjë që u dha mundësi qarqeve nacionaliste maqedonase ta shfrytëzojnë atë si një kurth të madh për t’u vënë frerë shqiptarëve të “radikalizuar” dhe njëkohësisht u bë një instrument shumë i sigurtë në duar të establishmentit politik maqedonas për të fajësuar shqiptarët dhe Shqipërinë si destabilzues të Maqedonisë dhe rajonit.



98 Kiro Gligorov, Makedonija e se shto imame, Skopje 2002, 235.

99 Procesverbali nr. 18 i kryesisë së Partisë për Prosperitet Demokratik, 0202-353/1, i datës 12 shtator, 1992, Tetovë.

100 Procesverbali nr. 19 i kryesisë së Partisë për Prosperitet Demokratik, 0202/357/1, 29 shtator, 1992, Tetovë.

101 Viktorija Geshovska, maqedonase 53 vjeç, e cila u vra rastësisht në ballkonin e banesës së saj nga një plumb i policisë; Safet Sejfullahu, shqiptar 32 vjeç; Shemsedin Ibraimi, shqiptar 38 vjeç dhe Sulejman Memishi, shqiptar 22 vjeç.

102 >>Zëri<<, Nazmi Maliqi, ish zëvendësministër i Ministrisë së Mbrojtjes së Maqedonisë: “Aferën e armëve e krijuan aventurierët në Qeverinë e Maqedonisë”, Prishtinë, 31 dhjetor, 1994, 15.

103 >>Flaka e vëllazërimit<<, (intervistë e huazuar),“Zbuluam zbulimin shqiptar”, Shkup, 14 qershor, 1994, 6-7.

Arkivi