ZHVILLIMET POLITIKO-SHOQËRORE TE SHQIPTARËT NË MAQEDONI 1990 - 2001

P A R A T H Ë N I E

P A R A T H Ë N I E

Monografia Zhvillimet politiko-shoqërore te shqiptarët në Maqedoni, 1990-2001 përfshin dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit XX. Kjo monografi zë fill me shthurjen e Jugosllavisë socialiste mbi gërmadhat e së cilës u krijuan shtete të reja në Ballkan1. Maqedonia si pjesë e Jugosllavisë socialiste u përpoq të shkëputet dhe të themelohet si shtet sovran dhe i pavarur. I tërë procesi i shthurjes së Jugosllavisë socialiste shkaktoi një sërë ngjarjesh të tmerrshme dhe shqetësuese për mbarë popujt liridashës të trojeve ballkanike, të Evropës dhe të botës. Monografia, në veçanti, përshkruan proceset politiko-shoqërore që janë zhvilluar në Maqedoni prej fillimit të pluralizmit politik deri në kohën e nënshkrimit të marrëveshjes shqiptaro-maqedonase, në Ohër, më 2001.

Jugosllavia si shtet u krijua në përfundim të Luftës së Parë Botërore, në Traktatin e Versajit2. Serbia si aleate e Fuqive të Antantës që ngadhënjyen në Luftën e Parë Botërore, mori si shpërblim hapësira të gjera territoriale, të cilat dikur i takonin Austro-Hungarisë. Para Luftërave Ballkanike Serbia shtrihej në një territor të vogël në mes të lumit Savë, Danub dhe Drina. Luftërat Ballkanike të viteve 1912 dhe 1913, Serbisë i mundësuan të zgjerohet në jug, duke pushtuar Kosovën dhe Maqedoninë e sotme. Humbja e Gjermanisë dhe Austro-Hungarisë në Luftën e Parë Botërore i mundësoi Serbisë zgjerim edhe më të madh territorial, në veri të lumit Danub dhe përtej lumit Drina, në Bosnjë e Hercegovinë, Kroaci dhe Slloveni. Pra, para Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore, Serbia nuk shtrihej në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Vojvodinë. Aleanca e Serbisë me Fuqitë ngadhënjyese dhe tendencat anglo-francezo-ruse për të dobësuar kundërshtarin e tyre, në Evropën e Mesme, në Austro-Hungari, i mundësoi Serbisë zgjerim territorial në hapësirat jo serbe. Në këto hapësira Fuqitë e Antantës krijuan shtetin e ri, Mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene ose siç u quajt më vonë Mbretëria e Jugosllavisë. Në fakt, Mbretëria SKS, ishte zgjerimi i Serbisë, si rezultat i pazarllëqeve të Fuqive të Mëdha të Antantës. Pjesa më madhe e hapësirave gjeografike të Mbretërisë SKS kishte një numër shumë të vogël serbësh, andaj mu për këtë, regjimi i ri i dominuar nga serbët, të udhëhequr nga mbreti i tyre, u përpoq që përmes procesit të kolonizimit dhe të shpërnguljes3, të serbizojë territoret joserbe. Por, kur në vitin 1941 Mbretëria e Jugosllavisë u sulmua nga Fuqitë fashiste, ajo kapitulloi shumë shpejt, sepse atë nuk deshi askush ta mbrojë nga sulmi fashist. Komunistët jugosllavë, gjatë zhvillimit të Luftës së Dytë Botërore, morën përsipër çlirimin e Jugosllavisë nga fashizmi dhe u zotuan se “Jugosllavia e re” do t’i korrigjojë gabimet e mëparshme, mbi baza të “vetëvendosjes së popujve”4. Jugosllavia socialiste i korrigjoi disa gabime në dobi të popujve sllavë, por nuk e korrigjoi çështjen e popujve josllavë dhe nuk e zgjidhi atë. Komunistët jugosllavë edhe përkundër platformës ideore, e mohuan parimin e vetëvendosjes dhe të barazisë kombëtare, të proklamuar gjatë Luftës Antifashiste. Ata jo vetëm që e mohuan vullnetin e popullit shqiptar të Kosovës, të shprehur në Konferencën e Bujanit, për t’u bashkuar me Shqipërinë5, por përkundër këtij vullneti nën trysni ushtarake e detyruan Kosovën të bashkohet me Serbinë6, ndërsa hapësirat tjera shqiptare iu ndanë Malit të Zi dhe Maqedonisë. Kështu komunistët jugosllavë jo vetëm që nuk e njohën të drejtën e popullit shqiptar për vetëvendosje dhe bashkim me Shqipërinë, por e copëtuan tërësinë kombëtare shqiptare në Jugosllavinë socialiste7.

Politika e shtypjes kombëtare dhe e kufizimit të të drejtave demokratike të shqiptarëve, në Jugosllavi, u shndërrua në një program të përgjithshëm të nacionalizmit serb për vendosjen e sundimit të tij në tërë vendin8. Qarqet nacional-shovinste serbe, malazeze dhe maqedonase, në vazhdimësi i mbanin në shënjestër shqiptarët, të cilët u akuzuan, sipas nevojës së politikës ditore. Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore shqiptarët u akuzuan si “bashkëpunëtorë” të okupatorit fashist, ndërsa pas vitit 1981, si “kundërrevolucionarë” 9.

Shthurrja e Jugosllavisë socialiste ishte një proces i pashmangshëm, sepse ajo nuk ishte krijesë e bashkimit të lirë të popujve konstituentë të saj dhe si e këtillë ajo në mënyrë permanente mbante potencialin e natyrshëm të shpërbërjes. Propaganda demagogjike e komunistëve jugosllavë për “vëllazërim-bashkim” të popujve arriti që ta mbajë këtë shtet derisa ishte gjallë J. B. Tito10. Pas vdekjes së Titos doli në skenë nacionalizmi i shfrenuar serb, nën udhëheqjen e qarqeve nacionaliste në krye me Sllobodan Millosheviqin, me çka u përshpejtua procesi i shpërbërjes së Jugosllavisë socialiste. Nacionalistët serbë angazhoheshin për prishjen e sistemit federal dhe kthimin në konceptin unitarist dhe ate të hegjemonisë serbe, të periudhës midis dy luftërave botërore. Akti i parë i shpërbërjes së Jugosllavisë socialiste filloi kur Kosovës dhe Vojvodinës, të cilat ishin njësi konstituive të federatës jugosllave, iu grabit autonomia, me çka ato u shndërruan në njësi regjionale administrative të Serbisë11. Gjatë tërë kësaj kohe qarqet politike kroato-sllovene taktizonin në kurriz të Kosovës dhe shqiptarëve, duke u përpjekur të kënaqnin orekset e nacionalizmit serb, për të shpëtuar veten12. Mirëpo, taktika e tyre u tregua e gabuar, sepse qarqet nacionaliste serbe pasi “rivendosën Serbinë e unifikuar” nuk u ndalën me kaq, por me tërë egërsinë e tyre u hodhën drejt Sllovenisë, Kroacisë dhe Bosnjës.

Gjatë procesit të shpërbërjes së Jugosllavisë socialiste, Maqedonia si njësi konstituive e saj përpiqej të pavarësohet dhe të formohet si shtet sovran. Por, faktori politik maqedonas nuk dëshironte që sovranitetin e shtetit ta ndajë me popullin shqiptar që jetonte shekuj me radhë në trojet e veta etnike. Ai përpiqej që konceptin e shtetit nacional maqedonas t’ia imponojë edhe popullit shqiptar që jetonte në hapësirat e Maqedonisë. Kjo përpjekje hasi në kundërshtim permanent të faktorit politik shqiptar, gjë që pak nga pak solli deri te reciklimi i krizave të kontrolluara, të cilat në vitin 2001 shpërthyen në konflikt të hapur, të armatosur.

Monografia “Zhvillimet politiko-shoqërore te shqiptarët në Maqedoni 1990-2001”, përfshinë katër kapituj:

Në kapitullin e parë, jepet një pasqyrë për fillimin e proceseve të reja politike në Maqedoni, në rrethanat e shpërbërjes së Jugosllavisë socialiste, procese që shënuan formimin e shumë partive politike, disa prej të cilave në zgjedhjet e para parlamentare u legjitimuan si forca relevante politike; në vazhdim, pasqyrohen përpjekjet për formimin e shtetit të pavarur të Maqedonisë, përmes Deklaratës për shtet sovran dhe Referendumit të 8 shtatorit, 1991; miratimin e Kushtetutës së shtetit të ri dhe përpjekjet për njohjen ndërkombëtare. Me këtë rast, faktori politik shqiptar u gjend në situatë të dilemës, nga njëra anë si shkak i dobësive dhe kundërthënieve të brendshme dhe nga ana tjetër si shkak i rrethanave që mbretëronin në hapësirat e Jugosllavisë socialiste.

Referendumi i 8 shtatorit dhe miratimi i Kushtetutës së 17 nëntorit, 1991, shënonin kthim prapa të shumë proceseve të filluara më parë (Kushtetuta e vitit 1974). Këto ngjarje shkaktuan kundërthënie të ashpra brenda faktorit politik shqiptar, prandaj një pjesë e tij u shpreh për shpalljen e Referendumit të mëvetësishëm të shqiptarëve për Autonomi politike territoriale në Maqedoni.

Kapitulli i dytë, përfshinë zhvillimet politike shoqërore në Maqedoni, në mes viteve 1994-1997. Fillon me regjistrimin e jashtëzakonshëm të popullsisë në Maqedoni; dalja në skenë e forcave të reja politike shqiptare, që më me vendosmëri e kundërshtonin konceptin e shtetit nacional maqedonas; zgjedhjet komunale të vitit 1996, me ç’rast politika reformiste e subjektit politik shqiptar korri fitore në komunat urbane të banuara me shumicë urbane; procesin e bashkimit të forcave politike shqiptare; ngjarjet e korrikut, 1997.

Krahas zhvillimeve politike, në vitin 1994, u themelua edhe Universiteti i Tetovës, si institucion i lartë arsimor, në gjuhën shqipe. Ky institucion lindi si nevojë e kohës, për shkak se nga viti 1991 u vështirësuan kushtet për ndjekje të studimeve në gjuhën shqipe, në Universitetin e Prishtinës.

Kapitulli i tretë, fillon me zgjedhjet e treta parlamentare të vitit 1998 dhe bashkëpunimin e ngushtë të faktorit politik shqiptar gjatë zgjedhjeve; formimin e qeverisë nga partitë e kursit reformator; zhvillimin e ngjarjeve në Maqedoni gjatë kohës së Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe rolin e faktorit politik shqiptar të Maqedonisë në menaxhimin e luftës dhe menaxhimin e politikës shtetërore të Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë; si dhe zgjedhjet presidenciale dhe komunale në Maqedoni, në vitet 1999 dhe 2000.

Kapitulli i katërt përshkruan shpërthimin e krizës në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe shkaqet e shpërthimit të krizës; kryengritjen e armatosur shqiptare dhe shfaqjen e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare; marrëveshjen në mes forcave politike dhe ushtarake shqiptare, në Prizren; poashtu në këtë kapitull në detaje përshkruhet edhe Marrëveshja shqiptaro-maqedonase e Ohrit; si dhe roli i Bashkësisë ndërkombëtare për arritjen e paqes në Maqedoni.

Ky punim monografik që hedh dritë për ngjarjet më të reja të historisë politike që janë zhvilluar në Republikën e Maqedonisë gjatë dhjetëvjetëshit të fundit të shekullit XX është një përpjekje për të shkruar historinë mbi baza shkencore, në një vend, siç është Republika e Maqedonisë, ku shqiptarët, pretendojnë të ndërtojnë ardhmërinë. Mendoj, se kjo përpjekje është një tentativë për t’iu kundërvënë tezave të servuara të historiografisë maqedonase rreth çështjes së Maqedonisë.

Mirëpres çdo vërejtje që do të ishte në interes të shkencës së historisë dhe të së kaluarës sonë (shqiptare), në Republikën e Maqedonisë.

Në fund, i falenderoj të gjithë ata që më ndihmuan në kompletimin e këtij punimi. Në veçanti u jam mirënjohës profesoreshës së nderuar Prof. Dr. Emine Arifi – Bakalli, Prof. Dr. Jahja Drançolli, Prof. Dr. Haxhi Ferati, Prof. Dr. Selim Daci, recenzentëve, Dr. Vebi Xhemaili, Dr. Fejzulla Shabani dhe piktorit Nevzat Bejtuli – Kica.

A u t o r i



1 Rexhep Qosja, Ideja e bashkimit – ide e fuqishme kombëtare, Procesi i krijimit të shteteve kombëtare në Ballkan filloi në shekullin XIX me pavarësimin e Greqisë; në fazën e dytë u krijua Serbia, Bullgaria dhe Mali i Zi, në Kongresin e Berlinit; në fazën e tretë u krijua Shqipëria dhe Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene, gjatë Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore; ndërsa në fazën e fundit, pas shpërbërjes së Jugosllavisë socialiste, u krijua Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia e Mali i Zi dhe Maqedonia; Kombi, New York 1997, 396.

2 Sqarim: Mbretëria SKS, e cila pak më vonë u quajtë Mbretëria e Jugosllavisë nuk ka ekzistuar në asnjë fazë historike si shtet i përbashkët i sllavëve të Jugut.

3 “Problemi i pakicave në Jugosllavinë e re”, nga referati i dr. Vaso Çubrilloviqit i paraqitur para udhëheqjes më të lartë të LANÇ të Jugosllavisë, më 3 nëntor 1944. Shih “E vërteta mbi Kosovën dhe shqiptarët në Jugosllavi”, Tiranë 1990, 546-555.

4 “Vetëvendosja e popujve” si princip është proklamuar për herë të parë në përfundim të Luftës së Parë Botërore, nga Presidenti i SHBA-së, Udrou Uilsoni, e cila ishte një nga Katërmbëdhjetë Pikat e parimeve të tij; shih te Henri Kisinxher, “Diplomacia”, Tiranë, 1999, 19.

5 Branko Horvat, Kosovsko pitanje, Zagreb 1989, 83.

6 Po aty, 130, Rezoluta që u soll në Prizren, në korrik 1945 për bashkimin e Kosovës me Serbinë.

7 Hajrulla Koliqi, Historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar, Prishtinë 2002, 479.

8 Po aty, 10.

9 Nga konferenca për shtyp e anëtarit të Kryesisë së Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, Stane Dollanc, më 6 prill 1981 u tha: “Unë mund t’ju them se parrullën <<duam republikë>> ne e konsiderojmë jo vetëm si një parullë nacionaliste, por drejtëpërdrejtë kundërrevolucionare, sepse republika e Kosovës nuk është e mundur në kuadrin e Jugosllavisë për shkak të kushtetutës sonë, të përbërjes kombëtare të Kosovës, të vendimeve të marra që në kohën e Luftës Nacionalçlirimtare dhe sepse krijimi i republikës së Kosovës në Jugosllavi do të thotë, në fakt, dezintegrim i Jugosllavisë” , shih te: “E vërteta mbi Kosovën dhe shqiptarët në ish Jugosllavi”, Tiranë, 1990, 474-475.

10 Tito, Josip Broz (1892-1980). Politikan jugosllav i lindur në Kroaci. Sekretar i Partisë Komuniste që nga viti 1937. Organizoi luftën kundër okupimit gjerman (1941-1944). Kryetar i qeverisë më 1946. Braktisi Stalinin më 1948 dhe u imponua në botën e jashtme si lider i neutralitetit dhe i vendeve të paangazhuara. President i Republikës më 1953, president i përhershëm më 1974. Tentoi të organizojë një socializëm të tipit vetëadministrues. Gjatë kohës që Tito drejtoi shtetin jugosllav, shovinizmi qe gjithmonë aktiv mbi shqiptarët e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare. Megjitëkëtë, si rrjedhim i qëndresës së shqiptarëve dhe revoltave popullore, më 1974, Kosovës iu dha statusi i Krahinës Autonome me atribute të përafërta me një republikë, por pas vdekjes së tij ky status u nëpërkëmb dhe ndaj shqiptarëve u ushtrua dhunë he terror i egër me vrasje dhe shpopullime masive, Fjalori enciklopedik, BACCHUS, Tiranë, 2002.

11 Sofokli Lazri, Apologjia e dhunës në Kosovë, 8. Shih: “E vërteta mbi Kosovën dhe shqiptarët në Jugosllavi”, Tiranë, 1990.

12 Po aty, 9.

Arkivi