ZHVILLIMET POLITIKO-SHOQËRORE TE SHQIPTARËT NË MAQEDONI 1990 - 2001

Qeveria e Lupço Georgievskit

Qeveria e Lupço Georgievskit

Roli i faktorit politik shqiptar gjatë Luftës së Kosovës

Me humbjen e forcave të majta politike në zgjedhjet e treta parlamentare në IRJM, të Socialdemokratëve dhe aleatëve të tyre, në parlamentin republikan u ndërrua raporti i forcave në favor të faktorëve të djathtë politik, VMRO-DPMNE, Partisë Demokratike Shqiptare dhe Aleancës Demokratike. Ky raport forcash politike mundësoi formimin e Qeverisë së Lupço Georgievskit16.

Qeveria e Georgievskit u formua më 30 nëntor, 199817. Forcat politike që morrën pjesë në këtë qeveri kishin pikëpamje identike për shumë çështje që ishin të lidhura me interesin shtetëror dhe kombëtar, si të shqiptarëve ashtu edhe të maqedonasve. Në këtë drejtim, rol të veçantë luanin partia e VMRO-DPMNE dhe Partia Demokratike Shqiptare.

Disa karakteristika mundësonin që këto parti të kenë pikëpamje identike:

- të dy partitë i takonin proviniencës antikomuniste, me orientime perëndimore;

- të dy partitë i takonin qendrës së djathtë;

- të dy partitë i takonin proviniencës kombëtare dhe nuk përfaqësonin iluzionet e “bashkëjetesave” të mendësisë së vjetër komuniste;

- të dy partitë ishin për afri jo vetëm me boshtin Veri-Jug, por edhe me ate Lindje-Perëndim;

- të dy partitë ishin shumë të interesuara për integrime në strukturat euroatlantike…18

Në politikën e jashtme të partnerëve të Qeverisë së Georgievskit dy çështje kyçe ishin identike:

1. Rreziku i përbashkët ndaj Kosovës dhe IRJM dhe

2. Integrimi i IRJM në strukturat Euro-atllantike.

Një nga vendimet më të rëndësishme që solli Qeveria e Georgievskit ishte instalimi i trupave logjistike të NATO, në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë19. Ky vendim hapi rrugë për forcat ushtarake të NATO, të cilat gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës hyjnë në IRJM. Për Kosovën, sikurse edhe për tërë rajonin, ky vendim i Qeverisë së Georgievskit kishte rëndësi strategjike20.

Partnerët qeveritarë rrezik potencial e konsiderinin Serbinë e Millosheviqit. Lideri i VMRO-DPMNE, Lupço Georgievski, shumë herët e pati konsideruar Serbinë dhe politikën e saj si shumë të dëmshme për interesat kombëtare maqedonase. Qysh në vitin 1991, ai pati deklaruar, se: “Rreziku më i madh për Maqedoninë dhe popullin maqedonas mund të vijë nga Serbia21. Nga ana tjetër, faktori shqiptar (PDSH) ndikoi dukshëm që pikëpamjet e këtilla të Georgievskit, si kryetar i qeverisë, të menaxhohen në funksion të çlirimit të Kosovës, duke e akorduar politikën e qeverisë me atë të Bashkësisë ndërkombëtare.

Në momentin kur u formua Qeveria e Georgievskit, prioritet i politikës shqiptare ishte Kosova dhe çlirimi i saj nga okupatori serb. Kosova dhe populli shqiptar përjetonte momentet më të rënda të historisë së vet. Andaj, ky prioritet e shtyri Partinë Demokratike Shqiptare të marrë pjesë në qeveri, pikërisht në kohën kur kriza e Kosovës hynte në fazën përfundimtare. Interesi strategjik dhe global shqiptar, për këtë fazë, ishte që t’i jepet hapësirë vepruese NATO në IRJM, si dhe të ruhej qetësia dhe stabiliteti i brendshëm. Subjekti politik shqiptar me përgjegjësinë më të madhe e kreu misionin e vet historik që ia kishte caktuar vetes dhe historikisht e arsyetoi ekzistimin e vet si formacion politik.

Që nga janari, 1998, pas sinjaleve të para të shpërthimit të luftës në Drenicë, faktori politik shqiptar në IRJM, i formoi shtabet e emergjencës, të cilat në kohën e krizës së refugjatëve u vunë në shërbim të zbutjes së pasojave të luftës. Kështu, në momentin kur filloi fluksi i refugjatëve nga Kosova, ky organizim perfekt dha efekte më të mëdha se sa angazhimi i organizatave të ndryshme humanitare botërore. Të gjithë organizmat ndërkombëtarë ishin të befasuar nga niveli i organizimit dhe nga pjekuria politike e shqiptarëve të IRJM.

Lufta për çlirimin e Kosovës, duhej ndihmuar edhe nga Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë. Këtë më së miri mund ta bënin strukturat e reja antikomuniste të këtij shteti. Gjatë periudhës së Jugosllavisë Socialiste, Maqedonia shfrytëzohej si poligon eksperimental i politikës antishqiptare. Gjatë tërë periudhës së ekzistimit të Jugosllavisë Socialiste, IRJM, sikurse Serbia kishte qasje identike rreth çështjes së Kosovës. Strukturat politike që erdhën në pushtet pas zgjedhjeve të para shumëpartiake në IRJM, në vitin 1991, ishin mbeturinat e mendësisë së vjetër. Prandaj, politika e IRJM ndaj Kosovës, edhe pas shpalljes së pavarësisë së saj, aspak nuk ndryshoi. Kjo politikë vazhdoi gjatë tërë kohës sa ishin në pushtet Socialdemokratët dhe Kiro Gligorovi. Vetëm pas zgjedhjeve të treta parlamentare, me fitoren e forcave të reja politike, qasja ndaj çështjes së Kosovës, ndërroi rrënjësisht. Shikuar nga këndi i interesit maqedonas, politika e re e jashtme ishte edhe në interes të tyre, sepse ajo nuk binte ndesh me politikën gjeostrategjike të Bashkësisë ndërkombëtare. Por, pikërisht një politikë e këtillë, përputhej me interesat kombëtar të shqiptarëve.

Nga ana tjetër, Qeveria e Georgievskit nën ndikimin e faktorit politik shqiptar, tërthorazi e njohu Kosovën si fqinjen e pestë të Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë. Gjatë krizës së Kosovës dhe pas saj, për herë të parë ndodhnin takimet në nivel të kryetarëve të qeverive të dy vendeve që kishin dalur nga Jugosllavia socialiste: kryetarit të Qeverisë së Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Lupço Georgievski dhe kryetarit të Qeverisë së përkohshme të Kosovës, Hashim Thaçi, në Shkup dhe në Prishtinë. Për dallim nga kjo, qeveria e mëparshme e Socialdemokratëve dhe e Kiro Gligorovit, duke pasur pikëpamje identike me nacionalistët serbë, Kosovën e pavarur e konsideronin rrezik potencial për shtetin maqedonas, prandaj në asnjë mënyrë ajo nuk pranohej si fqinje e pestë e Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë. Ndërkaq, takimet e Georgievskit me Hashim Thaçin u cilësuan si të dëmshme për IRJM dhe u sulmuan ashpër nga vetë kryetari Gligorov22.

Gjatë kohës së Luftës së Kosovës, subjekti politik shqiptar artikuloi drejt kauzën kosovare në rrafshin diplomatik ndërsa brenda në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë pamundësoi krijimin e projekteve dhe infrastrukturën serbe ose proserbe. Siç dihet, kriza e Kosovës përfundoi me fitoren e Luftës Nacional-Çlirimtare të Kosovës dhe disfatën e regjimit kolonialist të Millosheviqit. Me këtë, përfundoi një episod i shtypjes së shqiptarëve në ish-Jugosllavi.

Shtrohet dilema historike, se çka do të ndodhte sikur gjatë Luftës së Kosovës, të destabilozohej IRJM? Çështja shqiptare dhe çështja e Kosovës, në një situatë të tillë mund të vihej në hije të çështjeve më të mëdha.

Qeveria e Georgievskit në politikën e brendshme bazohej në platformën antikomuniste që kishte për qëllim demontimin e strukturave të ish-sistemit. Kjo politikë i shkonte në favor edhe interesit shqiptar. Ky konstatim vjen ngaqë politika e komunistëve jugosllavë, duke qenë nën ndikimin e drejtpërdrejtë të komunistëve serbë, gjatë periudhës së pushtetit monist, në IRJM kishin ngritur një sistem që ishte nën kontrollin e qarqeve proserbe, që në esencë ishte sistem antishqiptar dhe antidemokratik. Prandaj, platforma e Qeverisë së Georgievskit, mundësonte demontimin e një sistemi të këtillë, të çimentuar me dekada të tëra.

Që nga Luftërat Ballkanike dhe pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, rajoni i Maqedonisë llogaritej si “Serbi Jugore”, ndërsa, në Jugosllavinë socialiste, ajo konsiderohej si “satelit” i Serbisë. Nën këtë platformë, në IRJM, në mënyrë të vazhdueshme u ndërtuan struktura shtetërore të sistemit që ishin lojale ndaj Serbisë ose ishin proserbe. Kështu, u ndërtua i tërë aparati shtetëror i IRJM me një lidhje të mistershme me Beogradin. Këto struktura vazhduan të mbeten me ndikim të madh edhe pas shpalljes së pavarësisë së Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, në vitin 1991. Pra, me ndërrimin e sistemit shoqëror, prej monizmit në sistemin pluralist, nuk u ndërruan strukturat e mendësisë së vjetër. Ky aparat shtetëror “i çimentuar” ishte pengesë e realizimit të barazisë së shqiptarëve në sistem, prandaj doemos duhej demontuar. Subjekti politik shqiptar me vetëdije dhe guxim i hyri një aktiviteti të këtillë.

Faktori politik shqiptar, si partner i koalicionit qeveritar, përpiqej të artikulojë më drejt se kurdoherë tjetër interesat e popullit shqiptar në IRJM. Shqiptarët, gjatë tërë periudhës së Jugosllavisë socialiste dhe më pas, gjatë periudhës së sistemit shumëpartiak, vazhduan të diskriminohen në mënyrën më perfide në të gjitha sferat e jetës. Pas zgjedhjeve të treta parlamentare, shqiptarët për herë të parë filluan t’i realizojnë disa nga të drejat e tyre kombëtare.

Çka fitoi populli shqiptar i IRJM me pjesëmarrjen e Partisë Demokratike Shqiptare në Qeverinë e Georgievskit ?

Gjatë mandatit të Qeverisë së Georgievskit u shënuan disa suksese që ishin me interes për popullin shqiptar në IRJM. Në mesin e këtyre sukseseve do të përmendim:

Vendimin e qeverisë për amnistinë e të burgosurve politikë, kryetarëve të komunave dhe kryesuesve të Këshillave komunale. Menjëherë pas formimit të qeverisë u aprovua dekreti për shpalljen e Ligjit për lirimin e të burgosurve politikë23;

Themelimin e institucionit të lartë arsimor në gjuhën shqipe, siç ishte Universiteti i Europës Juglindore, në Tetovë;

Kanalin e tretë televiziv në gjuhën shqipe, pranë Televizionit të Maqedonisë (MTV-Makedonska Televizija), i cili parashihej të realizohet kah fundi i mandatit të qeverisë;

Çështja më e rëndësishme ishte përpjekja për përfaqësim adekuat të shqiptarëve në strukturat drejtuese të shtetit. Në strukturat shtetërore dominonte një situatë tejet e disfavorshme për shqiptarët. Atyre kurrë nuk u ishte besuar të drejtonin institucione të rëndësishme shtetërore, qoftë të nivelit komunal apo republikan. U bënë ndërrime kadrovike të paimagjinueshme në interes të shqiptarëve. Të dhënat që jepen nga mjetet informative të kohës pasqyrojnë një gjendje shumë më të përshtatshme për interesin e shqiptarëve të IRJM24, se sa më parë;

Përfshirja e shqiptarëve në përfaqësitë diplomatike të Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, me gjashtë Ambasadorë shqiptarë: në Itali, Turqi, Slloveni, Danimarkë, Kroaci dhe Zvicër25.

Përfshirja e shqiptarëve në Ministrinë e Punëve të Brendëshme, më parë kishte qenë simbolike. Në periudhën e Qeverisë së Georgievskit për herë të parë ishin emëruar shqiptarë, zëvendësministri dhe nënsekretari i Ministrisë për Punë të Brendëshme të IRJM dhe një numër i madh i kryeshefave të njësive rajonale26.

Edhepse subjekti politik shqiptar ishte në fazën e jetësimit të plotë të platformës politike të tij, edhe përkundër sukseseve të mëdha, vetë ai ishte i pakënaqur me rezultatet e arritura dhe me tempon e realizimit të barazisë së shqiptarëve në sistem. Eliminimi i diskriminimit të popullit shqiptar në IRJM akoma ishte shumë larg, sepse ishte humbur “hapi” historik që nga periudha e sistemit monist.

Pengesa kryesore e barazisë së shqiptarëve në sistem ishte statusi politik dhe juridik i shqiptarëve në Kushtetutën e IRJM, si pakicë kombëtare. Mirëpo, derisa Kosova ishte nën sundimin e okupatorit serb, shqiptarët e IRJM nuk mund të dallonin ngecjen e pabarazisë së tyre, sepse kosovarët ishin në pozitë më të rëndë. Por, kur këta të fundit, përmes Luftën Çlirimtare dhe ndihmën e Bashkësisë ndërkombëtare, i dëbuan pushtuesit serb, shqiptarët e IRJM vërejtën ngecjen krahasuar me vëllezërit e tyre kosovarë.

Për t’u realizuar barazia e plotë e shqiptarëve në sistem, duhej avancuar statusi i popullit shqiptar në IRJM. Kjo mund të bëhej me reforma të reja kushtetuese, me çka do të ridefinoheshin raportet shoqëroro-politike shqiptaro-maqedonase.



16 Qeveria e Georgievskit përbëhej prej këtyre dikasterëve: Minsitria e Mbrojtjes, Nikolla Klusev; Ministria e Punëve të Brendshme, Pavle Trajanov; Ministria e Drejtësisë, Vllado Kambovski; Ministria e Punëve të Jashtme, Aleksandar Dimitrov; Ministria e Financave, Boris Stojmenov, Ministria e Ekonomisë, Zhanko Çado; Ministria për Zhvillim, Miljana Danevska; Ministria për Urbanizëm, Ndërtimtari dhe Mbrojtjen e Ambientit jetësor, Dushko Kadievski; Ministria për Bujqësi, Pylltari dhe Ekonominë e ujrave, Vlladimir Xhabirski; Ministria për Arsim dhe Kulturë fizike, Nenad Novkovski; Ministria për Kulturë, Dimitar Dimitrov; Ministria për Shëndetësi, Stojan Bogdanov; Ministria për Punë dhe Politikë sociale, Bedredin Ibrahimi; Ministria për Shkencë, Merie Rushani; Ministria e Pushtetit lokal (që u formua ndërkohë), Xhevdet Nasufi; Ministria për Informata, Rexhep Zllatku dhe Ministrat tjerë, Georgi Boev, Nikolla Gruevski, Martin Trenevski, Georgi Naumov, Radmilla Kiprijanova-Radovanoviq, Toni Popovski, Adnan Qahil, Ernad Fejzullahu. Vendimi i Kuvendit me nr. 08-4006, 30. 11. 1998, Sluzhben vesnik na Republika Makedonija, br. 58, 1 dekemvri, 1998.

17 Sluzhben vesnik na Republika Makedonija, br. 58, 1 dekemvri, 1998.

18 Kongresi i Tretë i Partisë Demokratike Shqiptare, “Raporti i punës”, Tetovë, 12 korrik 2003.

19 Republika Makedonija i begalskata kriza ‘99, Skopje, 2000, 9.

20 Po aty, 17.

21 >>Zëri<<, Serbia është armiku më i madh”, Prishtinë, 28 shtator, 1991.

22 Presidenti i Maqedonisë, Gligorovi, Kosovën e imagjinon vetëm në kuadër të Serbisë, prandaj kur flet për të, si fqinje të pestë të Maqedonisë, e vë në thonjëza, “Fqinji i pestë”, shih: Makedonija e se shto imame, Kultura, 2002, 463.

23 “Ukaz”, nr. 07-460/1, nënshkruar nga kryetari i Republikës së Maqedonisë, Kiro Gligorov, Sluzhben vesnik na Republika Makedonija, br. 6, 5 fevruari, 1999.

24 >>Flaka<< e datës 19-24 gusht, 2002, jep të dhënat informative të mbledhura nëpër institucione shtetërore, duke krahasuar periudhën e qeverisjes tetëvjeçare të qeverisë së Cërvenkovskit dhe të qeverisjes katërvjeçare të qeverisë së Georgievskit. Nga ato të dhëna shihet se nëpër shumë qytete të IRJM, ku jetojnë shqiptarët, krahasuar me periudhën paraprake të qeverisjes së mendësisë së vjetër, shumë shqiptarë i gjejmë në krye të institucioneve të rëndësishme në nivele komunale dhe republikane. Psh. në nivelin lokal-komunal në periudhën në mes viteve 1991-1998, gjatë kohës së qeverisjes së politikës së vjetër, Cërvenkovski-Gligorov, shqiptarët janë përfaqësuar me një numër simbolik në pozita udhëheqëse, edhe atë:

- Në Manastir, Ohër, Resnjë, Veles, Krushevë dhe Zhitoshë, ku shqiptarët janë pakicë krahasuar me sllavo-maqedonasit, nuk ka pasur asnjë shqiptar në pozitë udhëheqëse.

- Në qytetet tjera ku shiptarët ishin në numër të konsiderueshëm, si psh.

Strugë, kishte pasur vetëm një kryeshef;

Kërçovë, gjithashtu kishte pasur vetëm një drejtues;

Kumanovë, nuk kishte pasur asnjë shqiptar në pozitë drejtuese;

Shkup, kishte pasur vetëm dy drejtues shqiptarë.

- Në qytetet ku shqiptarët përbëjnë shumicën dërrmuese të popullatës, sërish numri i udhëheqësve shqiptarë ishte simbolik, psh.

Dibër, kishte pasur vetëm 7 shqiptarë udhëheqës;

Gostivar, vetëm 4 shqiptarë, dhe;

Tetovë, 6 udhëheqës shqiptarë të institucioneve lokale-komunale.

Ndërsa, gjatë periudhës së qeverisjes së qeverisë së Georgievskit, në të cilën partner i koalicionit ishte edhe Partia Demokratike Shqiptare, shqiptarët ishin të përfaqësuar me një numër shumë më të madh të udhëheqësve të institucioneve lokale-komunale, psh.

- Në qytetet ku shqiptarët ishin në numër më të vogël;

Manastir, shqiptarët u përfaqsuan me 9 udhëheqës;

Ohër, me 3 udhëheqës shqiptarë;

Resnjë, 4 udhëheqës shqiptarë;

Ndërsa, në qytetet: Veles, Krushevë dhe Zhitoshë, ishin emëruar shqiptarë në vende të rëndësishme.

- Në qendrat ku shqiptarët përbënin numër të konsiderueshëm:

Strugë, ishin emëruar 19 udhëheqës shqiptarë;

Kërçovë, tani kishte 6 shqiptarë udhëheqës;

Kumanovë, kishte 7 shqiptarë udhëheqës dhe në

Shkup, 9 udhëheqës shqiptarë.

Në qendrat ku shqiptarët përbënin shumicën e popullatës:

Dibër, tani ishin emëruar 20 drejtues dhe kryeshefa shqiptarë;

Gostivar, ishin emëruar 26 shqiptarë në vende udhëheqëse, dhe në

Tetovë, 27 shqiptarë udhëheqnin institucione të rëndësishme shtetërore.

Gjatë kësaj periudhe, shqiptarët mbanin pozita të rëndësishme udhëheqëse edhe në dikastere qeveritare dhe drejtori të rëndësishme: Shqiptarët e drejtonin Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale, Ministrinë e pushtetit lokal, Ministrinë e ekonomisë, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë për informata e cila u shndërrua në Agjencion për informata dhe Agjencionin për Sanimin e Bankave, Postën e Maqedonisë, Aeroportin dhe Fondin për Rrugë Rregjionale dhe Lokale.

Shqiptarët në këtë periudhë ishin në poste të rëndësishme edhe në : Ministrinë e Punëve të Brendëshme, Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Arsimit, Ministrinë për Transport dhe Lidhje, Ministrinë e Jashtme, Ministrinë e Kulturës, Ministrinë e Bujqësisë-Pylltarisë-Ekonomisë së ujrave, Entin shtetëror për Gjeodezi, Agjencionin për Migracion, Elektro-ekonominë e Maqedonisë, Entin shtetëror për Statistikë, Drejtorinë e Doganave, etj.

25 >>Flaka<<, “Ministria e Punëve të Jashtme”, 31.08.2002

26 >>Flaka<<, “Ministria e Punëve të Brendëshme”, Kryeshefi i Policisë Publike në Tetovë, Kryeshefi i Drejtorisë së Shkupit, Kryeshefi i Drejtorisë së Policisë Sekrete në Gostivar, Kryeshefi i Policisë Sekrete në Strugë dhe një numër i madh i kuadrove ishin emëruar në poste drejtuese 4. 09. 2002

Arkivi