ZHVILLIMET POLITIKO-SHOQËRORE TE SHQIPTARËT NË MAQEDONI 1990 - 2001

Qeveria e parë e Maqedonisë së pavarur

Qeveria e parë e Maqedonisë së pavarur

Qeveria e Ekspertëve

Në fillim të vitit 1991 zhvillohej procesi i pavarësimit të Maqedonisë si shtet i ri në Ballkan. Krahas këtij procesi zhvillohej edhe reforma e institucioneve të sistemit. Institucionet e vjetra të sistemit komunist pak nga pak ua lëshonin vendin organeve të reja të sistemit pluralist. Kështu ndodhi edhe me qeverinë. Në muajt e parë të vitit 1991 akoma funksiononte qeveria e vjetër, e ish-Lishjes Komuniste. Më 20 mars, 1991, u zgjodh qeveria e re, e cila qëndroi deri më 7 korrik, 199244 .

Qeveria e parë e Maqedonisë së pavarur u quajt Qeveri e Ekspertëve. Në krye të saj u vendosën dy nga njerëzit kryesorë të Forumit maqedonas, akademik Nikolla Klusevi, si kryetar dhe akademik Bllazhe Ristovski, si nënkryetar. Me zgjedhjen e tyre në krye të qeverisë pak nga pak plotësohej tablloja e realizimit të planeve të Forumit maqedonas, i cili kishte hartuar programin nacional maqedonas. Natyrisht se në këtë qeveri u vendosën edhe shqiptarë me qëllim që t’u shmangen akuzave si qeveri njëetnike, që nuk përkonte me realitetin etnik të Maqedonisë. Por, shqiptarët në këtë qeveri u përfshinë vetëm me një resor, vetëm me Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale45. Ky nënçmim i hapur që i bëhej faktorit politik shqiptar, si forcë reale politike, pasqyronte mendësinë e vjetër të çoroditur të politikës antishqiptare që ishte zhvilluar gjatë periudhës moniste. Përfaqësimi formal i shqiptarëve në qeveri kishte dy qëllime kryesore: që shqiptarët të mbahen të “lidhur” me Maqedoninë, që të mos kërkojnë rrugë të tjera politike për zgjidhjen e çështjes së tyre dhe e dyta, politika e Gligorovit, përmes inkuadrimit formal të shqiptarëve në qeveri dhe në disa organe tjera, duhej formalisht të afirmonte idenë e shtetit multietnik të Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, që ishte një farsë e madhe për të manipuluar me Faktorin ndërkombëtar.

Në planin e brendshëm Qeveria e Ekspertëve e rrumbullakësoi formimin e shtetit të Maqedonisë, duke e realizuar me sukses Referendumin e 8 shtatorit dhe aprovimin e Kushtetutës. Por, Qeveria e Ekspertëve nuk kishte kapacitet për t’i vazhduar proceset tjera, për njohjen e Maqedonisë në arenën ndërkombëtare. Andaj më 7 korrik, 1992, Kuvendi i Maqedonisë, sipas një skenari të parapërgatitur votoi për mosbesimin e Qeverisë së Ekspertëve46. Nga ky moment tërë pushteti në Maqedoni ishte i koncentruar në duar të kryetarit Gligorov, i cili duke shfrytëzuar përvojën shumëvjeçare nga periudha e komunizmit, solli në krye të Republikës së Maqedonisë një qeveri të atillë, e cila do të jetë nën ndikim të drejtëpërdrejtë të tij. Më 4 shtator, 1992 Kuvendi i Republikës së Maqedonisë zgjodhi qeverinë e re politike në krye me B. Cërvenkovskin47, kryetar i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë. Me zgjedhjen e Qeverisë së Cërvenkovskit, në Maqedoni u hap rruga e pushtetit të forcave të majta politike, të komunistëve të vjetër dhe të komunistëve të rinj, të cilët ishin reformuar në socialdemokratë.



44 >>Flaka e vëllazërimit<<, “U zgjodh qeveria e re e Maqedonisë”, 22 mars, 1991.

45 Po aty, 183.

46 Kiro Gligorov, Makedonija e se shto imame, Skopje 2002, 227.

47 Po aty, 235.

Arkivi