ZHVILLIMET POLITIKO-SHOQËRORE TE SHQIPTARËT NË MAQEDONI 1990 - 2001

Zgjedhjet e dyta parlamentare në IRJM (1994)

Zgjedhjet e dyta parlamentare në IRJM

(1994)

Zgjedhjet e dyta parlamentare në IRJM filluan më 16 tetor, dhe përfunduan më 30 tetor, 1994. Krahas zgjedhjeve për Kuvendin republikan u bënë edhe zgjedhjet presidenciale9. Edhe këto zgjedhje u mbajtën sipas modelit të shumicës, në dy rrethe zgjedhore. Pra, edhe kësaj radhe territori i IRJM ishte i ndarë në 120 njësi zgjedhore, në të cilat duhej të zgjidheshin 120 deputetë për Kuvendin e republikës. Në këto 120 njësi zgjedhore u kandiduan 1482 kandidatë të propozuar nga 38 parti politike dhe 283 kandidatë të pavarur10.

Në 13 njësi zgjedhore zgjedhjet përfunduan në rrethin e parë.

Në rrethin e dytë u votua për 333 kandidatë të propozuar nga 17 parti politike dhe 71 kandidatë të pavarur. Rrethi i dytë u mbajt më 30 tetor, 1994.

Në zgjedhjet e dyta parlamentare shqiptarët morën pjesë me tre parti politike: Partia për Prosperitet Demokratik, Partia Demokratike Popullore dhe Partia për Prosperitet Demokratik – “e ndaluar”11. Beteja kryesore politike, për të fituar votat e elektoratit shqiptar, zhvillohej midis dy rrymave të Partisë për Prosperitet Demokratik, të ndarë në Kongresin e dytë të parakohshëm, në vijën e vjetër, apo “të moderuar” dhe në vijën e re, “radikale” të legjitimuar në atë Kongres.

Nga ana tjetër, partitë politike maqedonase u ndanë në dy blloqe: blloku “Lidhja për Maqedoninë”12, që simbolizonte politikën tradicionale të kryetarit Gligorov dhe kryeministrit Cërvenkovski, dhe blloku tjetër që përfaqësohej nga partitë nacionale maqedonase nën udhëheqjen e VMRO-DPMNE. Ky grup i partive politike maqedonase në rrethin e dytë i bojkotoi zgjedhjet në tërësi, për shkak të manipulimeve të shumta me zgjedhjet nga ana e “Lidhjes për Maqedoni”, ku rolin kryesorë e luante Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë.

Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve të dyta parlamentare në IRJM ishte:

Koalicioni “Lidhja për Maqedoninë” (LSDM-PL-PS), 87 deputetë;

Partia për Prosperitet Demokratik, 10 deputetë13;

Partia Liberale e Maqedonisë, 5 deputetë;

Partia për Prosperitet Demokratik, “e ndaluar”, 4 deputetë14;

Partia Demokratike Popullore, 4 deputetë15;

Partia Demokratike e Maqedonisë, 1 deputet;

Partia për Emancipimin e Romëve, 1 deputet;

Koalicioni: Partia Demokratike e Turqve – PAD - Rruga Islame, 1 deputet;

LSDM-Partia Liberale e Maqedonisë, 1 deputet;

Partia Socialdemokrate e Maqedonisë, 1 deputet;

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë, 1 deputet;

Partia Socialiste e Maqedonisë, 1 deputet dhe

Kandidatë të pavarur, 3 deputetë16.

Në zgjedhjet e dyta parlamentare, për dallim nga zgjedhjet e para kur u zgjodhën 23 deputetë shqiptarë, tani numri i deputetëve shqiptar ra në 19 deputetë. Rënia e numrit të deputetëve shqiptarë ishte rezultat i manipulimeve me listat zgjedhore dhe rezultat i mosmarrëveshjeve ndërmjet forcave politike shqiptare. Këto zgjedhje treguan qartë se edhe për katër vitet e ardhshme do të vazhdojë politika tradicionale e Socialdemokratëve, ndërsa për interesin kombëtar shqiptar nuk pritej ndonjë përparim i madh.



9 Zgjedhjet presidenciale për kryetar të IRJM u zhvilluan sipas modelit të zgjedhjeve të drejtpërdrejta, sikurse zgjdhjet për deputet, “Dekreti për shpalljen e ligjit për zgjedhjen e kryetarit të Repubulikës së Maqedonisë”, nr. 08-1330/1, të datës 12 prill,, 1994, “Slluzhben vesnik na Republika Makedonija”, br. 20, 21 april, 1994.

10 Izbori 1994, Koneçni rezultati od izborite vo Sobranieto na Republika Makedonija, Skopje, dekemvri, 1994 god.

11 Partia për Prosperitet Demokratik – “e ndaluar”, lindi në Kongresin e dytë të parakohshëm të Partisë për Prosperitet Demokratik. Në këtë Kongres PPD u nda në dy pjesë. Mirëpo, PPD që mbeti në sallën e Pallatit të kulturës dhe që thirrej nën emrin e Partisë për Prosperitet Demokratik nuk u njoh si legjitime nga organet e drejtësisë maqeodonase dhe në këtë mënyrë e fitoi epitetin “e ndaluar”. Në fakt, ajo veproi si parti politike e pa regjistruar. Në zgjedhjet e dyta parlamentare në IRJM mori pjesë me kandidatë të pavarur. Organet gjyqësore duke e trajtuar si parti që kontestonte konceptin e shtetit të Gligorov-it, një kohë të gjatë nuk e mundësuan regjistrimin e saj si parti legale. Pas zgjedhjeve të dyta parlamentare ajo mundi të regjistrohet me emër tjetër, të emëruar, Parti për Prosperitet Demokratik e Shqiptarëve.

12 >>Flaka e vëllazërimit<<, “Epërsi bindëse e Gligorovit dhe e Lidhjes për Maqedoni”, 18 tetor, 1994, 1.

13 Po aty, “Nëntëmbëdhjetë deputetë shqiptarë”, Abdurrahman Aliti, Gazmend Ajdaraga, Sefedin Haruni, Xheladin Murati, Ismet Ramadani, Nazmi Maliqi, Naser Zyberi, Mevlan Tahiri, Abdurauf Pruthi dhe Sami Ibraimi, 18 tetor, 1994.

14 Po aty: Arbën Xhaferi, Hysni Shaqiri, Rufi Osmani dhe Sali Ramadani, 5. Ky grup politik pak më vonë formoi Partinë për Prosperitet Demokratik të Shqiptarëve – PPDSH.

15 Po aty Zeqir Kadriu, Mersel Bilalli, Abdylhadi Vejseli dhe Rahmi Tuda, 4.

16 Izbori 1994, Koneçni rezultati od izborite vo Sobranieto na Republika Makedonija, Skopje, dekemvri, 1994 god.

Arkivi