ZHVILLIMET POLITIKO-SHOQËRORE TE SHQIPTARËT NË MAQEDONI 1990 - 2001

Qeveria e dytë e Branko Cërvenkovskit

Qeveria e dytë e Branko Cërvenkovskit

Pas përfundimit të zgjedhjeve të dyta parlamentare, në IRJM, filluan negociatat për formimin e qeverisë së re. Forca politike që dominonte në parlament ishte kryesisht “Lidhja për Maqedoni”17, bërthamën e së cilës e përbënin Socialdemokratët e Branko Cërvenkovskit. Opozita maqedonase nuk ishte fare e prezantuar në parlament, sepse ajo i kishte bojkotuar zgjedhjet, përderisa, faktori politik shqiptar ishte i shpërndarë në tri parti politike: Partia për Prosperitet Demokratik që kishte 10 deputetë, Partia për Prosperitet Demokratik e Shqiptarëve, 4 deputetë, Partia Demokratike Popullore, gjithashtu 4 deputetë dhe një deputet i pavarur18.

Në prag të formimit të qeverisë së re u zhvilluan ngjarjet rreth themelimit të Universitetit të Tetovës. Qeveria ishte kundër themelimit të Universitetit në gjuhën shqipe. Ajo dërgoi forca të shumta policore për të penguar themelimin dhe ngritjen e këtij institucioni të lartë arsimor. Realisht, pritej që faktori shqiptar, në këto rrethana të kundërshtisë së qarqeve politike maqedonase kundër arsimimit të shqiptarëve në gjuhën shqipe, të shfrytëzojë forcën e vet politike dhe të kushtëzojë faktorin politik maqedonas me themelimin e Universitetit në gjuhën shqipe. Mirëpo, jo që kjo nuk ndodhi, por për habinë e të gjithë shqiptarëve të IRJM dhe më gjerë, një ditë pas sulmit policor mbi objektet e përkohshme të Universitetit, njëri nga faktorët politikë shqiptarë, Partia për Prosperitet Demokratik, vendosi të marrë pjesë në Qeverinë e Cërvenkovskit19. Pra, PPD hyri në qeveri me pjesëmarrje simbolike të përfaqësimit20. Por, edhe kësaj radhe vazhdoi politika e qeverisë së mëparshme, politika e përfaqësimit formal të shqiptarëve dhe politika e diskriminimit në institucione shtetërore, politikë kundër ngritjes së vlerave arsimore, kulturore dhe shkencore të shqiptarëve të Maqedonisë21 .



17 Sllavo-maqedonasit e quanin “Sojuz za Makedonija”.

18 Deputeti i pavarur shqiptar në përbërjen e dytë të Kuvendit të republikës ishte z. Hisen Ramadani.

19 >>Flaka e Vëllazërimit<<, “Kryesia e PPD zgjidhi dilemat – PPD participon në Qeverinë e Cërvenkovskit”, 16 dhjetor, 1994.

20 Nga pesëmbëdhjetë dikastere qeveritare, shqiptarët udhëhiqnin me katër prej tyre: Ministrinë për ekonomi (ministër Beqir Zhuta), Ministrinë për zhvillim (Abdylmenaf Bexheti ), Ministrinë për punë dhe politikë sociale (Naser Zyberi) dhe Ministrinë për shkencë (Dr. Asllan Selmani) .

21 Kryetari i IRJM, Kiro Gligorov, menjëherë pas zgjedhjeve të dyta parlamentare, kur u rizgjodh kryetar, në një intervistë dhënë gazetës autoritative të Zagrebit >>Vjesnik<<, i pyetur se si ndodhi që shqiptarët të marrin pjesë në qeverinë e re pa ndonjë kushtëzim paraprak, pas tërë asaj zhurme që bënë, se janë mashtruar duke marrë pjesë në qeverinë e parë, ai u përgjigj: “PPD, e cila fitoi më shumë deputetë nga partitë e tjera shqiptare, që para zgjedhjeve kishte kërkuar që të marrë pjesë në qeveri, madje, këtë pjesëmarrje unë ua sigurova pavarësisht se sa deputetë do të fitojnë. Pra, pavarësisht se a do të kenë më pak apo më shumë deputetë në parlamentin e Maqedonisë se sa partitë e tjera politike shqiptare. Kërkuan vende në qeveri dhe unë ua dhashë”. (Përcjellë nga “Rilindja”, Tiranë, 31 mars, 1995, 4.

Arkivi