ZHVILLIMET POLITIKO-SHOQËRORE TE SHQIPTARËT NË MAQEDONI 1990 - 2001

Themelimi i Universitetit në gjuhën shqipe në IRJM

Themelimi i Universitetit në gjuhën shqipe në IRJM

Universiteti i Tetovës

Në vitin 1991 autoritetet serbe në Kosovë i ndaluan studimet në gjuhën shqipe, në Universitetin e Prishtinës, megjithatë mësimi në gjuhën shqipe nuk u ndërpre asnjëherë. Po të njejtin vit, më 26 nëntor, 1991, u themelua edhe Universiteti (shqiptar) i Prishtinës, me rektor prof. dr. Ejup Statovcin. U punua në kushte të jashtëzakonshme, nëpër shtëpi private22. Kështu, veprimtaria arsimore dhe shkencore në gjuhën shqipe gjatë viteve ’90, në Kosovë, mbijetoi në kushte të jashtëzakonshme të administrimit policoro-ushtarak serbo-jugosllav23.

Universiteti i Prishtinës, nga themelimi i tij ishte një shpresë e madhe për ngritjen arsimore të shqiptarëve të IRJM. Vështirësitë e shkaktuara në Universitetin e Prishtinës, nga autoritetet e instaluara serbe në Kosovë, nga viti 1990, ishin një grusht i rëndë edhe për të rinjtë nga IRJM. Edhepse proceset demokratike hapën shtigje të reja për vazhdimin e studimeve të larta, në Universitetet e Republikës së Shqipërisë, prapëseprapë institucionet e larta arsimore të shtetit shqiptar nuk mund t’i absorbonin të gjitha aspiratat e të rinjve shqiptar nga IRJM. Kështu u ndje nevoja e madhe për themelimin e një institucioni të lartë arsimor në gjuhën shqipe edhe në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, që do të plotësonte nevojat e kahmotshme për ngritjen e kuadrit arsimor profesional në lëmi të ndryshme.

Pra, ideja për themelimin e një institucioni të lartë arsimor në gjuhën shqipe, në IRJM lindi si nevojë e kohës.

Iniciativa për themelimin Univesritetit në gjuhën shqipe filloi më 4 qershor, 1994, nga Kuvendi i intelektualëve shqiptarë të rangut universitar, së bashku me përfaqësuesit e asociacioneve të ndryshme dhe të subjekteve politike.

Si iu përgjigj Qeveria e Cërvenkovskit, nismës së intelektualëve shqiptarë për themelimin e Universitetit në gjuhën shqipe ?

Përpjekjeve shqiptare për themelimin e institucionit të lartë arsimor, Qeveria maqedonase iu kundërvu brutalisht. Më 14 dhjetor, 1994, në prag të themelimit të Universitetit, qeveria dërgoi buldozerë, nën asistimin e forcave të shumta policore, të cilët i rrënuan objektet ku parashihej të mbahen ligjëratat e para universitare24. Të iritiuar nga sulmi brutal policor, shqiptarët e Tetovës dhe të rrethinës dolën në mbrojtje të përpjekjeve për ngritjen e institucionit të lartë arsimor në gjuhën shqipe, me ç’rast u shkaktua përleshje spontane në mes masës së tubuar dhe forcave policore maqedonase, ku pati të vrarë dhe të plagosur shqiptarë.

Nisma e intelektualëve shqiptarë nuk u ndërpre, ajo vazhdoi dhe u kurorëzua me sukses në përfundim të vtitit 1994, kur u soll vendimi për themelimin e Universitetit në gjuhën shqipe në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Në këtë akt-vendim, thuhet: “Përfaqësuesit e Kuvendeve të komunave: Tetovë, Gostivar, Dibër, pesë komunat e Shkupit, Kumanovë, Kërçovë e Strugë dhe Kuvendit të qytetit të Shkupit, përfaqësuesit e Partisë për Prosperitet Demokratik, Partisë Demokratike Popullore, Lidhjes Demokratike Shqiptare - Partia Liberale, Partisë së Aksionit Demokratik - Rruga Islame, Partisë Demokratike Popullore - Partia e Unitetit Popullor, Lidhjes së Gruas Shqiptare në Maqedoni, deputetët në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, Këshillit për themelimin e Universitetit, asociacioneve dhe shoqatave tjera të regjistruara në Republikën e Maqedonisë, të gjitha këto në cilësinë e Kuvendit për themelim të Universitetit me mësim në gjuhën shqipe në Maqedoni, në seancën solemne të mbajtur më datën 17 dhjetor, 1994, morën V e n d i m për themelimin e Universitetit me mësim në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë25. Sipas këtij akt-vendimi Universiteti në gjuhën shqipe mori emrin Universiteti i Tetovës26, ndërsa selia e tij do të ishte në Tetovë27. Vendimi përcaktonte gjashtë fakultete bazë, që do të përbënin bërthamën e Universitetit të Tetovës:

Fakulteti Filologjik,

Fakulteti Filozofik,

Fakulteti i Shkencave matematiko-natyrore,

Fakulteti Juridik,

Fakulteti Ekonomik dhe

Fakulteti i Arteve28.

Organet kryesore të Universitetit të Tetovës, sipas akt-vendimit ishin: Senati,

Këshilli mësimoro-shkencor dhe

Rektorati.

Akt-vendimi për themelimin e Universitetit të Tetovës parashikonte harmonizimin e plan-programeve mësimore me Universitetet ekzistuese të Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, si dhe shpalljen e konkursit për pranimin dhe regjistrimin e studentëve për vitin akademik 1994/9529.

Solemniteti i rastit për themelimin e Universitetit të Tetovës ishte planifikuar të shpallet në sallën e komunës së Tetovës, por kjo gjë u pengua nga organet policore maqedonase, prandaj një gjë e këtillë u mbajt përpara godinës së komunës së Tetovës edhe përkundër bllokimit të dyerve hyrëse të komunës nga ana e policisë së armatosur deri në dhëmbë. Me atë rast, përveç përfaqësuesve të zgjedhur të popullit, qenë të pranishëm edhe shumë qytetarë të Tetovës dhe rrethinës dhe nga të gjitha qytetet e tjera. E përditshmja, >>Flaka e vëllazërimit<<, informonte se: ”për shkak të situatës së tendosur dhe evitimit të ekceseve të mundshme, Dr. Fadil Sulejmani, kryetar i Këshillit për themelimin e Universitetit, e lexoi Vendimin për themelimin e Universitetit në gjuhën shqipe, në selinë e Partisë për Prosperitet Demokratik”30.

Menjëherë pas themelimit të Universitetit të Tetovës, ashtu siç ishte paraparë, u regjistruan studentët për vitin e parë akademik 1994/95 dhe filluan ligjëratat e para. Nga ana tjetër, strukturat drejtuese të këtij institucioni të lartë arsimor në gjuhën shqipe filluan përpjekjet për bashkëpunim me institucione të ngjajshme ndërkombëtare. Më 10 shkurt, 1995, u nënshkruajt marrëveshja për bashkëpunim midis Universitetit të Tetovës dhe Universitetit “George Washington” të Uashingtonit31. Kjo marrëveshje për Universitetin e Tetovës ishte njohje ndërkombëtare nga një institucion i lartë arsimor amerikan. Vlen të theksohet se, në rrugën e afirmimit, Universiteti i Tetovës, u ndihmua nga Universiteti shtetëror i Republikës së Shqipërisë dhe Universiteti i Prishtinës, me të cilët gjatë tërë kohës u zhvillua një bashkëpunim i mirë. Ky bashkëpunim, më 2 qershor, 1996, u zyrtarizua përmes një Deklarate, të nënshkruar nga Rektori i Universitetit të Prishtinës, Prof, dr. Ejup Statovci dhe Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. dr. Fadil Sulejmani32. Në këtë Deklaratë, Universiteti i Tetovës falënderon Universitetin e Prishtinës, për ndihmën e dhënë nga themelimi, si me kuadro mësimore ashtu dhe shkollimin e kuadrove universitare. Në të përmenden edhe marrëveshjet permanente protokollare, njëvjeçare, midis dy Universiteteve, për nevoja të ndryshme të fakulteteve dhe katedrave të Universitetit të Tetovës.

Edhepse Universiteti i Tetovës, pak nga pak zhvillohej, Qeveria e Socialdemokratëve, vazhdonte të mbajë qëndrim injorues ndaj institucionit të lartë arsimor në gjuhën shqipe.

Në vitin 1996, në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, u bënë zgjedhjet lokale, për pushtetin e vetëadministrimit lokal. Në këto zgjedhje, në shumicën e komunave më të rëndësishme, ku dominonin shqiptarët, fituan përfaqësuesit e Partisë për Prosperitet Demokratik Shqiptar, e cila në platformën e vet, për prioritet kishte edhe zyrtarizimin e Universitetit të Tetovës. Andaj, kryetarët e komunave nënshkruan Deklaratën për Universitetin e Tetovës33.

Në këtë deklaratë thuhet:

për shkak të injorimit permanent, nga pushteti qendror i Republikës së Maqedonisë, kryetarët e komunave të nënshkruara, marrin për sipër zhvillimin dhe ardhmërinë e Universitetit të Tetovës, duke paralajmëruar se në kuadër të pushtetit lokal do të ndërrmeren veprime konkrete për financimin normal të Universitetit, po qe se edhe më tutje nuk financohet nga buxheti i Republikës së Maqedonisë. Po ashtu, komunat marin përsipër që të sigurojnë objekte ose të sigurojnë kushte për ndërtimin e objekteve të kompleksit universitar”34.

Universiteti i Tetovës u bë një realitet i pamohueshëm, i cili ekzistonte si institucion i lartë i arsimit sipëror në gjuhën shqipe, në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Gjatë punës së vet disavjeçare, që nga themelimi, ai krijoi një traditë dhe përvojë në organizimin e procesit mësimoro-shkencor, si dhe shërbimet e tjera të nevojshme për funksionimin normal të tij. Brenda disa viteve, Universiteti i Tetovës, siguroi financimin e përkohshëm, objektet e reja mësimore dhe për nevoja të administratës universitare, pajisjen me mjete të nevojshme për procesin mësimor për punë teorike dhe praktike, laboratorë, kabinete të ndryshme, salla mësimore, si dhe kuadër të rangut universitar dhe literaturë profesionale shkencore. Përpos studimeve themelore, Universiteti i Tetovës, hapi edhe studime të shkallës së tretë, në disa fakultete, që tregon seriozitetin e strukturave udhëheqëse të tij për të krijuar kuadro profesionale të nivelit universitar.

Universiteti i Tetovës e filloi punën me gjashtë fakultete, por, në periudhën vijuese u hapën edhe fakultete të reja, respektivisht 24 degë ose katedra. Me këtë, u rrit edhe numri i studentëve, nga 570, sa ishin në gjeneratën e parë, në 6.200, sa numëronte në vitin akademik 1998/99, gjithashtu, numri i profesorëve të angazhuar, nga 75 u rrit në 35035.

Pas zgjedhjeve të treta parlamentare, në vitin 1998, dhe formimit të Qeverisë së Lupço Georgievskit, në prag të shpërthimit të krizës së Kosovës, Senati i Universitetit të Tetovës, doli me një qëndrim për zyrtarizimin e tij. Në këtë dokument, pasi flitet për historikun e Universitetit të Tetovës, ku jepen edhe arsyet për hapjen e tij dhe të dhënat kryesore për fakultetet dhe numrin e studentëve, nga organi më i lartë i Universitetit, merren Qëndrime, për zyrtarizimin e tij. Në këtë dokument, thuhet:

1. Akti i themelimit dhe aktet e tjera normative të Universitetit të Tetovës, kanë mbështetje ligjore në ligjin ekzistues për arsim të orientuar, i cili është në fuqi dhe në bazë të të cilit është themeluar dhe funksionon Universiteti “Shën Klimenti” në Manastir. Prandaj, verifikimi i zyrtarizimit të UT duhet bërë konform dispozitave të ligjit në fjalë;

2. Zyrtarizimi i UT si institucion privat është i paqëndrueshëm, për shkak se nuk ka bazë ligjore në ligjin ekzistues, i cili nuk parasheh themelimin e institucioneve të arsimit të lartë nga personat juridikë dhe fizikë privat. Një tentim për zyrtarizim të këtillë do të ishte i dëmshëm për kontinuitetin e punës së deritanishme të UT.

3. Zyrtarizimin e UT shohim vetëm si Universitet të tretë shtetëror publik të R. së Maqedonisë. Çdo modalitet tjetër i zyrtarizimit, nuk do të jetë i pranueshëm, po qe se tentohet të zgjidhet në mënyrë parciale e jo në mënyrë të tërësishme;

4. Meqenëse pritet nxjerrja e ligjit të ri për arsim të lartë, konsiderojmë se zyrtarizimi i UT nuk duhet lidhur me ligjin e ri , sepse ai ligj vetëm do të konstatojë funksionimin e institucioneve të këtilla që kanë qenë të themeluara më parë sipas ligjit në fuqi dhe sipas një procedure ligjore që ka paraparë themelimin vetëm të Universiteteve shtetërore, ku hynë edhe Universiteti i Tetovës. Natyrisht se ligji i ri për arsim sipëror do të parasheh edhe themelimin e Universiteteve private dhe do të hap mundësinë që si themelues të jenë personat juridikë dhe fizikë privatë, si dhe do të sjellë edhe inovacione të tjera përkitazi me funksionimin e institucioneve të larta arsimore;

5. Meqë, Universiteti i Tetovës është një institucion i lartë arsimor që “de facto” dhe “de jure” i përket territorit të Maqedonisë, u kushtohet qytetarëve të saj dhe ka bazë juridike të veprimit, atëherë kuptohet vetëvetiu se me zyrtarizmin e këtij Universiteti, shteti maqedonas obligohet që të bëjë edhe financimin e rregullt të tij, t’i sigurojë atij objektet mësimore, administrative dhe objektet e tjera ndihmëse, si dhe të bëjë pajisjen e tyre me inventar dhe me mjete e aparatura të nevojshme për kryerjen e punëve praktike dhe teorike në procesin edukues, mësimor dhe shkencor;

6. Lidhur me financimin dhe ngritjen e objekteve universitare të UT, ato duhet bërë nga buxheti shtetëror. Mirëpo, për mënyrën e realizmit të tyre, nuk përjashtojmë mundësinë që në fazën e parë financimi të bëhet pjesërisht nga pushteti qendror dhe pjesërisht nga pushteti lokal, të cilit qeveria do t’ia kishte bartur këtë kompetencë, sepse edhe ashtu pushteti lokal komunal sot bën financimin e UT me anë të “njëmarkëshit mujor”, ndonëse jo në mënyrë zyrtare. Megjithatë, kjo do të kishte qenë një zgjidhje financiare e përkohshme, e cila më për së afërmi do të definohej me një akt special të Qeverisë;

7. Për sa u përket propozimeve të z. Van Der Shtul, gjoja për zgjidhjen e problemit të arsmit të lartë të shqiptarëve në Maqedoni, siç janë ato për një Universitet shqiptaro-amerikan ose për një Kolegj universitar shqip-maqedonisht-anglisht e të tjera të ngjajshme, për momentin e sotëm, kur ende injorohet Universiteti i Tetovës, asnjë variant i këtillë shkollor nuk vjen parasysh, sepse të gjitha këto variante e të tjera si këto, që eventualisht mund të dalin në skenën politike maqedonase nga kushdoqoftë, kanë për qëllim rrënimin e këtij Universiteti36.

Me këtë dokument u sugjerohej subjekteve politike shqiptare që t’i ndërpresin kontaktet dhe bisedat me z. Maks Van Der Shtul, për variantet e tij për arsimin sipëror, të cilat konsideroheshin si qëllimkëqija dhe tejet të dëmshme për kauzën e zyrtarizmit të Universitetit të Tetovës 37.

Një vit më vonë, përkatësisht më 13 qershor, 2000, pas përfundimit të krizës së Kosovës, përmes një Deklarate të nënshkruar nga subjekte politike dhe jo politike si dhe bashkësitë fetare islame në Ish Republika Jugosllave të Maqedonisë, u kërkua nga qeveria e Maqedonisë, zyrtarizmi i Universitetit të Tetovës, si Universitet i tretë shtetëror, me status të barabartë me dy Universitetet e tjera rajonale në Republikë dhe me finansim nga buxheti i shtetit38. Deklarata kishte për qëllim t’i kundërvihej nismës për hapjen e Universitetit të Europës Jug-Lindore në Tetovë. Në Pikën 2 të Deklaratës sulmohej ashpër udhëheqësia e Partisë Demokratike Shqiptare, e cila në fakt, pas dështimit të bisedimeve me strukturat e Universitetit të Tetovës 39, angazhohej për hapjen e atij Universiteti. Andaj, kreu i Partisë Demokratike Shqiptare nuk e nënshkruajti këtë deklaratë40.

Universiteti i Europës Juglindore

Angazhimi i faktorit politik shqiptar në qeveri u kurrorëzua me themelimin e Universitetit të Europës Juglindore në Tetovë. Për këtë institucion të lartë arsimor në fillim nuk ekzistonte as ligji, as lokacioni dhe as që ishin formuar fondet financiare ndërkombëtare. Por, shumë shpejt u soll Ligji për arsim të lartë, u gjet lokacioni i përshtatshëm dhe filluan të tubohen mjetet financiare. Gjenerali i njohur, Uesli Klark, kumtoi se Qeveria amerikane ka ndarë 5 milionë dollarë amerikanë për themelimin e Universitetit të Europës Juglindore41. Akti themelues i këtij Universiteti u nënshkruajt në Tetovë, më 19 Nëntor, 2001, nënshkruar nga Maks Van Der Shtul, kryetar i Fondacionit ndërkombëtar dhe Zamir Dika, kryetar i Fondacionit të Universitetit. Në këtë dokument thuhet:

Në pajtueshmëri me Ligjin për arsimin e lartë të Republikës së Maqedonisë, Këshilli i Fondacionit të Universitetit të Evropës Juglindore, në Cirih (“Fondacioni ndërkombëtar”), në pajtueshmëri me Marrëveshjen e 19 Nëntorit, 2001 me Fondacionin e Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë (“Fondacioni i Universitetit”), me ndërmjetësim të Këshillit të përbashkët, si themelues, e themeloi UEJL në Republikën e Maqedonisë, si institucion i lartë arsimor privat, i cili merret me veprimtari arsimore dhe hulumtuese shkencore42.

Universiteti i Europës Juglindore ishte një arritje e madhe për çështjen e arësimit sipëror në gjuhën shqipe, në IRJM. Megjithatë, Universiteti i Europës Juglindore nuk i plotësonte të gjitha nevojat për arësimim të shqiptarëve në këtë vend.

Ndërkaq, Universiteti i Tetovës vazhdoi të funksionojë, si më parë, për të pritur momentin e përshtatshëm për zyrtarizim të tij.



22 Hajrulla Koliqi, Historia e Arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar, Prishtinë, 2002, 495

23 Po aty, 496.

24 >>Flaka e vëllazërimit<<, “U rrënuan pjesët e egra të Universitetit”, 15 dhjetor, 1994, 2.

25 Vendimi për themelimin e Universitetit me mësim në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë, 17 dhjetor 1994, Tetovë, nënshkruar nga prof. dr. Fadil Sulejmani. (Origjinali ruhet në Arkivin e administratës së Universitetit të Tetovës, në Tetovë ).

26 Po aty, neni 2 i aktvendimit.

27 Po aty, neni 3.

28 Po aty, neni 6.

29 Po aty, neni 8 dhe 11.

30 >>Flaka e vëllazërimit<<, “U themelua Universiteti shqip”, 17 dhjetor, 1994.

31 The George Washington University, February 10, 1995. Dokumenti i nënshkruar nga Dr. Fadil Sulejmani dhe Dr. Constantine Menges. ( Ruhet në Arkivin e administratës së Universitetit të Tetovës).

32 “Deklaratë e bashkëpunimit midis Universitetit të Tetovës dhe Universitetit të Prishtinës”, 2 qershor, 1996, nënshkruar nga Rektori i Universitetit të Prishtinës, Prof. Dr. Ejup Statovci dhe Prof. Dr. Fadil Sulejmani. (Ruhet në Arkivin e administratës së Universitetit të Tetovës).

33 Deklarata për Universitetin e Tetovës, Tetovë, 27 maj, 1997. Deklarata është e nënshkruar nga: Alajdin Demiri, kryetar i komunës së Tetovës; Rufi Osmani, kryetar i komunës së Gostivarit; Qemal Xhafa, kryetar i komunës së Dibrës; Raif Kamberi, kryetar i komunës së Negotinës-Polog; Remzi Abdullai, kryetar i komunës së Vrapçishtit; Emshi Ejupi, kryetar i komunës së Çegranit; Sefer Elmazi, kryetar i komumës së Sërmnovës; Bajram Hajrullahu, kryetar i komunës së Vrutokut; Fadil Bajrami, kryetar i komunës së Osllomesë; Rufat Iseni, kryetar i komunës së Zajazit; Vait Saiti, kryetar i komunës së Likovës; Mahir Pollozhani, kryetar i komunës së Dollogozhdës; Sevdi Kaba, kryetar i komunës së Veleshtës; Jakup Qazimovski, kryetar i komunës së Labunishtës; Vebi Ismaili, kryetar i komunës së Xhepçishtit; Llokman Elezi, kryetar i komunës së Tearcës; Abdylvehap Iljazi, kryetar i komunës së Kamjanit dhe Vebi Xhemaili, kryetar i komunës së Bogovinës; Muzafer Demiri, kryetar i komunës së Shipkovicës; Rametulla Ejupi, kryetar i komunës së Zhelinës; Naser Hamidi, kryetar i komunës së Sarajit; Murat Ajdini, kryetar i komunës së Haraqinës; Imerali Gjureci, kryetar i komunës së Kondovës; Eshtref Iseni, kryetar i komunës së Studeniçanit dhe Qani Mersimi, kryetar i komunës së Zhitoshës. (Ruhet në Arkivin e administratës së Universitetit të Tetovës).

34 Po aty, Deklarata.për Universitetin e Tetovës.

35 Dokumenti, “Qëndrimi i Senatit të Universitetit të Tetovës për zyrtarizimin e tij”, Tetovë, 29 shkurt,, 1999. (Dokumenti origjinal ruhet në Arkivin e administratës së Universitetit të Tetovës).

36 Po aty.

37 Po aty, “Qëndrimi i Senatit të Universitetit të Tetovës për zyrtarizmin e tij”, paragrafi i fundit, 29 shkurt, 1999, Tetovë.

38 “Deklarata për zyrtarizim dhe financim shtetëror të Universitetit të Tetovës” Pika 1, 13 qershor, 2000, nënshkruar dhe vulosur nga: Partia për Prosperitet Demokratik, Aleanca Demokratike Shqiptare, Partia Republikane e Unitetit Popullor, Partia e Aksionit Demokratik – Rruga e vërtetë,Lidhja e Gruas Shqiptare në Maqedoni, Forumi Demokratik për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Maqedoni – Gostivar, Shoqata e Mjekëve, Stomatalogëve dhe Farmaceutëve, Shoqata e të Burgosurve Politikë Shqiptarë, Lidhja e Arsmitarëve Shqiptarë, Bashkësia Islame në Maqedoni, Bashkësia Islame Bektashiane, Partia e Bashkimit Demokratik Shqiptar, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptarë, Unioni i Inteligjencës Shqiptare në Maqedoni, Organizata Humanitare “El- Hilal” dhe Partia Demokratike Kombëtare. (Dokumenti ruhet në Arkivin e Universitetit të Tetovës).

39 “Raportin e punës” të Kongresit të Tretë të Partisë Demokratike Shqiptare thuhet, se: Që në prag të zgjedhjeve PDSH u mor vesh me partnerët e ardhshëm të koalicionit për zgjidhje definitive të çështjes së arsimit sipëror në gjuhën shqipe. Kur u hapën bisedimet me faktorin maqedonas dhe me atë ndërkombëtar u pa qartë se tashmë problemi ishte bërë i dyanshëm. Refuzimi represiv i qeverisë së mëparshme të Maqedonisë për të zyrtarizuar Universitetin e Tetovës, artificialisht, krijoi mundësi që udhëheqja e punëve të UT të zhvillohet pa kontroll shoqëror, që si formë nuk ekziston askund në botë. E vetmja mundësi për kontroll shoqëror mbi udhëheqjen dhe afarizmin e këtij Universiteti ishte pjesëmarrja e subjekteve politike në procesin e vendimmarrjes, pra në Senat të Universitetit. Me përjashtimin e subjekteve politike nga Senati u hap shtegu për forma absolutiste, autarkike në menaxhimin e këtij institucioni. Gjatë bisedimeve u pa qartë se nuk ishte problem zyrtarizimi, as çështja e studentëve, por absolutizmi, pa kurrfarë kontrolli shoqëror në udhëheqje të këtij institucioni. Duke mos dashur që të hapim konfrontime të deimbshme, të pa kontrolluara brenda korpusit shqiptar u mor vendimi për themelim të një Universiteti të ri me standarde europiane. Kongresi i Tretë i PDSH, mbajtur më 12 korrik, 2003, në Tetovë,

40 Sqarim: Në “Deklaratën për zyrtarizim dhe financim shtetëror të UT”, vendi me No. 5 që shkruan emri i Partisë Demokratike Shqiptare, nuk është i nënshkruar dhe as i vulosur.

41 Kongresi i Tretë i PDSH, “Raporti i punës”. (Ruhet në Arkivin e PDSH, në Tetovë.

42 Akti themelues i Universitetit të Europës Juglindore, me nr. protokolli 01-133/1, 19. 11. 2001. (Dokumenti ruhet në Arkivin e administratës së Universitetit të Europës Juglindore, në Tetovë).

Arkivi