ZHVILLIMET POLITIKO-SHOQËRORE TE SHQIPTARËT NË MAQEDONI 1990 - 2001

Lufta Çlirimtare e Kosovës - 1999

Lufta Çlirimtare e Kosovës - 1999

Zhvillimi i ngjarjeve në IRJM

Kosova ose hapësirat e banuara me shqiptarë etnikë qysh në kohën e Luftës së Parë Ballkanike (1912, u pushtuan nga Serbia dhe Mali i Zi. Konferenca e Londrës (1913) këto troje shqiptare i la jashtë kufijve të Shqipërisë së pavarur.

Lufta e Parë Botërore dhe Konferenca e Paqes së Parisit (1919), nuk e zgjodhi çështjen e Kosovës, por ate e la nën pushtetin e Serbisë dhe Mbretërisë së Jugosllavisë, e cila sapo u krijua mbi gërmadhat e Austro-Hungarisë.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria dhe pjesa më e madhe e Kosovës u pushtuan nga Italia dhe Gjermania fashiste. Shqiptarët, në përgjithësi, morën pjesë aktive në Luftën Antifashiste me premtim se do të fitojnë të drejtën e vetëvendosjes. Komunistët jugosllavë, jo që nuk u lejuan shqiptarëve të drejtën e vetëvendosjes, por e copëtuan hapësirën kompakte shqiptare në më shumë njësi federale të Jugosllavisë socialiste, ndërsa Kosovën e zvogëluar, përmes administrimit ushtarak e detyruan të hyjë në përbërje të Serbisë, me një status të autonomisë së kufizuar.

Prishja e marrëdhënieve, Shqipëri-Jugosllavi (1948), e keqësoi edhe më tepër pozitën e shqiptarëve në Jugosllavinë socialiste.

Më 1968 shqiptarët në Jugosllavi u çuan në demonstrata, duke kërkuar përdorimin e simboleve kombëtare (flamurin kombëtar), ngritjen e statusit të Kosovës në Republikë, Universitetin në gjuhën shqipe dhe Kushtetutë të re. Komunistët jugosllavë nën presionin e demonstratave shqiptare u detyruan të lejojnë hapjen e Universitetit të Kosovës (1970), përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar, ndërsa Kosova me ndryshimet kushtetuese të vitit 1974, fitoi statusin e njësisë konstituive të Federatës jugosllave. Mirëpo, edhepse zhvillimet politike i avancuan disa të drejta të shqiptarëve, Kosova nuk fitoi statusin e Republikës dhe shqiptarët nuk fituan statusin e kombit, duke u llogaritur edhe më tutje si “pakicë” apo siç ishte zakon i komunistëve që shqiptarët t’i quanin “kombësi”.

Në Pranverë 1981, rinia studentore dhe populli shqiptar përsëri u çuan në demonstrata. Kërkesa kryesore e demonstruesve ishte, Kosova-Republikë. Komunistët jugosllavë, këtyre kërkesave të popullit shqiptar iu përgjigjën me dhunë ushtarako-policore, duke vendosur gjendje të jashtëzakonshme. Ngjarjet e Pranverës së vitit 1981, u cilësuan si “kundërrevolucion” dhe mbi bazë të kësaj platforme u ndërtua tërë politika antikosovare dhe antishqiptare në Jugosllavinë socialiste. Dhuna dhe terrori shtetëror kundër shqiptarëve ishte karakteristikë e të gjitha periudhave, por në veçanti të periudhës së viteve 1981-1990.

Me daljen në skenë të pluralizmit politik, Jugosllavia socialiste shkonte rrugës së shpërbërjes së saj. Në këtë kohë, Kuvendi i Kosovës, më 2 korrik 1990, e shpalli “Deklaratën Kushtetuese” për pavarësinë e Kosovës, ndërsa më 7 shtator, 1990, në Kaçanik u shpall Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Më 26-30 shtator, 1991, populli shqiptar i Kosovës u deklarua për shtet sovran dhe të pavarur. Më 24 maj, 1992, në Kosovë u zhvilluan zgjedhjet e para parlamentare, të cilat i fitoi Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërsa Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh president i parë i Kosovës së pavarur.

Zhvillimet e reja politiko-shoqërore në Kosovë, gjatë tërë periudhës së pluralimit politik u shoqëruan me dhunë policoro-ushtarake, vrasje dhe tortura të përditëshme të shqiptarëve. Gjendja e popullit shqiptar dita-ditës bëhej më e padurueshme. Në nëntor, 1997, në një ceremoni varrimi, të mësuesit të vrarë nga policia serbe, për herë të parë publikisht u paraqit në skenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Lufta për çlirimin e Kosovës nga pushteti okupues serb filloi në Prekaz të Drenicës, më 28 shkurt, 1998, kur Adem Jashari dhe fisi Jasharaj filloi rrezistencën e armatosur kundër policisë dhe ushtrisë serbe. Pas këtij momenti lufta heroike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u përhap në tërë Kosovën dhe zgjati deri në çlirimin përfundimtar të saj nga okupatori serb.

Pas tragjedisë së madhe në Bosnjë-Hercegovinë, forcat demokratike dhe progresive në botë, nuk mund të rrinin anash zhvillimeve të ngjarjeve në Jugosllavi. Andaj, me të filluar kriza e Kosovës, ato u detyruan të intervenojnë kundër makinerisë shkatërrimtare të soldateskës serbe të Millosheviqit. Bota përparimtare nuk mund të lejonte edhe një tragjedi të re, si ajo e Bosnjë-Hercegovinës. Më 24 mars, 1999, të gjithë kanalet televizive botërore, si “CNN”, “Euro News”, “RTL”, “Rai”, “Italia” etj, njoftuan mbi fillimin e bombardimeve nga ana e NATO mbi Jugosllavinë. Sipas lajmeve, sulmet filluan rreth orës 19.40 – 20.00. Të nesërmen, në mëngjes, radio “Zëri i Amerikës” informonte mbi bombardimet në Beograd, Novi Sad, Nish, Podgoricë, etj27.

Pas bombardimeve të para të NATO mbi Jugosllavi, në Kosovë filloi hakmarrja e forcave militare serbe. Mijëra kosovarë të të gjitha rretheve të ndryshme të Kosovës u përzunë me dhunë nga vatrat e tyre shekullore drejt Shqipërisë dhe Maqedonisë. Ky proces kishte për qëllim pastrimin etnik të Kosovës.

Numri më i madh i kosovarëve, të dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre, ishte nisur në dy drejtime, drejt Shqipërisë dhe drejt kufirit të IRJM. Por, kalimi në këtë të fundit u vështirësua tejmase, sidomos në kufirin e Bllacës. Qarqet e caktuara maqedonase përpiqeshin të mbajnë kufirin të mbyllur, gjë që e revoltoi faktorin politik shqiptar. Qarqet e këtilla udhëhiqeshin nga presidenti aktual, Kiro Gligorov. Ai, në këto momente të rënda për popullin e dëbuar kosovar, e mblodhi Këshillin për Siguri Kombëtare dhe mori vendim, në emër të sigurisë, që t’i mbyllë kufijtë hermetikisht. Ky vendim në fakt e prodhoi “Bllacën” dhe të gjitha malltretimet e kosovarëve në kufij28. Ndërkohë, në kohën e krizës kosovare, u mbajtë takimi Klinton-Gligorov, në Uashington, në të cilin presidenti amerikan e kritikon ashpër presidentin maqedonas, për qëndrimin jomiqësor ndaj kosovarëve29.

Numri i madh i të dëbuarve nga Kosova në IRJM filloi të regjistrohet qysh më 2 mars, 1999. Sipas evidencës së Kryqit të Kuq të Tetovës, në këtë datë ishin regjistruar rreth 1.547 persona, të cilët vendoseshin kryesisht nëpër familjet shqiptare30. Me fillimin e bombardimeve të NATO mbi Jugosllavi, numri i të dëbuarve nga Kosova rritej në mënyrë rapide. Më 26 mars, 1999, numri arriti në 13.626 persona31.

Nga 1 prilli, 1999, filloi kolona e gjatë e të dëbuarve nga Kosova që hynin në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Një ditë më vonë, ky numër, sipas Shoqatës humanitare “El Hilal”, arriti në 50.000 persona, të vendosur në Kumanovë, Shkup, Tetovë dhe Gostivar32. Më 16 prill, Ministria e Punëve të Brendshme të Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë kishte regjistruar numrin e përgjithshëm të të dëbuarve nga Kosova, që kishin hyrë në IRJM, prej 122.895 persona33. Më 27 prill, ky numër u rrit në 180.00034.

Text Box: Kampet e refugjatëve në Maqedonim@4@5l@4@11@9@11@9@5xe" o:spt="75" coordsize="21600,21600" stroked="f" filled="f" o:preferrelative="t"> file:///C:\DOCUME~1\ADMINI~1\LOCALS~1\Temp\msohtml1\04\clip_image005.jpg">>

Gjatë majit 1999, me intensitet të shtuar vazhdonte të rritej numri i të dëbuarve kosovarë që hynin në IRJM. Më 3 maj, Ministria e Punëve të Brendshme, informonte se në IRJM janë vendosur 221.000 të dëbuar nga Kosova35. Një ditë më vonë filloi një valë e re e të dëbuarve. Sipas informatave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, numri i përgjithshëm tani më kishte arritur në 224.357 persona36. Informatat e përditshme të organizatave humanitare, të vendit dhe ato të jashtme, si dhe të organeve shtetërore të Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, informonin se numri i të dëbuarve vazhdimisht rritej edhe gjatë gjysmës së dytë të Majit 1999. Sipas “Radio Internacional” të 28 majit, 1999, vazhdonte hyrja e kosovarëve në IRJM. Sipas saj, numri i përgjithshëm kishte arritur në mbi 250.000 persona37.

Edhe gjatë muajit qershor të v. 1999, në IRJM hyrën një numër i madh i të dëbuarve kosovarë. Kështu numri i përgjithshëm i shqiptarëve dhe i të gjithë të dëbuarve nga Kosova, që hyrën në IRJM arriti në 379.523 persona. Prej tyre 92.100, u transferuan nëpër vende tjera, 154.989, u vendosën nëpër familjet e shqiptarëve të IRJM, ndërsa 112.434 persona u vendosën nëpër kampet speciale, që u ndërtuan apostafat, nga fillimi i krizës kosovare38.

Gjatë kohës së krizës kosovare, Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë ndërtoi kampe speciale për të dëbuarit kosovarë. Gjithsej u ndërtuan nëntë kampe: kampi i Bllacës39, kampi i Stenkovcit 1 dhe Stenkovcit 2, në të cilët u vendosën rreth 79.000 persona40, kampi i Neproshtenit, rreth 6.80041, kampi i Senokosit, rreth 6.50042, kampi i Çegranit, rreth 69.00043, kampi i Bojanës, rreth 5.80044 dhe kampi i Radushës, në të cilin u vendosën rreth 5.000 persona të dëbuar45.

Më në fund, më 9 qershor, 1999, pas miratimit të rezolutës në OKB, për ndërhyrje të forcave ndërkombëtare në Kosovë, nën komandën e NATO, u nënshkrua marrëveshja paqësore midis gjeneralit Xhekson dhe gjeneralëve serbë46. Sipas “Zërit të Amerikës”, pritej që 50.000 trupa ushtarake të NATO të hyjnë në Kosovë.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, përmes “Zërit të Amerikës”, u dëgjua mesazhi historik i kryetarit të SHBA, drejtuar popullit shqiptar të Kosovës, Bill Klintonit:

“Ju do të ktheheni në shtëpitë tuaja. Ju do të keni shkollat tuaja dhe do të ushtroni fenë tuaj. Ju do të zgjidhni udhëheqësit që dëshironi dhe do të vendosni vetë të ardhmen tuaj. Ju nuk do t’i paguani taksa Jugosllavisë. Ju nuk do t’i çoni djemtë tuaj ushtarë për Jugosllavinë. Ju do të keni si monedhë tuajën markën ose dollarin” 47.

Meritë të veçantë historike, për zbutjen e pasojave të krizës së Kosovës, pa dyshim kishin shqiptarët e IRJM. Në këta momente të rënda historike, shqiptarët nuk kursyen asgjë për të ndihmuar vëllezërit nga Kosova. Në fakt, Kosova dhe kosovarët, gjatë tërë historisë më të re kombëtare, ishin sakrifikuar më shumë se kushdo tjetër, andaj Kosova dhe kosovarët e meritonin ndihmën dhe ngrohtësinë mbarëkombëtare.

Shqiptarët e IRJM gjatë krizës së Kosovës hynë në radhët e popujve që dhanë më së shumti kontribut në zgjedhjen e çështjes së Kosovës. Nën presionin e popullit shqiptar dhe faktorit politik të tij, Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, përveç numrit të madh të të dëbuarve kosovarë, të cilët u mbajtën kryesisht afër kufijve me Kosovën, IRJM u detyrua të pranojë më shumë se 20.000 trupa ushtarake të NATO, të cilët këtu u përgatitën për misionin paqësor në Kosovë48. Ishte kjo një ndihmesë e madhe për tërë rajonin, e në veçanti për Kosovën dhe kombin shqiptar në tërësi.

file:///C:\DOCUME~1\ADMINI~1\LOCALS~1\Temp\msohtml1\04\clip_image012.jpg">>

Zgjedhjet presidenciale dhe lokale në IRJM

(1999-2000)

Humbja e Lidhjes Socialdemokrate në zgjedhjet e treta parlamentare nuk shënoi fundin e politikës së tyre, ngase në krye të IRJM ndodhej ideologu kryesor i politikës tetëvjeçare të tyre, Kiro Gligorovi. Gligorovi u zgjodh kryetar i IRJM që nga shpallja e pavarësisë së saj dhe qëndroi deri në përfundim të Luftës së Kosovës, më 1999. Gjatë tërë mandatit të tij, politika e Gligorovit është përshkruar me karakter të theksuar nacionalist pansllavist. Më 1999 ai doli hapur me idenë fashizoide për “korridorin” përmes të cilit synonte t’i transportojë kosovarët sa më larg IRJM dhe Kosovës. Por, duke falënderuar forcat demokratike dhe liridashëse në botë, ëndrra antikosovare e Gligorovit nuk u realizua. Në verë të vitit 1999, refugjatët kosovarë u kthyen në trojet e tyre shekullore, në Kosovën e lirë.

Më 9 gusht, 1999, kryetari i Kuvendit të IRJM solli vendim për shpalljen e zgjedhjeve për kryetar të Republikës. Këto zgjedhje u caktuan për datën 31 tetor, 199949.

Në këto zgjedhje presidenciale konkuruan kandidatë maqedonas dhe shqiptarë. Forcat e majta politike maqedonase për kandidat presidencial nominuan T. Petkovskin, forcat e djathta politike, B. Trajkovskin. Forcat politike shqiptare dolën në këto zgjedhje me kandidatët e tyre, Partia Demokratike Shqiptare me M. Nexhipin, ndërsa Partia për Prosperitet Demokratik, M. Halilin. Ishte shumë e qartë se forcat politike shqiptare në këto zgjedhje luftonin për prestigj dhe për të testuar veten tek elektorati shqiptar.

Në taborin shqiptar kandidati i Partisë Demokratike Shqiptare, M. Nexhipi korri fitore bindëse, por kjo nuk mjaftonte për të marrë pjesë në garrën e mëtutjeshme, në rrethin e dytë zgjedhor.

Në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të vitit 1999, shumica dërmruese e elektoratit shqiptar u përcaktua për politikën reformuese të forcave të djathta politike që përfaqësohej nga B. Trajkovski. Por, nuk mund të anashkalohet dilema, pse elektorati shqiptar nuk e mbështeti kandidaturën e T. Petkovskit, i cili kishte mbështetjen e shumicës maqedonase. Arsyet janë të shumta, por do të përmend vetëm ato më kryesoret:

  1. Strukturat politike që e mbështetnin kandidaturën e Petkovskit, në IRJM, ngritën sistemin diskriminues dhe shtypës për popullin shqiptar;
  2. T. Petkovski paguante harraçin e politikës së gabuar të kryetarit Gligorov, kundrejt shqiptarëve dhe;
  3. T. Petkovski doli në këto zgjedhje me platformë të hapët nacionaliste dhe albanofobe duke sharë dhe fyer çdo gjë shqiptare.

Gjatë fushatës elektorale ai deklaroi publikisht se: “nuk i do votat e shqiptarëve, pasi që nuk dëshiron të bëhet tradhëtar, por kryetar i Maqedonisë”50. Mesazhi i drejtpërdrejtë i tij drejtuar maqedonasve ishte: “populli maqedonas duhet të jetë i vetëdijshëm se fatin e vet nuk duhet lëshuar në duart e shqiptarëve, pasi që kryetari i ardhshëm i cili do të zgjidhet me ato vota nuk do të jetë legjitim”51. Pra, ishte shumë e logjikshme se elektorati shqiptar do të votojë për kandidatin tjetër, si rezultat i albanofobisë së T. Petkovskit.

Populli shqiptar i IRJM, në zgjedhjet presidenciale të vitit 1999, tregoi forcën e madhe si faktor shumë i rëndësishëm politik, që nuk guxon të injorohet, sepse mund të ndikojë drejtëpërdrejtë edhe për zgjedhjen e kryetarit të shtetit.

Një vit më vonë, në IRJM u zhvilluan zgjedhjet për pushtetin lokal. Forcat politike shqiptare që konkuronin në këto zgjedhje ishin Partia Demokratike Shqiptare dhe Partia për Prosperitet Demokratik. Zgjedhjet kaluan në atmosferë të qetë dhe demokratike. Në këto zgjedhje, Partia Demokratike Shqiptare fitoi shumicën e kryetarëve të komunave me popullatë shqiptare në IRJM, gjithsej 23 kryetarë dhe 287 vende të këshilltarëve komunal, ndërsa Partia për Prosperitet Demokratik fitoi 3 kryetarë të komunave dhe 123 vende këshilltarësh52.



27 Arben Kondi, Krimi i fundshekullit, Tiranë, 2003, 6.

28 “Raporti i punës”, i Kongresit II të Partisë Demokratike Shqiptare, Tetovë, 30-31 korrik, 1999. Në IRJM u organizuan protesta masive dhe brutale antishqiptare dhe anti NATO. Presidenti Gligorov e kritikonte zëshëm qeverinë VMRO-PDSH, pse ka lejuar shfrytëzimin e hapësirës ajërore të Maqedonisë, nga ana e NATO.

29 Arben Kondi, Krimi i fundshekullit, Tiranë, 2003, 45.

30 Republika Makedonija i begalskata kriza ’99, Skopje 2000, 16.

31 Po aty, 23.

32 Po aty, 26.

33 Po aty, 37.

34 Po aty, 49.

35 Po aty, 54.

36 Po aty, 54.

37 Arben Kondi, Krimi i fundshekullit, Tiranë, 2003, 125.

38 Po aty, 187.

39 Bllaca – ishte kampi më i madh në hyrje të IRJM prej nga të ikurit nga Kosova hynin në Maqedoni. Ky kamp shfrytëzohej për vendosje të përkohshme të të ikurve, prej nga më vonë bëhej shpërndarja e të ikurve nëpër kampe tjera ose nëpër familjet shqiptare. ( Republika Makedonija i begalskata kriza ’99, 187).

40 Kampi Stenkovci 1 dhe Stenkovci 2 ishin të vendosur në rrugën Shkup-Kaçanik, drejt Bllacës. ( Po aty, 187).

41 Kampi i Neproshteni ishte i vendosur katër kilometra në verilindje të Tetovës, në rrugën Tetovë-Jazhincë. (Po aty, 187).

42 Kampi i Senokosit ishte i vendosur në fshatin Senokos, në rrugën që lidh fshatrat e rrëzës së Sharrit, në mes Tetovës dhe Gostivarit. ( Po aty, 188)

43 Kampi i Çegranit ishte i vendosur në rrëzët e Malit të Thatë, rreth fshatrave Çegran dhe Forinë, katër kilometra larg Gostivarit. (Po aty, 188).

44 Kampi i Bojanës ishte i vendosur në veri të rrugës Shkup-Tetovë, afër fshatit Bojanë.(Po aty, 188).

45 Kampi i Radushës është ndërtuar afër fshtatit Radushë, të Shkupit (Po aty, 188).

46 Arben Kondi, Krimi i fundshekullit, Tiranë, 2003, 152.

47 Po aty, 156.

48 Republika Makedonija i begalskata kriza ’99, 187.

49 Vendimi për shpalljen e zgjedhjeve për kryetar të RM-së, nr. 08-3290/1, Sluzhben vesnik na Republika Makedonija, br. 51, 9 avgust, 1999.

50 >>Flaka<<, “Në skenë nacional-socializmi dhe shovinizmi i Titos”, 19 nëntor, 1999.

51 >>Flaka<<, po aty.

52 Drzhavna izborna komisija, Lokalni izbori 2000, “Oficijalni rezultati od glasanjeto za izbor na gradonaçalnik i çlenovi na Sovetot na opshtinite i gradot Skopje”, Skopje, april, 2001, g. 49

Arkivi