ZHVILLIMET POLITIKO-SHOQËRORE TE SHQIPTARËT NË MAQEDONI 1990 - 2001

Vlimet brenda subjektit politik shqiptar

Vlimet brenda subjektit politik shqiptar

Gjatë vitit 1992, Maqedonia, pak nga pak ngrihej si shtet i pavarur nacional maqedonas duke hyrë në fazën e njohjes ndërkombëtare. Në këtë fazë Maqedonia i kishte rrumbullakësuar shumë procese, sidomos në planin e brendshëm ajo e kishte përfunduar procesin e formësimit të vet si shtet, përmes tri akteve të rëndësishme: Deklaratës së pavarësisë; Referendumit për shtet sovran; dhe Kushtetutës. Njëkohësisht ajo kishte ngritur institucionet shtetërore, si: Parlamentin; Presidencën; dhe Qeverinë. Shtrohet pyetja, se ç’bënte faktori politik shqiptar në këtë fazë të zhvillimeve politike në Maqedoni? Faktori shqiptar, Partia për Prosperitet Demokratik, që përfaqësonte shumicën e popullit shqiptar në Maqedoni, mbeti në margjina të zhvillimeve politike. Një situatë e këtillë ishte rrjedhojë e dy faktorëve kryesorë: nacionalizmit të shfrenuar maqedonas dhe mendësisë së vjetër sllavo-komuniste dhe rrjedhojë e pavendosmërisë dhe dobësisë së brendshme të faktorit poltik shqiptar që kishte marrë verdiktin e popullit shqiptar në Maqedoni. Pra, në këtë fazë historike shqiptarët e Maqedonisë nuk ishin faktor vendimmarrës për çështjet që kishin të bëjnë me fatin e shtetit të sapoformuar ose të fatit të vet si popull. Suksesi i vetëm ishte pjesëmarrja e disa ministrave në Qeverinë e Klusevit. Në këto rrethana u mbajt Kongresi i Parë i partisë më relevante në Maqedoni, Partisë për Prosperitet Demokratik84.

Kongresi i Parë i Partisë për Prosperitet Demokratik ishte i mirëseardhur për dy çështje të rëndësishme: e para për të analizojë zhvillimet politike në Maqedoni në fazën paraprake dhe mbi bazë të këtyre analizave të përcaktohej çështja e dytë, strategjia e veprimit të mëtutjeshëm politik85.

Duke analizuar dokumentet e Kongresit të Partisë për Prosperitet Demokratik mund të shihet qartë se në ekspozenë e kryetarit të kësaj partie, z. N. Halili flitet për themelimin e partisë, për raportet e saj me partitë maqedonase, për pjesëmarrjen në zgjedhjet e para shumëpartiake, për moslejimin e funksionimit të Kuvendeve komunale të konstituuara në Tetovë dhe Gostivar, për përfaqësimin e shqiptarëve në qeveri vetëm me një ministër, për takimet e shumta dhe të pasuksesshme me udhëheqësit republikanë, për bashkëpunimin si dhe për kontaktet me partitë kosovare dhe ato të Shqipërisë, për veprimtarinë e Grupit parlamentar shqiptar86 dhe çështje tjera shoqëroro-politike.

Gjatë punimeve të këtij Kongresi pasuan diskutime të ashpëra dhe polemizuese të delegatëve për shumë çështje të zhvillimeve politike në Maqedoni. Me këtë rast, në Kongres u pa se brenda Partisë për Prosperitet Demokratik dominojnë dy vija kontradiktore: vija e parë e arsyetonte miratimin e Deklaratës së pavarësisë së Maqedonisë pa kushtin shqiptar, që zgjidhjen e çështjes shqiptare në Maqedoni e shihnin brenda Republikës së Maqedonisë duke e mbështetur edhe referendumin maqedonas dhe miratimin e kushtetutës87. Ndërkaq, vija tjetër e kundërshtonte miratimin e Deklaratës për Maqedoninë sovrane, miratimin e kushtetutës dhe që angazhoheshin për jetësimin e referendumit për Autonomi politiko-territoriale të shqiptarëve në Maqedoni, që zgjidhjen e çështjes shqiptare në Maqedoni gjithashtu e shihnin brenda Maqedonisë së pavarur, por në një Maqedoni binacionale ose federale.

Këto kundërthënie me kalimin e kohës u bënë gjithnjë e më të theksuara dhe përfunduan me ndarjen në dy parti politike, gjë që do të ndodhë pak më vonë.

Kongresi i Parë i Partisë për Prosperitet Demokratik nuk e përcaktoi qartë opcionin e veprimit të mëtutjeshëm, por lejoi që edhe më tutje të veprojë politika joparimore për çështje të interesit fundamental të shqiptarëve në Maqedoni88. Shikuar nga këndi historik, Kongresi nuk e arsyetoi veten, sepse nuk e definoi qartë strategjinë e veprimit politik të subjektit shqiptar.

Kongresi nuk arriti ta hartojë platformën politike, rreth së cilës do të silleshin veprimtarët e asaj platforme. Platforma duhej të ishte “bosht” i veprimit politik, sepse mungesa e saj shkaktonte huti në anëtarësi89. Kjo zbrazëtirë lente hapësirë për manipulime dhe veprime të papërgjegjshme politike, të cilat do ta dëmtojnë shumë interesin politik të popullit shqiptar në Maqedoni dhe nga ana tjetër shkaktuan konfuzion dhe thelluan përçarjen në radhët e udhëheqjes politike dhe të anëtarësisë së gjerë.

Sapo përfundoi Kongresi i Parë i Partisë për Prosperitet Demokratik u nënshkrua një marrëveshje për largimin e Ushtrisë jugosllave nga Maqedonia90. Kjo marrëveshje ishte shumë e rëndësishme për shtetin e pavarur të Maqedonisë. Se si janë zhvilluar negociatat në mes të kreut të Armatës jugosllave dhe përfaqësuesëve të Maqedonisë, që sollën deri te kjo marrëveshje, akoma nuk dihet91. Por, sipas kujtimeve të Gligorovit bisedimet fillestare për largimin e Ushtrisë jugosllave nga Maqedonia janë zhvilluar mes tij dhe Shefit të Armatës Popullore Jugosllave, gjeneralit V. Kadieviq. Më pas, për arritjen e marrëveshjes dhe detajeve tjera në Maqedoni, është dërguar gjenerali B. Axhiq. Gligorovi tregon se në këtë marrëveshje ka marrë pjesë: kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, S. Andovi, ministri i Mbrojtjes, T. Gocevski dhe disa gjeneralë maqedonas. Pra, vetë fakti se në këtë marrëveshje nuk mori pjesë asnjë shqiptar, lë hapësirë dyshimi për ndonjë komplot serbo-maqedonas kundër interesave shqiptar92. Gjatë zhvillimit të bisedimeve me kreun ushtarak jugosllav, Gligorovi nuk e pa të arsyeshme të ftojë përfaqësues të shqiptarëve të Maqedonisë, ashtu siç do të veprojë me rastin e pranimit të Maqedonisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, kur duhej të shfaqej para faktorit ndërkombëtar se shqiptarët e Maqedonisë janë pjesëmarrës të procesit për shtet të pavarur të Maqedonisë në Ballkan93. Nga ana tjetër është shumë interesante dhe simptomatike se si u arrit marrëveshja paqësore për largimin e Ushtrisë jugosllave, kur dihet se po kjo ushtri nuk tërhiqej në mënyrë paqësore nga Republika e Sllovenisë apo nga Republika e Kroacisë.

Në ndërkohë krahas projektit të Kuvendit të Autonomisë për ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë, në pranverë të vitit 1992 faktori politik shqiptar, Partia për Prosperitet Demokratik dhe Partia Demokratike Popullore morën një iniciativë të përbashkët për ndërrimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë. Kjo nismë kishte për qëllim final të pengojë proceset e mbrapshta që kishin filluar në Maqedoni, të cilat kurdoherë mund të sillnin deri te konflikti ndëretnik. Në këtë nismë të të dy partive shqiptare u hartua një dokument, ku potencohet përbërja heterogjene shumënacionale dhe konfesionale e shtetit, shpërbërja e Jugosllavisë dhe krijimi i shteteve të reja, si rezultat i vetëvendosjes së popujve, si dhe vullneti politik i popullit shqiptar të Maqedonisë, i shprehur në referendumin e 11 dhe 12 janarit, 199294.

Propozimi për ndërrimin e Kushtetutës ishte e drejtë demokratike e përfaqësuesve të popullit shqiptar që përmes rrugës institucionale të realizojë barazinë nacionale në Maqedoni. Propozim-dokumenti hidhte dritë për realitetin etnik të Maqedonisë. Me këtë propozim shqiptarët e Maqedonisë përmes procedurës parlamentare kërkonin ndërrimin e karakterit nacional-maqedonas të shtetit të Maqedonisë95, me çka do të eliminohej pabarazia institucionale e të gjitha nacionaliteteve që jetonin në këtë shtet të posaformuar96. Faktori shqiptar propozonte parlament dy-dhomësh97, i cili do të siguronte barazinë e plotë të popujve dhe grupeve nacionale etnike, me çka do të pamundësohej majorizmi etnik në Kuvendin republikan.

Nga aspekti historik ky dokument është i rëndësishëm, sepse ishte oferta e parë serioze e faktorit shqiptar për zgjidhje demokratike dhe institucionale të çështjes ndëretnike në Maqedoni.

Ky propozim-dokument u injorua nga faktori maqedonas, gjë që në vazhdimësi do të shkaktonin marrëdhënie të tensionuara ndëretnike në Maqedoni, të cilat kohë pas kohe shpërthenin në kriza të vogla që e rritën pakënaqësinë e shqiptarëve ndaj institucioneve shtetërore.

Por, me kalimin e kohës edhe kjo iniciativë mbeti vetëm ide, sikurse Autonomia politike e shqiptarëve të Maqedonisë, e cila u amortizua për t’u harruar përfundimisht. Anëtarësia e gjerë, pak nga pak, e humbi besimin në subjektin më të fuqishëm politik të tyre, se mund të ndikojë në ndërrimin e statusit politik dhe juridik të popullit shqiptar që jetonte në Maqedoni.



84 Kongresi i Parë i Partisë për Prosperitet Demokratik u mbajt më 8-9 shkurt, 1992, në Tetovë, pas Referendumit për Autonomi politike territoriale të shqiptarëve në Maqedoni dhe pas njohjes së Maqedonisë nga Bullgaria.

85 PPD kishte pretendime të bëhet avangardë për zgjidhjen e çështjes shqiptare në Maqedoni.

86 Sipas “Informatës”, me nr. 0301-262/1, të datës 17. 01. 1992, që ia drejton Kryesisë së PPD dhe Grupit parlamentar të saj, bisedimet me kryetarin dhe nënkryetarin e qeverisë, Nikolla Klusev dhe Bllazhe Ristevskin i ka zhvilluar sekretari i PPD, M. Emini, i cili e njofton organin partiak për kandidatët për ministra dhe zëvendësministra.

87 >>Zëri<<, Nevzat Halili, kryetar i PPD, “Kushtetuta që nuk pranon shqiptarët dhe kërkesa për Autonomi”, Prishtinë, 19 tetor, 1991, 13.

88 “Politika joparimore”, përderisa nga njëra anë kundërshtohej koncepti “Gligorovian” për formimin e shtetit nacional maqedonas me “pakicën” shqiptare në të, nga ana tjetër në vazhdimësi merrej pjesë në qeveritë aktuale maqedonase, si partner i koalicionit qeveritar. Poashtu, manipulohej me popullatën shqiptare, me rastin e përcaktimit të referendumit për Autonomi politike territoriale të shqiptarëve në Maqedoni.

89 Procesverbali me nr. protokolli 0202-311/1, i datës 24 prill, 1992. (Arkivi i PPD Tetovë).

90 >>Nova Makedonija<< e datës 22 shkurt, 1992 njofton për marrëveshjen e nënshkruar midis palës maqedonase dhe përfaqësuesve të Armatës Popullore Jugosllave.

91 Se si është bërë marrëveshja për largimin e Ushtrisë jugosllave nga Maqedonia dhe çka është biseduar në mes udhëheqjes maqedonase dhe kreut ushtarak jugosllav do të mund të dihet kur të hapen arkivat e Maqedonisë.

92 Sqarim: kam parasysh bashkëpunimet maqedonase dhe serbe në lëmin ushtarak në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, kur në emër të shuarjes së kundërrevolucionit në Kosovë morën pjesë bashkërisht formacionet ushtarake serbe dhe maqedonase.

93 Sqarim: kur Maqedonia u pranua në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, më 9 prill, 1993, Gligorovi me vehte mori koordinatorin e Grupit parlamentar shqiptar, z. E. Aliu

94 Dokumenti me nr. protokolli 0202-312/1, “Propozimi i dy udhëheqësive të partive politike shqiptare, PPD dhe PDP, grupit parlamentar për inicim të procedurës për ndryshime në kushtetutën e RM”, 3 maj, 1992. Dokumenti mban vulat e të dy partive politike shqiptare”. ( Arkivi i PDSH, në Tetovë).

95 Po aty, pika 1, thuhet, “Republika e Maqedonisë të jetë shtet demokratik dhe sovran i qytetarëve, popujve të barabartë – maqedonasve, shqiptarëve dhe grupeve nacionale etnike që jetojnë në te, i bazuar në sovranitetin e qytetarëve dhe barabarsinë e popujve, grupeve nacionale dhe etnike”.

96 Po aty, pika 2, thuhet, “Në organet shtetërore të caktuara me Kushtetutë dhe Ligj, sigurohet përfaqësim proporcional i popujve, grupeve nacionale dhe etnike që jetojnë në Maqedoni”.

97 Po aty, pika 3, “Gjatë vendosjes për çështjet qenësore për barazinë e popujve dhe grupeve nacionale e etnike, të pamundësohet majorizimi dhe dominimi përmes instrumenteve adekuate juridiko-kushtetuese, respektivisht aprovimit të sistemit parlamentar dy dhomësh, dhoma e qytetarëve dhe dhoma e popujve. Me rëndësi është që përmes dispozitave adekuate të sigurohet barazia e popujve dhe grupeve nacionale e etnike në ushtrimin e funksioneve të Kuvendit Republikan, Kuvendeve komunale dhe bashkësive tjera rajonale”.

Arkivi