ZHVILLIMET POLITIKO-SHOQËRORE TE SHQIPTARËT NË MAQEDONI 1990 - 2001

Miratimi i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë

Miratimi i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë

Deklarata për sovranitetin e Maqedonisë dhe Referendumi i 8 shtatorit, 1991, krijuan mundësi për hartimin e Kushtetutës së shtetit të pavarur. Kushtetuta si akt më i lartë juridik i Republikës së Maqedonisë, u miratua nga Kuvendi republikan më 17 nëntor, 199153. Kryetari i Republikës, Kiro Gligorov, për këtë nismë formoi Grupin e punës, i cili u muar me hartimin e projekt-kushtetutës. Grupi i punës përbëhej prej eskpertëve:

- Vllado Popovski,

- Lubomir Fërçkovski,

- Llazar Kitanovski dhe

- Dimitar Mirçev54.

Pra, siç shihet në të nuk mori pjesë asnjë shqiptar, i cili do të kontribuonte për hartimin e një Kushtetute që do të përfshinte premisat themelore të demokracisë parlamentare dhe realitetin multietnik të Maqedonisë si shtet i pavarur.

Kushtetuta është akt themelor juridik, e cila u paraprinë të gjitha akteve ligjore. Ajo, njëkohësisht është “akt i krijimit të pushtetit dhe akt i vërtetimit të marrëdhënieve themelore shoqërore për shkak se paraqet bazën juridike për funksionimin e sistemit shoqëroro-politik dhe ekonomik si dhe realizimin e të drejtave dhe garancion të ekzistimit të kushtetutshmërisë në shoqëri” 55.

Struktura e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, të miratuar në vitin 1991 përfshinë:

- Preambulën;

I Rregullat themelore;

II Liritë themelore dhe të drejtat e njeriut dhe qytetarit;

III Organizimin e pushtetit shtetëror;

IV Gjykatën kushtetuese të Republikës së Maqedonisë;

V Vetëadministrimin lokal;

VI Marrëdhëniet ndërkombëtare;

VII Mbrojtjen e Republikës, në situata të jashtëzakonshme dhe ushtarake;

VIII Ndërrimin e Kushtetutës dhe;

IX Rregullat kalimtare dhe përfundimtare56.

Preambula është pjesa hyrëse e Kushtetutës. Në Preambulën e projekt-kushtetutës së hartuar nga Grupi i lartpërmendur flitet për të kaluarën e popullit maqedonas dhe përpjekjet e tij për të formuar shtetin nacional, duke u mbështetur në vendimet e ASNOM, të vitit 1944 dhe Referendumin e 8 shtatorit, të vitit 1991. Në të thuhet:

“Nisur nga trashëgimia historike, kulturore dhe shpirtërore e popullit maqedonas dhe të luftës shekullore për çlirim nacional dhe social dhe për krijimin e shtetit të vet, e veçanërisht nga tradita juridiko-shtetërore të Republikës së Krushevës dhe vendimet historike të ASNOM dhe kontinuitetit juridiko-kushtetues të shtetit maqedonas si Republikë sovrane në Jugosllavinë Federative, prej vullnetit të lirë të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë në Referendumin e 8 shtatorit 1991, sikurse edhe nga fakti historik se Maqedonia është konstituuar si shtet nacional i popullit maqedonas në të cilin sigurohen të drejtat e barabarta qytetare dhe për bashkëjetesë të përhershme të popullit maqedonas me shqiptarët, turqit, vllehët, romët dhe nacionalitetet tjera të cilët jetojnë në Republikën e Maqedonisë“57.

Sipas konceptit të skicuar në Preambulë të Kushtetutës së vitit 1991, anashkalohet e drejta historike dhe e drejta e trashëguar e popullit shqiptar të Maqedonisë. Në vazhdim, në pika të shkurtëra do të analizojmë këto kategori të drejtash, të cilat u mundësojnë shqiptarëve të Maqedonisë të kërkojnë hisen e tyre në këtë shtet.

E drejta historike, mbështetet në faktin, se shqiptarët si pasardhës të drejtpërdrejtë të ilirëve, në Maqedoni janë popullatë autoktone58. Ky fakt dëshmohet edhe nga shumë autorë antikë. Ndërkaq, Maqedonia si shprehje gjeografike dhe si shtet përmendet që nga koha antike. Ajo fitoi famë në kohën e dy sundimtarëve të kohës antike, Filipit II dhe Aleksandrit të Madh – Lekës, në shekullin IV para e. së re. Derisa në periudhën e sundimit të Filipit II, Maqedonia u ngrit si shtet dhe u forcua në pikëpamje ushtarake, në kohën e Aleksandrit, i cili nga e ëma ishte nip i ilirëve, Maqedonia u zgjerua në tre kontinente, Evropë, Azi dhe Afrikë. Sipas të dhënave të historianëve grekë e romakë, në hapësirat e Maqedonisë antike jetonin ilirët, thrakët dhe helenët.

Në kohën e Perandorisë Romake, Maqedonia ra nën sundimin e saj, në vitin 168 para e. së re, ndërsa në vitin 148 para e. së re, ajo u bë provincë e thjeshtë romake. Por, më vonë Maqedonia nuk përmendet as si provincë e ndonjë shteti pushtues, pra as në kohën e Perandorisë Osmane. Kah fundi i sundimit të Perandorisë Osmane, nën ndikimin e organizatës së VMRO, e cila u themelua në Selanik, më 1893, çështja e Maqedonisë për një kohë të shkurtër sërish u aktualizua, por për pak kohë. Në mes dy luftërave botërore, Maqedonia nuk përmendet fare edhe si krahinë. Gjatë sundimit të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, ajo emërtohet si Banovinë e Vardarit. Pas shpartallimit të Mbretërisë së Jugosllavisë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, komunistët jugosllavë e riaktualizuan çështjen e Maqedonisë, me ç’rast formuan njësinë politiko-territoriale, Republika Popullore e Maqedonisë, në të cilën u përfshinë territore të gjëra të banuara me shqiptarë etnikë59, nga Kumanova deri në Dibër60.

Shqiptarët në Republikën e Maqedonisë, shikuar nga aspekti historik, territorial dhe demografik, janë pjesë e një tërësie kombëtare që ka shtrirje territoriale në mes Detit Adriatik e Jon, lumit Kalamas, luginës së Moravës Jugore dhe Vardarit61. Kjo hapësirë territoriale gjeografike me ndryshime shumë të vogla, përputhet me territorin që në kohërat antike ka qenë i banuar me fiset ilire: Dardanët, Pajonët, Pellagonët, Mollosët …etj62. Pra, pjesa më e madhe e Maqedonisë së sotme, në kohërat antike ka qenë e banuar nga fiset ilire, për të cilën ka shumë dëshmi autentike nga historianë grekë romakë e bizantinë, si dhe mbeturina arkeologjike.

Në përfundim të Luftërave Ballkanike, kur Konferenca e Londrës (1913) e vulosi formimin e shtetit të pavarur të shtetit shqiptar-Shqipërinë, e njëjta Konferencë njëkohësisht vulosi edhe ndarjen e territoreve etnike shqiptare, duke i ndarë dhe hapësirat e banuara me shqiptarë në dy pjesë gati të barabarta63, pjesa më e madhe e të cilave iu dhanë Serbisë dhe Greqisë. Lufta e Parë Botërore dhe Konferenca e Paqes së Parisit (1919), nuk e përmirësoi ndarjen e territoreve shqiptare. Por, tani territoret shqiptare që iu dhanë Serbisë në Konferencën e Londrës, Konferenca e Parisit, ia dha Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, e cila pak më vonë u quajt Mbretëria e Jugosllavisë. Një situatë e këtillë mbeti deri në vitin 1941. Kur në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, në pjesët jugore të ish-Mbretërisë së Jugosllavisë u formua Maqedonia si republikë brenda Federatës jugosllave, territoret shqiptare në jug të Maleve të Sharrit hynë në përbërje të kësaj republike. Pra, territoret shqiptare të Maqedonisë edhepse vazhdimisht e ndërruan pushtuesin, ata në fakt mbetën të banuara me shqiptarë etnikë. Këtu duhet theksuar se disa pseudo-shkencëtarë maqedonas janë përpjekur të mohojnë autoktoninë e shqiptarëve në Maqedoni, duke i llogaritur shqiptarët si ardhacakë, por këto përpjekje nuk kanë kurrfarë baze shkencore.

E drejta e trashëguar, është e lidhur ngushtë me përpjekjet historike të popullit shqiptar për çlirim nacional, krahas luftës së popujve të tjerë që gjithashtu gjendeshin nën robërinë e pushtuesve të huaj. Në fakt, Republika e Maqedonisë si shtet i përbashkët, i popullit maqedonas dhe i popullit shqiptar të Maqedonisë, është fryt i luftës çlirimtare kundër sundimit osman dhe fryt i Luftës Çlirimtare dhe Antifashiste të viteve 1941-1944. Këta dëshmi i vërtetojnë edhe shumë autorë maqedonas në punimet e tyre,Todor Simovski64, Aleksandar Hristov65, Orde Ivanovski66, etj.

Kryengritja e Ilindenit dhe ndihma reciproke në mes shqiptarëve dhe maqedonasve ishte ngjarja e parë me rëndësi historike, e bashkëpunimit reciprok në mes këtyre dy popujve që jetonin në hapësirat e Maqedonisë së sotme. Këto ngjarje shënuan zanafillën historike të bashkëpunimit në mes maqedonasve dhe shqiptarëve dhe gatishmërinë e këtyre dy popujve të robëruar për t’u çliruar nga zgjedha osmane. Rasti tjetër që iu dha popujve të Maqedonisë së sotme, për t’u çliruar nga të huajt ishte Lufta e Dytë Botërore. Edhe në këtë luftë, sikurse popujt tjerë liridashës, shqiptarët morën pjesë aktive. Këtë e vërtetojnë shumë dokumente. Në njërin prej tyre thuhet: Gjatë Luftës së Dytë Botërore të dy popujt morën pjesë aktive në luftën e përgjithëshme antifashiste. Udhëheqësit e luftës i bënin thirrje popullatës shqiptare dhe asaj maqedonase të marrin pjesë në luftë nën flamurin e Skënderbeut dhe të Republikës së Krushevës. Për këtë arsye u garantohej liria dhe barazia, sepse siç thuhej, Maqedonia do të ishte atdhe i përbashkët i të gjithëve, pra edhe i shqiptarëve” 67. Këtë fakt e vërteton edhe Prof. Dr. Gjorgji Caca68.

Pra, faktet tregojnë qartë se shqiptarët e Maqedonisë, si popull i robëruar morën pjesë aktive në të gjitha luftërat çlirimtare, për të arritur deri te çlirimi nacional i tyre. Të gjitha përpjekjet për çlirim nacional dhe barazi të plotë, të shqiptarëve të Maqedonisë së sotme, u përpoqën të kurorëzohen në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Më 2 gusht, 1944, në Prohor Pçinski u mbajt Mbledhja e Parë e ASNOM. Kjo mbledhje paraqet zanafillën e Republikës së Maqedonisë në kuadër të Jugosllavisë socialiste. Por, shqiptarët e Maqedonisë edhe përkundër përpjekjeve të mëdha nuk e realizuan barazinë e plotë politiko-kulturore pasi edhe kësaj radhe u mashtruan nga komunistët jugosllavë, të cilët gjatë tërë Luftës Antifashiste kishin trumbetuar barazinë e plotë deri në vetëvendosje. Pra, ideali shekullor për bashkim kombëtar, i hartuar në Lidhjen e Prizrenit, edhe gjatë Luftës Antifashiste ngeli vetëm dëshirë e pa realizuar.

Ngjarjet që u zhvilluan në përfundim të Luftës së Dytë Botërore dhe në periudhën e “lirisë” (periudha pas Luftës së Dytë, Z. R.), i tradhëtuan idealet për të cilat ishin angazhuar shqiptarët e Maqedonisë. Në këto rrethana për shqiptarët e Maqedonisë u ndërrua vetëm pushtuesi i huaj, përderisa pas Luftërave Ballkanike ky pushtues ishte Serbia, pas Luftës së Parë Botërore ishte Mbretëria SKS (Mbretëria e Jugosllavisë), ndërsa pas Luftës së Dytë Botërore rolin e pushtuesit e morën komunistët jugosllavë dhe maqedonas.

Gjatë kohës së ekzistimit të Jugosllavisë socialiste në Maqedoni u bënë reforma kushtetuese, që ishin një farsë komuniste, të fshehur nën parullën e “vëllazërim-bashkimit”. Me ndërrimet kushtetuese të vitit 1974 u arrit faza më e lartë e barazisë fiktive të shqiptarëve në Maqedoni69.

Pra, e drejta historike dhe të drejtat kombëtare të trashëguara, shqiptarëve të Maqedonisë u jepnin plotësisht të drejtë për ndarjen e sovranitetit të shtetit të pavarur të Maqedonisë.

Preambula e Kushtetutës së Maqedonisë, e vitit 1991, synon mjaft qartë shtetin nacional maqedonas. Tendenca e këtillë ishte në kundërshtim me interesat dhe tendencën e popullit shqiptar të Maqedonisë. Projekti i këtillë shkelte rëndë mbi historikun e Maqedonisë dhe përcaktonte qartë pozicionin e shqiptarëve si pakicë nacionale. Ky koncept i kushtetutës së propozuar, në periudhën vijuese u bë gjenerator kryesor i krizës në Maqedoni dhe burim i të gjitha mosmarrëveshjeve ndëretnike shqiptaro-maqedonase. Populli shqiptar, asnjëherë, nuk mund të pajtohej me statusin e pakicës në Republikën e Maqedonisë. “Ekspertët” që hartuan Kushtetutën, së bashku me propozuesin kryesor, Gligorovin, bartin përgjegjësinë më të madhe historike për shpërthimin e konfliktit të armatosur që filloi dhjetë vjet më vonë, në vitin 2001.

Momenti i miratimit të Kushtetutës së 17 nëntorit, 1991, paraqet një shans të humbur historik që në hapësirat e Ballkanit qendror, pas shthurjes së Jugosllavisë, të formohej një “Zvicër ballkanike”, e cila do të parandalonte të gjitha konfrontimet e shteteve fqinje, si zonë neutrale e interesave të kombeve kryesore të Ballkanit: shqiptarëve, grekëve, bullgarëve dhe serbëve. Këtë shans historik nuk e shfrytëzoi faktori politik maqedonas, i cili përbënte shumicën e votës parlamentare. Andaj, analizuar nga këndi historik, bartësit e politikës së asaj kohe bartin përgjegjësinë historike për të gjitha ngjarjet e mëvonshme që do të shërbejnë si shkëndija të konfliktit ndëretnik në Maqedoni.



53 Sluzhben vesnik na Republika Makedonija, nr. 52, “Odluka za proglasuvanje na Ustavot na Republika Makedonija”, 22 nëntor, 1991, 11.

54 Kiro Gligorov, Makedonija e se shto imame, Skopje 2002, 213.

Mirëpo, pëkundër kësaj, gjatë procesit të gjykimit të dhjetë shqiptarëve në “aferën e armëve”, në Gjyqin e Qarkut të Shkupit, nga data 3 deri më 22 qershor, 1994, i akuzuari i parë, ish-sekretari i PPD, M. Emini, deklaroi: “Patjetër më duhet të theksoj se themelet kushtetuese apo të them më drejt, në përgatitjen e Kushtetutës, si anëtar i Komisionit republikan kushtetues kam dhënë kontributin e tim në emër të PPD dhe të shqiptarëve në Maqedoni”, >>Zëri<<, “Nuk ka ekzistuar kurrfarë paraushtrie shqiptare”, Prishtinë, 11 shkurt, 1995, 14.

55 Esat Stavileci, Kosova dhe shqiptarët, Prishtinë 1991, 31.

56 Ustav na Republika Makedonija, Skopje, Noemvri 1991 g.

57 Slluzhben vesnik na Republika Makedonija, nr. 52, 22 noemvri, 1991, 13.

58 Aleksandër Stipçeviq, Ilirët, Prishtinë 1990, 39.

59 Fjalori enciklopedik, Shtëpia botuese BACCHUS, Tiranë 2002, 450.

60 Dr. Vebi Xhemaili, Shqiptarët e Pollogut në luftë për çlirim e bashkim kombëtar 1912-1918, 110.

61 Aleksandër Stipçeviq, Ilirët,vep. e cit. f. 37, (shih hartën për shtrirjen e fiseve ilire).

62 Historia e popullit shqiptar, Pjesa e I, Ilirët dhe shqiptarët, Tiranë 2002, 174-177.

63 Arben Puto, Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha, (1912-1914), Tiranë, 1978, 503.

64 Todor Simovski,“Za uçestvo na nacionalnostite vo Ilindenskoto vostanie”, Knjiga za Ilinden, Skopje 1969, 200. Në këtë punim ai thotë: “…Kryengritja e Ilindenit kryesisht kishte karakter antiosman. Prandaj, asaj iu bashkangjitën dhe e ndihmuan edhe shqiptarët. Pa ndihmën e shqiptarëve ajo vështirë se do të kishte sukses, kur dihet se ajo u zhvillua kryesisht në viset e banuara më tepër me shqiptarë. Më tej, ai thotë: “Shqiptarët kishin merita të veçanta për Komitetin dhe kryengritjen e Ilindenit, që ishin bartës të sigurtë dhe të mirë të armëve, barutit dhe materialit tjetër ushtarak”.

65 Aleksandar Hristov, “Organizacija na vlasta vo vostaniçkata teritorija za vreme na Ilindenskoto vostanie”, Knjiga za Ilinden, Skopje 1969, 118. Në këtë punim ai thotë, se: “Në kohën e kryengritjes së Ilindenit, në Krushevë banonin: maqedonas, vlleh dhe shqiptarë. Në Kuvendin e përgjithshëm ishin përfshirë këto kombësi me nga 20 delegatë. Ndërsa në organin drejtues hyjnë nga 2 përfaqësues nga të tre kombësitë” .

66 Orde Ivanovski, “Nikolla Karev – bezsmrtni pretsedatel na Krushevskata Republika”, Knjiga za Ilinden, Skopje 1969, 160. Në këtë punim ai thotë, se: “Menjëherë pasi u çlirua qyteti, me iniciativën dhe udhëheqjen e Nikolla Karevit, në prani të 60 përfaqësuesve nga të gjitha kombësitë që atëherë jetonin në Krushevë, u mbajtë një këshillim për drejtimin e territorit të lirë. Kuvendi zgjodhi Qeverinë e përkohshme prej 6 anëtarësh, nga të gjitha kombësitë në krye me Nikolla Karevin …”.

67 “Zbornik na dokumenti na ASNOM: 1944 -1964”, Skopje, 71, 177-178.

68 Prof. Dr. Gjorgji Caca, Ustavniot razvitok na SRM, Sluzhben vesnik na SRM, Skopje 1983, 8, (Parathënie e librit në fjalë). Ai thotë: “Republika Socialiste e Maqedonisë, sot është ajo që asnjëherë nuk ka qenë. Ajo është kështu, sepse është formuar në Luftën e përbashkët të popullit maqedonas së bashku me kombësinë shqiptare dhe turke …” .

69 Po aty, 78. Sipas Kushtetutës së vitit 1974, Maqedonia përkufizohet si: “Republika Socialiste e Maqedonisë është shtet nacional i popullit maqedonas dhe shtet i kombësisë shqiptare dhe turke në të, bazuar në sovranitetin e popullit, pushtetit dhe vetëqeverisjes së klasës punëtore dhe të gjithë njerëzve punonjës dhe bashkësi socialiste demokratike vetëqeverisëse të popujve punonjës dhe qytetarëve, të popullit maqedonas dhe me të, të barabartë të kombësisë shqiptare dhe turke”.

Arkivi