ZHVILLIMET POLITIKO-SHOQËRORE TE SHQIPTARËT NË MAQEDONI 1990 - 2001

Ngjarjet e 9 Korrikut 1997

Ngjarjet e 9 Korrikut 1997

Pas daljes në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)50, si pasojë e represionit shfarosës të rregjimit serb, propaganda antishqiptare filloi të përhap tezën për “terrorizmin shqiptar”, “fundamentalizmin islamik shqiptar”, për shqiptarët si “destabilizues të rajonit të Ballkanit”, etj. Qarqet antishqiptare ndërtonin imazhin negativ për shqiptarët, përballë Bashkësisë ndërkombëtare. Edhe propaganda maqedonase ishte mjaft aktive. Këta të fundit kishin për qëllim të mbulojnë ekstremizmin e vet që më 9 korrik, 1997, kulmoi me sulmet brutale të policisë në Gostivar dhe Tetovë. Ndërhyrja e njësive të armatosura policore maqedonase në këto dy qytete, e demaskoi tërësisht politikën e “oazës së paqes” të Gligorovit. U pa shumë qartë se IRJM kishte marrë fizionominë e shtetit policor duke shfrytëzuar ndihmat financiare të Bashkësisë ndërkombëtare dhe duke ngritur struktura të fuqishme policore dhe ushtarake, që kishin të vetmin qëllim, përmes forcës të disiplinonin shqiptarët.

Çka ndodhi më 9 Korrik 1997 ?

Shkas i dhunës së shfrenuar policoro-ushtarake ishte flamuri kombëtar shqiptar që ishte vendosur përpara ndërtesave komunale në Gostivar dhe Tetovë si dhe nëpër komunat tjera ku dominonin shqiptarët. Organet lokale të komunave, duke u bazuar në kompetencat e veta, sollën vendimin për përdorimin zyrtar të flamurit kombëtar shqiptar para objekteve të komunave51. Por, vendimi për përdorimin e flamurit shkaktoi reagimin e menjëhershëm të Qeverisë së Cërvenkovskit. U aktivizua edhe Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë, e cila më 21 maj, 1997, u deklarua se me këtë akt “kërcënohej sovraniteti i shtetit”52 dhe kërkoi heqjen e flamurit kombëtar shqiptar ! Pak më vonë, më 8 korrik, Parlamenti i IRJM, me procedurë të shpejtuar miratoi Ligjin për përdorimin e flamujve53. Vendimi në parlament u soll rreth orës 23.00 të së njëjtës datë, ndërsa kah ora 3 e mëngjesit forcat speciale të policisë maqedonase kishin zënë pozitat dhe vendosën regjimin policor në Tetovë dhe Gostivar. Policia kreu vandalizëm të paparë nëpër zyrat e komunave duke thyer dyert dhe shkatërruar pajisjet teknike. Me këtë rast filluan kidnapimet, burgosjet, rrahjet dhe vrasjet e aktivistëve politikë të Partisë Demokratike Shqiptare.

Pasojat e ngjarjeve të 9 Korrikut, ishin tragjike: u vranë tre shqiptarë, u plagosën 100, u malltretuan pa mëshirë mbi 1000, u burgosën dhe u dënuan me burg të rëndë kryetarët dhe kryesuesit e këshillave komunale: Rufi Osmani, Alajdin Demiri, Refik Dauti dhe Vebi Bexheti54. Qëllimi i fundit i skenarit ishte i qartë, dëshirohej eliminimi politik i Arbën Xhaferit dhe politikës së tij të kontestimit të shtetit nacional maqedonas. Ngjarjet e 9 korrikut, 1997, lanë vrragë të thella dhe i keqësuan edhe më tepër marrëdhëniet ndëretnike në IRJM.

Pas ngjarjeve të 9 korrikut, për të arsyetuar tërë ngjarjen, u organizua procesi gjyqësor i Gostivarit, i cili përfundoi më 16 shtator, 199755. Në këtë proces Gjykata themelore e Gostivarit shpalli fajtorë, kryetarin e komunës së Gostivarit, z. Rufi Osmani dhe kryesuesin e Këshillit komunal të Gostivarit, z. Refik Dauti. Pas procesit gjyqësor në Gostivar opcioni i vetëm që i mbeti subjektit politik shqiptar ishte largimi nga institucionet e sistemit. Në këtë gjykim u bë e qartë se në këtë sistem nuk ka vend për politikë vizionare, e cila ofronte modele më të mira për marrëdhëniet ndëretnike. Subjekti politik shqiptar që përpiqej për reforma dhe që kundërshtonte konceptin ekzistues të sistemit politik i tërhoqi të gjithë përfaqësuesit e vet, këshilltarët, prefektët dhe deputetët nga institucionet e sistemit dhe ndërmorri hapin tjetër të veprimit politik që mundësonte demokracia parlamentare, organizimin e demonstratave gjithëpopullore. Lideri i subjektit politik të posaformuar, që udhëhiqte proceset reformuse në IRJM, Arbën Xhaferi, tha:kjo është politikë e prezantuar në platformën politike të Partisë Demokratike Shqiptare …”56.

Është për t’u theksuar se procesin e montuar politik në Gostivar e dënuan edhe shumë parti politike maqedonase, përveç Lidhjes Socialdemokrate. Lideri i partisë më të madhe opozitare, VMRO-DPMNE, Lupço Georgievski, pas dënimeve që iu shqiptuan nga Gjykata e Gostivarit, tha: “Procesi gjyqësor në Gostivar dhe dënimet që u janë shqiptuar kryetarit të komunës së Gostivarit, Rufi Osmanit dhe kryetarit të këshillit komunal Refik Dautit, janë dënime skandaloze, të cilat do të kenë edhe reperkusione negative në vetë shtetin maqedonas57.

Hapi tjetër i qeverisë së Socialdemokratëve ishte marrja e mandatit të deputetit shqiptar, liderit të PDSH, Arbën Xhaferit58. Shkas i marrjes së mandatit ishte abstenimi i tij nga punimet e parlamentit. Më 8 tetor, 1997, parlamenti i Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë votoi për marrjen e mandatit të deputetit të popullit59. Për këtë vendim votuan shumica e deputetëve maqedonas, gjithsejt 81 deputetë60. Ky ishte rast i papresedan në demokracinë parlamentare. Demokracia dhe sistemi pluralist, në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, ra nga provimi. Marrja e mandatit kishte për qëllim final burgosjen e zërit sinjalizues të opozitës shqiptare, në IRJM. Socialdemokratët maqedonas edhe njëherë dëshmuan se, kur janë në pyetje shqiptarët, përmes procedurës parlamentare mund të bëjnë çdo gjë, bile të mund të marrin apo të japin edhe mandate në emër të popullit. Kjo ishte filozofia e vjetër e të menduarit dhe të vepruarit të ish-komunistëve, tani të “reformuar”, kundër shqiptarëve.

Edhe me rastin e skenarit të “9 Korrikut” dhe marrjen e mandatit të deputetit shqiptar regjimi i Socialdemokratëve përpiqej të maskojë realitetin multietnik të shtetit të IRJM. Si rezultat i mungesës së mekanizmit të koncenzusit për veçantitë kombëtare, populli që kishte shumicë votash e eliminonte popullin me pakicë votash, përmes procedurës së mbivotimit duke e eksploatuar dhe duke ia ngushtuar hapësirën e veçantisë nacionale. Pra, në këtë shtet nuk ekzistonte mekanizmi që garantonte barazinë e shqiptarëve në sistem, prandaj fati i interesave shqiptare ishte në varshmëri të plotë nga vullneti, interesi dhe teket e konjukturave politike maqedonase. Në këtë drejtim, abstenimi kishte për qëllim të shpalosë “hilenë” e madhe që i bëhej popullit shqiptar në IRJM.

Por, qeveria nuk mund t’u shmangej tërësisht proceseve demokratike. Ajo ishte e detyruar të organizojë zgjedhje të reja, me ç’rast Arbën Xhaferi u zgjodh sërish deputet61. Edhe kësaj radhe u vërtetua verdikti i popullit. Parlamenti që ia mori mandatin liderit shqiptar, pas fitores spektakulare në zgjedhje, u detyrua t’ia verifikojë përsëri62. Këto ishin shenjat e para të krizës në rradhët e Socialdemokratëve maqedonas.



50 UÇK (Ushtria Çlirimtare e Kosovës) për herë të parë u paraqit në vitin 1993 pas një sulmi të kryer në Gllogovc, ku u vranë tre policë serbë, Robert Goro: FYROM – Supermacia e inferioritetit, New York, 2001, 55.

51 Vendimi i Këshillit të Komunës së Tetovës, nr. 08-360/2, i datës 19.06.1997, “Fletorja zyrtare e Komunës së Tetovës”, nr. 2/97.

52 Rober Goro : FYROM – Supermacia e inferioritetit, New York, 2001, 32.

53 “Ukaz za proglasuvanje na zakonot za upotreba na znaminja preku koji pripadnicite na nacionalnostite vo Republika Makedonija go izrazuvaat svojot identitet i nacionalnite osobenosti”, nr. 08-2308/1, 8 korrik 1997. Sluzhben vesnik na Republika Makedonija, br. 32, 9 juli, 1997.

54 Rufi Osmani ishte kryetar i komunës së Gostivarit; Alajdin Demiri ishte kryetar i komunës së Tetovës; Refik Dauti, kryesues i Këshillit komunal të Gostivarit dhe Dr. Vebi Bexheti, kryesues i Këshillit komunal të Tetovës.

55 >>Koha Ditore<<, “Kadiu të padit kadiu të gjykon”, 18 shtator, 1997, 3.

56 >>Koha Ditore<<, po aty.

57 >>Koha Ditore<<, “Georgievski: Dënime skandaloze me reperkusione negative”, 18 shtator, 1997.

58 Po aty :Xhaferi:”Mua ma morën mandatin, por mbetet çështja shqiptare në Maqedoni”, 9 tetor, 1997, 2.

59 Slluzhben vesnik na Republika Makedonija, odluka br. 08-3252/1, 8 oktomvri, 1997, Skopje.

60 Po aty, >>Koha Ditore<<.

61 Republiçka drzhavna Izborna Komisija, br. 32-53, 18. 12. 1997, Skopje, “Uverenie za izbor na pratenik”, nënshkruar nga kryetarja Liljana Ristova, (dokumenti ruhet në arkivin e administratës së Kuvendit të IRJM-së).

62 >>Flaka e vëllazërimit<<, “U verifikua mandati i deputetit Arbën Xhaferi”, 22 janar, 1998, 4.

Arkivi