ZHVILLIMET POLITIKO-SHOQËRORE TE SHQIPTARËT NË MAQEDONI 1990 - 2001

Konflikti shqiptaro-maqedonas (2001)

Konflikti shqiptaro-maqedonas

(2001)

Fillet e konfliktit

Këndvështrimi i palëve të konfrontuara

Në vitin 2001, në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë ndodhi konflikti i armatosur shqiptaro-maqedonas. Konflikti ishte pasojë i shumë faktorëve, midis të cilave ishin raportet jo të drejta shoqëroro-politike ndërmjet dy etniteteve, që përbënin shtyllat kryesore të shtetit të ri. Këto raporte shoqërore në IRJM u vendosën që në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, prej kur u formua Maqedonia si njësi federale e Jugosllavisë socialiste. Gjatë kohës së ekzistimit të Jugosllavisë raportet etnike shqiptaro-maqedonase, nën tutelën e Lidhjes Komuniste u zhvilluan në favor të interesave kombëtar të maqedonasve. Shqiptarët etnikë në IRJM mbetën në margjina të sistemit, për t’u diskriminuar skajshmërisht. Pra, rrënjët e konfliktit të vitit 2001, në IRJM, janë që nga periudha e sistemit komunist.

Me fillimin e proceseve demokratike dhe të pluralizmit politik, sistemi që ishte formuar në kohën e periudhës komuniste, në mënyrë shumë elegante u transformua, duke iu përshtatur rrethanave të reja. Diskriminimi i mëhershëm, i kamufluar komunist, në periudhën e pluralizmit u legalizua plotësisht. Shteti i ri i pavarur u formua mbi baza të konceptit kombëtar maqedonas, pa u përfillur interesat e popullit shqiptar, i cili paraqet faktor të rëndësishëm politik dhe ekonomik në IRJM. Të gjitha ofertat e faktorit politik shqiptar për një “marrëveshje historike” shqiptaro-maqedonase ose u refuzuan ose u injoruan nga faktori politik maqedonas.

Pra, raportet shqiptaro-maqedonase, filluar që nga periudha e sistemit komunist dhe gjatë tërë periudhës së pluralizmit politik ishin të tendosura. Në përfundim të Luftës së Kosovës, përkohësisht, u relaksuan marrëdhëniet ndëretnike në IRJM. Kjo u vërejt edhe nga diplomatë të huaj. Ambasadori anglez në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Mark Dikinson, rreth marrëdhënieve shqiptaro-maqedonase dha një vlerësim të këtillë:

“Marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni tani janë shumë më të mira se sa më parë. Marrëdhëniet janë në një shkallë të një niveli shumë të lartë, sepse ne pamë se si u liruan prefektët e Gostivarit dhe të Tetovës, pamë poashtu që partitë politike shqiptare në Qeveri luajnë një rol shumë të rëndësishëm duke ruajtur stabilitetin në Maqedoni, gjatë krizës kosovare. Pamë se Maqedonia pranoi një numër jashtëzakonisht të madh refugjatësh, duke shpëtuar jetën e njerëzve. Poashtu, tani shohim se me marrëveshjen e re të koalicionit përfshihen disa pajtime, siç është arsimi në gjuhën shqipe, kanali televiziv në gjuhën shqipe, etj. Mendoj se ky ishte një vit i mirë dhe i suksesshëm në marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni, sidomos për pozitën e shqiptarëve. Maqedonia, mendoj se demonstroi mënyrën se si marrëdhëniet e mira ndëretnike në të mund të jenë shkak i bashkëpunimit të mirë. Mendoj se bashkëpunimi i këtyre dy bashkësive tani është shumë më i afërt se sa që ishte më parë dhe kemi një kyçje më të gjerë dhe më të fuqishme ndaj problemeve nga të dyja palët …1.

Vlerësime të ngjashme kishin edhe diplomatë të tjerë të cilët e vizitonin IRJM. Por, me kalimin e kohës marrëdhëniet shqiptaro-maqedonase vinin duke u tensionuar, sidomos aty nga fundi i vitit 2000.

Marrëdhëniet u acaruan edhe më tepër me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes për shtrirjen dhe përshkrimin e kufirit midis Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe Republikës Federale të Jugosllavisë2 dhe miratimin e këtij Ligji në parlament3. Kjo marrëveshje ishte vazhdimësi e marrëveshjes së mëhershme, që nga viti 1996. Marrëveshja për kufirin e anashkalonte Kosovën4. Kjo marrëveshje u shfrytëzua nga forca të caktuara politiko-ushtarake dhe ndikoi dukshëm për ngritjen e tensionit dhe shpërthimin e konfliktit të armatosur në IRJM.

Shkëndijat e para të krizës shpërthyen në Tanushë, për të vazhduar edhe në hapësirat tjera të brezit kufitar me Kosovën. Kriza në IRJM u shqyrtua edhe në Kombet e Bashkuara dhe në NATO. Pas takimeve të shumta të diplomatëve relevant ndërkombëtarë me zyrtarët maqedonas, të gjithë dolën me një qëndrim unik se: “mbështesin tërësinë territoriale të Maqedonisë dhe stabilitetin e kufijve të saj”5. Këtë konstatim e konfirmonin edhe subjektet politike shqiptare në Shqipëri, Kosovë dhe IRJM. Por, njëkohësisht sekretari i Departmentit të SHBA, Kolin Powell u rekomandoi qarqeve qeveritare maqedonase, kërkesat e të pakënaqurve, se “duhet të bëhen reforma kushtetuese dhe të aplikohet përdorimi i gjuhës shqipe”6.

Zhvillimi i ngjarjeve të mëvonshme shënoi eskalimin e situatës. Më 14 mars, 2001, konflikti u përhap edhe në malësinë e Tetovës. Të shtëna armësh u dëgjuan prej orës 10.30 nga Kalaja e Tetovës. Fillimet e luftimeve u shoqëruan me frikë e huti të madhe të popullatës, me ç’rast shitoret u mbyllën, nëpunësit shtetërorë lëshuan vendet e punës, ndërsa nxënësit e shkollave të qytetit dhe studentët i ndërprenë mësimet. Kërcënimet se lufta e armatosur mund të zbresë shumë shpejt edhe në qytete, e vuri në lëvizje diplomacinë e Bashkësisë ndërkombëtare7.

Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë pak nga pak shndërrohej në zonë të rrezikshme të krizës në Ballkan.

Zgjerimi i konfliktit të armatosur sinjalizoi shpërthimin e një kryengritjeje me përmasa të gjëra në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë. U tensionuan edhe marrëdhëniet midis faktorëve politik që merrnin pjesë në qeveri. Faktorët politik, të ndarë mbi baza kombëtare, qasjen e problemit e shikonin nga këndvështrime të kundërta.

Sipas këndvështrimit të faktorit maqedonas, lufta në IRJM është eksoprtuar nga Kosova dhe ajo njëkohësisht është nxitur nga Bashkësia ndërkombëtare. Këndvështrimi maqedonas nuk i analizon rrënjët e krizës, një varg shkaqesh që sollën deri te kriza dhe nuk e analizon ngritjen e vetëdijës politike dhe kombëtare të shqiptarëve në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë.

Duke e fajësuar Kosovën për konfliktin e armatosur në IRJM, qarqet nacionaliste maqedonase pak nga pak e rikthyen IRJM në binarë të politikës sërbe, duke e shndërruar atë në avokate të politikës sërbe dhe ruse në Ballkan. Akuza kundër Kosovës, gjoja si agresore, në momentin kur ajo ishte protektorat ndërkombëtar, njëkohësisht do të thotë atak kundër Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bashkësisë Evropiane, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO, të cilat ishin të stacionuara në Kosovë dhe siguronin paqen. Qarqet nacionaliste maqedonase, me politikën e tyre të jashtme e shndërruan këtë vend në satelit të politikës pan-sllaviste, antiperëndimore dhe që i shërbente politikës së Millosheviqit. Akuza kundër Kosovës vihej në funksion të politikës së qarqeve pansllaviste, të cilat përpiqeshin të krijonin opinion botëror, se intervenimi i NATO kundër Jugosllavisë ishte projekt i gabuar dhe kundërproduktiv. Pas disfatës në Kosovë kjo ishte përpjekja e fundit e Millosheviqit dhe qarqeve luftënxitëse serbo-maqedonase, për të rivendosur edhe njëherë raportet e mëhershme në hapësirat gjeografike të banuara me shqiptarë. Fajësimi i Kosovës duhej t’i satanizojë shqiptarët si element të vazhdueshëm destabilizues të Ballkanit, për të detyruar Euro-amerikanët të heqin dorë, përfundimisht, nga shqiptarët. Këto qarqe pansllaviste, antiperëndimore dhe anti-NATO, përpiqen në vazhdimësi të ndërtojnë imazhin e fajtorit të shqiptarit. Sipas tyre konflikti i mundshëm me përmasa të gjera do të mund të përgatiste terenin për një akuzë globale kundër shqiptarëve, si fajtorë të atij konflikti, pas të cilit politika pansllaviste në Ballkan, përfundimisht do të kishte fituar “luftën historike”, ndërsa shqiptarët në tërësi, “do të ishin mundur”, e me këtë edhe përpjekjet e Perëndimit ndaj Ballkanit.

Në fillim të konfliktit, politika ruse ndaj Ballkanit u riaktivizua duke fajësuar SHBA dhe vendet tjera perëndimore si nxitëse të konfliktit. Ministri rus i mbrojtjes, Igor Sergejev, madje u kërcënua se do ta ndihmojë Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë me mjete ushtarake:

“Rusia është gati t’i japë ndihmë konkrete forcave ushtarake maqedonase për t’i dhënë fund konfliktit me ekstremistët shqiptarë. Ai gjithashtu tha, se Moska nuk mund të rijë më indiferente me atë që po ndodh në Ballkan, veçanërisht në Kosovë dhe në Maqedoni. I japim mbështetje politike Maqedonisë, por është e nevojshme dhe një ndihmë për forcat e armatosura të kësaj republike”. Sipas ministrit rus, “për krizën në Maqedoni ka përgjegjësi NATO si dhe ka një projekt të Uashingtonit që kërkon të zgjerojë influenën e tij në Evropë dhe në Ballkan, duke u dhënë mbështetje ekstremistëve shqiptarë” 8.

Mirëpo, edhe shqiptarët në këto rrethana kishin miqtë e tyre, të cilët sinjalizonin për rreziqet e mundshme. Njëri nga analistët e rrjedhave zhvillimore të Ballkanit, Janosh Bugajski, shkruante:

Lobi antishqiptar, serbo-rus, pohon se shqiptarët nuk janë në gjendje në mënyrë demokratike të qeverisin, se janë primitivë, patriarkalë, kriminelë, fundamentalistë dhe të orientuar si antiperëndimor. Qëllimi i kësaj propagande është, që përmes shërbimeve të fshehta, që gjithë shqiptarët t’i paraqesin si terroristë, kriminelë, trafikantë droge dhe fundamentalistë islamikë. Në këtë mënyrë, veprimet e tyre t’i barazojnë me ato të Talebanëve, si një kërcënim për gjithë Evropën… Kështu, përkundër sukseseve të NATO që të ndalojë gjenocidin në Kosovë, Rusia, pandërprerë akuzon KFOR, se misioni i tij nuk është i suksesshëm, ngaqë toleron frymën luftarake të shqiptarëve dhe promovon destabilizimin rajonal. Ajo, me këtë rast, fton NATO që ose të shkatërrojë guerilën shqiptare, ose duhet të lëshojë Ballkanin. Me këtë rast, do t’u hapej rrugë forcave të sigurimit serb, që njëherë e përgjithmonë të heqin qafe “çështjen shqiptare “, pa asnjë ndjejnë humanitare, ngjashëm siç vepron Rusia në Çeçeni. Bugajski përmend vizitën e ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë, Igor Ivanov, i cili ka konkluduar se “reagimi pasiv” i NATO në shtrirjen e konfliktit kosovar në Maqedoni, paraqet rrezik për paqen në gjithë rajonin dhe nxit konfliktet etniko-territoriale. Ivanovi, ka theksuar gjithashtu se intervenimi i NATO (fjala është për intervenimin kundër ish Jugosllavisë), nuk arriti që me sukses të zgjidhë problemet rajonale…9.

Zgjerimi i konfliktit edhe në malësinë e Sharrit, zgjoi tërë diplomacinë botërore. Mesazhet e tyre, gjatë kohës së krizës arritën nga Unioni Evropian, SHBA, Rusia, Shqipëria, Kosova dhe vendet tjera Ballkanike. Pothuajse të gjithë faktorët relevantë, konfliktin e armatosur, në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, e cilësuan me tone negative.

Sipas këndvështrimit të faktorit politik shqiptar, lufta e armatosur në IRJM, është rezultat i pabarazisë dhe diskriminimit të shqiptarëve në sistem. Shqiptarët asnjëherë nuk u pajtuan me statusin e pakicës nacionale në këtë shtet të posaformuar. Megjithatë, shqiptarët nuk e destabilizuan Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, duke iu përmbajtur parimeve universale ndërkombëtare, për mos ndryshimin e kufijve. Përpjekjet e përfaqësuesve shqiptarë që përmes luftës politike të fitojnë barazinë kombëtare, nuk dhanë rezultatin e pritur, prandaj diskriminimi dhe pabarazia i shtyjnë shqiptarët të kapnin armët për të realizuar të drejtat e tyre kombëtare.

Shtegun e krizës e hapi koncepti nacionalist maqedonas për shtetin e pavarur, duke injoruar realitetin faktik të përbërjes etnike të këtij shteti. Shteti nacional maqedonas përpiqej të shtrihej në një hapësirë gjeografike, ku gjysma e popullatës është josllave, nga e cila shqiptarët përbëjnë 23 % (sipas statistikës zyrtare të vitit 1994). Politika e këtillë ishte identike me politikën e qarqeve nacionaliste serbe, e cila përpiqej të kolonizonte edhe hapësirat jo serbe. Te maqedonasit u krijua opinioni se “pakica shqiptare” është njëlloj si pakicat tjera etnike: romët, vllehët, turqit, serbët, etj. Pra, në kategorinë “pakicë nacionale” llogariteshin edhe shqiptarët, të cilët viheshin baraz me ato pakica që nuk kishin ndonjë relevancë politike, numerike, kulturore apo ekonomike. Mbi standardet e “pakicës” u ndërtuan parimet për të drejtat e njeriut. Qasja e këtillë e çështjes shqiptare në IRJM, vazhdoi edhe pas çlirimit të Kosovës. Edhe më tutje, vazhduan përpjekjet e establishmentit politik maqedonas për të ruajtur status-quo-në e pozicioneve juridike-kushtetuese. Ofertat e faktorit politik shqiptar për reforma kushtetuese ose u refuzuan ose u injoruan, gjë që solli thellimin e mëtejmë të krizës ndëretnike në IRJM. Mirëpo, rrethanat politiko-shoqërore, pas përfundimit të Luftës së Kosovës, ndryshuan në favor të çështjes shqiptare. Përpjekjet e faktorit politik shqiptar që përmes procesit politik, në institucione të sistemit, të evitojë krizën nuk dhanë rezultatet e pritura. Te faktori politik maqedonas sërish u ringjallën orekset e qarqeve nacionalsite serbo-maqedonase për ta zgjidhur krizën përmes luftës së armatosur. Qarqet e këtilla synonin të shfrytëzojnë IRJM si arenë lufte, ku do të mund t’i realizojnë qëllimet e tyre nacionalsite dhe antishqiptare.



1 >>Fakti<<, “Maqedonia ka rëndësi të madhe për stabilitetin e Ballkanit”, 31 dhjetor, 1999.

2 Marrëveshja për shtrirjen dhe përshkrimin e kufirit në mes IRJM dhe Republikës Federale të Jugosllavisë, nënshkruar më 23 shkurt, 2001, në Shkup, Sluzhben vesnik na Republika Makedonija, nr. 19, “Dogovor megju Republika Makedonija i Sojuzna Republika Jugoslavija za proteganje i opis na drzhavnata granica”, Skopje, 6 mart, 2001.

3 Ukaz za proglasuvanje na zakonot za ratifikacija na dogovorot megju RM. i SR. Jugoslavija za proteganje i opis na drzhavnata granica, br. 07-874/1, 1 mart, 2001”, Skopje, Sluzhben vesnik na RM., br. 19, Skopje 6 mart 2001. Në Nenin 2 të Ligjit, thuhet: “Kufiri shtetëror midis RM dhe RFJ shtrihet prej trekufirit maqedono-jugosllavo-shqiptar, TT k. 2092 (Guri kufitar D 24) deri te trekufiri maqedono – jugosllavo - bullgar (Guri kufitar 106)”.

4 Marrëveshja për kufirin dhe marrëdhëniet tjera midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës Federale të Jugosllavisë qe nënshkruar shumë më parë, qysh në vitin 1996. Sluzhben vesnik na RM, nr. 22, 7 maj, 1996, “Spogodba za reguliranje na odnosite i za unapreduvanje na sorabotkata megju Republika Makedonija i Sojuzna Republika Jugoslavija”, e cila u ratifikua nga Parlamenti i IRJM, më 8 prill, 1996.

5 >>Fakti<<, Deklaratë e Unionit Europian për situatën në Maqedoni :” Liderët shqiptarë të insistojnë për dialog, 26 mars, 2001, 6.

6 Po aty, Kërkesë e SHBA drejtuar Shkupit:”Të realizohen reformat kushtetuese, 26 mars, 2001, 6.

7 Po aty, Atmosferë e nderë në Tetovë: ”Malësia e Sharrit në zjarr, 15 mars, 2001, 3.

8 Fakti, 26 mars, 2001.

9 Janosh Bugajski në revistën kroate Nacional, nr.230, 27 mars, 2001, 33.

Arkivi