ZHVILLIMET POLITIKO-SHOQËRORE TE SHQIPTARËT NË MAQEDONI 1990 - 2001

P ë r f u n d i m e

Me shthurjen e Jugosllavisë socialiste si shtet, u prish marrëveshja e popujve të saj, të vendosur në kohën e Luftës së Dytë Botërore. Me këtë rast lindën çëshjet nacionale të popujve që jetonin në të. Rrjedhimisht lindi edhe çështja nacionale e shqiptarëve që jetonin në Jugosllavi. Shikuar nga ky kënd, dolën në skenë dy tendenca të rrezikshme për çështjen nacionale të shqiptarëve të Jugosllavisë. Njëra, ishte përpjekja e qarqeve serbe për krijimin e shtetit etnocentrik serb, duke nënshtruar Kosovën, e cila sipas kushtetutës së vitit 1974 ishte njësi konstituive e Federatës jugosllave, ndërsa çështja e dytë, ishte përpjekja e qarqeve maqedonase (ngjajshëm sikurse ato serbe), për të krijuar shtetin nacional, duke anashkaluar shqiptarët, të cilët sipas kushtetutës së vitit 1974 ishin element konstituiv i Republikës Socialiste të Maqedonisë.
Me lindjen e pluralizmit politik në Maqedoni, dolën në skenë forca të ndryshme politike maqedonase dhe shqiptare. Kështu që pas shembjes së diktaturës komuniste, shqiptarët e Maqedonisë për herë të parë mund të artikulonin interesat e tyre kombëtarë, përmes organizimit politik.
Përderisa forcat politike kosovare refuzuan çdo pjesëmarrje në jetën politiko-shoqërore që diktonte Serbia, në Maqedoni forcat politike shqiptare pranuan kooperimin, duke pranuar formimin e shtetit të ri në Ballkan, pa ndonjë garancë të sigurtë, për interesat kombëtar të shqiptarëve të IRJM. Me këtë rast, duhet rikujtuar se marrëdhëniet shqiptaro-maqedonase kishin një bagazh të rëndë, të trashëguar nga ish sistemi. Diskriminimi kundrejt popullit shqiptar dhe sidomos represioni kundrejt inteligjencës shqiptare, edhe ashtu të paktë, ishte shumë i freskët. Andaj, në mes dy popujve ekzistonte një mosbesim i madh. Dalja në skenë e pluralizmit politik nxori në shesh tërë klimën e urrejtjes, të krijuar decenie me radhë, midis maqedonasve dhe shqiptarëve. Pluralizmi politik, jo që nuk e sanoi gjendjen, por e acaroi edhe më shumë, përmes formave perfide të injorimit të barazisë së shqiptarëve në sistem. “Shumica maqedonase” duke mos pasur sens për proceset demokratike në shtetin e posaformuar, gjithçka vendoste përmes sistemit të mbivotimit, me çka sistematikisht ndrydheshin të drejtat juridiko-kushtetuese të shqiptarëve të Maqedonisë.
Faktori politik shqiptar, duke mos pasur strategji të qartë për zgjidhjen e çështjes shqiptare të Maqedonisë, luhatej midis kooperimit me sistemin e ri që ngritej dhe herë-herë përpiqej për zgjidhje të tjera. Këto dilema shkaktonin konfuzion edhe në radhët e ndërkombëtarëve, të cilët te shqiptarët nuk shihnin partner serioz politik.
Dalja në skenë e forcave të reja politike, në vitet 1995-1996, ndër shqiptarët e Maqedonisë dha shpresë për një zgjidhje të drejtë të çështjes shqiptare në shtetin e posaformuar. Por, fatkeqësisht shumë procese politike kishin përfunduar. Çështja më e rëndë në ish-Jugosllavi, në ato vite, çëshjta e Bosnjës, ishte në zgjidhje e sipër (Marrëveshja e Dejtonit) dhe në radhë ishte zgjidhja e çështjes së Kosovës. Forca e re politike, në prag të zgjidhjes së çështjes së Kosovës, përnjëherë u ndesh me dy çështje të mëdha kombëtare, njëra ishte Kosova, si çështje parësore dhe tjetra ishte çështja e shqiptarëve të Maqedonisë. Rreth çështjes së parë, u mobilizuan të gjitha forcat intelektuale, politike dhe njerëzore dhe u dha maksimumi i mundshëm i veprimtarisë politike të shqiptarëve të Maqedonisë. Rezultati ishte evident dhe i pamohueshëm. Ndërkohë, pas përfundimit të Luftës së Kosovës, brenda faktorit shqiptar, lindën forca politiko-ushtarake që preferonin zgjidhje të menjëhershme të çështjes shqiptare në IRJM, përmes metodave rrevolucionare. Kjo metodë e zgjidhjes së çështjes së shqiptarëve të Maqedonisë dhe represioni i shkaktuar nga qarqet luftënxitëse maqedonase shkaktoi luftën e armatosur ndëretnike. Edhe përkundër dallimeve evidente, forcat politike dhe kryengritëse shqiptare, arritën koncensus në veprimin politik. Qarqet luftënxitëse maqedonase propagonin përfundimin e konfliktit përmes mjeteve ushtarake. Por, faktori ndërkombëtar, SHBA, Bashkësisë Europiane dhe NATO, bënin trysni për ndërprerjen e konfliktit dhe zgjidhje paqesore, përmes procesit politik. Kjo trysni e faktorëve ndërkombëtar përfundoi me kompromisin politik që u quajt Marrëveshje Kornizë e Ohrit.
Marrëveshja e Ohrit e ndërroi konceptin e shtetit të IRJM, nga një shtet kombëtar maqedonas në shtet multietnik..
Karaktersitikë kryesore e Marrëveshjes së Ohrit është kompromisi politik maqedono-shqiptar. Maqedonasit hoqën dorë nga të drejtat ekskluzive mbi shtetin e Maqedonisë, duke pranuar faktin se shqiptarët gjithashtu janë konstiuent të shtetit të ri në Ballkan, ndërkaq shqiptarët hoqën dorë nga tendencat për bashkim kombëtar.
Marrëveshja Kornizë e Ohrit e nënshkruar në praninë e përfaqësuesëve të faktorit ndërkombëtar, SHBA, Bashkësia Evropiane, OSBE, NATO, është nën mbykqyrje dhe garancë ndërkombëtare. Mosjetësimi i kësaj marrëveshjeje mund të zgjojë implikime të mëdha për IRJM dhe për Ballkanin në tërësi.

Arkivi