ZHVILLIMET POLITIKO-SHOQËRORE TE SHQIPTARËT NË MAQEDONI 1990 - 2001

Referendumi i 8 Shtatorit 1991

Referendumi i 8 Shtatorit 1991

Republika e Maqedonisë për herë të parë në Ballkan u duk në përfundim të Luftës së Dytë Botërore (1944). Atë e formuan komunistët jugosllavë, si njësi federale në kuadër të Jugosllavisë socialiste. Por, Maqedonia njihej vetëm brenda Jugosllavisë socialiste dhe nuk kishte subjektivitet ndërkombëtar. Këtë subjektivitet, Maqedonia mund ta fitonte vetëm përmes deklarimit plebishitar (referendumit gjithëpopullor), ku popujt që jetonin në këtë shtet do të shprehnin vullnetin e tyre për shtet të pavarur. Pra, popujt që jetonin brenda kufijve të Maqedonisë duhej të vërtetonin faktin se a janë për pavarësi dhe sovranitet të Maqedonisë.

Në prag të referendumit gjithëpopullor, në Maqedoni, lindën dy tendenca të kundërta që binin ndesh me njëra-tjetrën. Nga njëra anë, tendenca maqedonase dhe nga ana tjetër, tendenca shqiptare. Faktori politik maqedonas, përmes referendumit të suksesshëm përpiqej t’ia imponojë faktorit ndërkombëtar Maqedoninë si shtet kombëtar maqedonas. Kjo tendencë në mënyrë të vrazhdë e anashkalonte interesin e popujve të tjerë që jetonin në Maqedoni, në veçanti, interesin kombëtar të shqiptarëve. Ndërkaq, faktori politik shqiptar i ndikuar nga rrethanat në pjesët tjera të Jugosllavisë socialiste (lufta në Kroaci kishte filluar dhe merrte përmasa të gjera, Z.R.) nuk kishte vizion të qartë politik se ç’duhej të bënin në këtë moment shqiptarët e Maqedonisë. Dilema e faktorit politik shqiptar i dha hapësirë manevruese faktorit politik maqedonas, i cili përpiqej të formësojë shtetin nacional maqedonas, që ishte në kundërshtim me realitetin etnik të Maqedonisë. Rrethanat politike që mbretëronin në Maqedoni në këtë kohë kërkonin veprim të qartë politik me qëllim që shqiptarëve të Maqedonisë mos t’u përsëritej historia e vitit 1912 dhe 1944. Qarqe të ndryshme intelektuale dhe politike shqiptare, me të drejtë shtronin pyetjen, se çka fitonin shqiptarët e Maqedonisë nga ky referendum? Bindja e përgjithshme ishte se populli shqiptar jo vetëm se nuk fitonte asgjë, por me këtë i jepte legjitimitet një shteti që përpiqej të fitojë legjitimitet ndërkombëtar pa shqiptarët si popull konstituent i tij. Andaj, populli shqiptar në Maqedoni, tërësisht e bojkotoi referendumin, me çka e rezervoi të drejtën e vet historike për vetëvendosje në një të ardhme historike.

Tendenca e faktorit politik maqedonas për t’i shpejtuar proceset e rrumbullakësimit të pavarësisë së Maqedonisë vihej re edhe nga Qeveria e Klusevit, e cila përpiqej që me procedurë të shpejtuar të sjellë vendimin për referendum dhe krahas kësaj të rrjedhë edhe procesi për miratimin e Kushtetutës së re48.

Aprovimi i vendimit për organizimin e referendumit për sovranitetin e Maqedonisë shkaktoi plasaritje brenda faktorit shqiptar. Përfaqësuesit e zgjedhur të popullit shqiptar të Maqedonisë nuk kishin qëndrim unik rreth kësaj çështjeje me rëndësi historike. U publikuan edhe disa deklarata pro-referendumit maqedonas49, duke kërkuar edhe nga vetë kryetari Gligorov të deklarohet qartë dhe publikisht për disa kërkesa të shqiptarëve50. Por, kryetari i Maqedonisë mbeti i shurdhër dhe as që i binte ndërmend t’u përgjigjet kërkesave të faktorit politik shqiptar. Andaj, të gjitha kërkesat e ngjajshme u heshtën, si të pa qena. Heshtja e Gligorovit tregonte qartë se ai nuk kishte ndërmend që sovranitetin e Maqedonisë ta ndajë me shqiptarët.

Referendumi u përcaktua të mbahet më 8 shtator, 1991 51. Pyetja që u shtrua për popujt e Maqedonisë në këtë referendum ishte: “A jeni për Maqedoninë si shtet sovran me të drejtë që të hyhet në Lidhjen e shteteve sovrane të Jugosllavisë52.

Sipas të dhënave zyrtare në referendumin e vitit 1991 dolën 71.85 % e popullatës në Maqedoni. Mirëpo, këta fakte ishin shumë të dyshimta, sepse dihet botërisht se shqiptarët në tërësi e bojkotuan referendumin maqedonas dhe nëse këtij numri që doli në referendum i shtohet edhe përqindja zyrtare e shqiptarëve në Maqedoni (mbi 25 %), atëherë del se në referendumin e 8 shtatorit, 1991 kanë votuar më shumë se 97 % e popullatës së Maqedonisë, që në kushte të zhvillimit të proceseve demokratike është një absurd në vete. Pra, të gjitha proceset shoqërore-politike në Maqedoni zhvilloheshin në binarë të dyshimtë.

Referendumi i 8 shtatorit dhe vendimi për shpalljen e saj si festë shtetërore, për shqiptarët e Maqedonisë gjithmonë mbetën çështje kontestuese.



48 Po aty, 205.

49 >>Flaka e vëllazërimit<<, “Të dilet në referendum”, Shkup, 6 shtator, 1991, 3. Koordinatori i grupit parlamentar shqiptar, me këtë rast, duke e arsyetuar referendumin e 8 shtatorit 1991, thotë: “personalisht, jam që të dilet në referendum që do të mbahet më 8 shtator, për Maqedoni sovrane dhe të mëvetësishme” .

50 Në emër të subjektit politik shqiptar të Partisë për Prosperitet Demokratik, sekretari i kësaj partie përmes një letre i drejtohet kryetarit të Republikës së Maqedonisë, Kiro Gligorovit, në të cilën si kusht për daljen e popullit shqiptar në plebishit, kërkon:

Rihapjen e paraleleve në gjuhën shqipe për shkollat e mesme; Anulimin e dënimeve për punëtorët e arsimit për mbajtjen e evidencës pedagogjike; Konstituimin dhe fillimin e funksionimit të kuvendeve komunale të Tetovës dhe Gostivarit, sipas rezultateve të zgjedhjeve; Deklaratën e grupit parlamentar të Partisë për Prosperitet Demokratik dhe Partisë Demokratike Popullore për status të barabartë të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë; Qëndrimin e kryetarit ndaj kërkesës së shqiptarëve për status të popullit shtetformues në Republikën e Maqedonisë. Shih, dokumentin e lëshuar nga Partia për Prosperitet Demokratik, që mban datën 5 shtator, 1991, me nr. 0201-192/1, të nënshkruar nga sekretari i kësaj partie që i drejtohet kryetarit Kiro Gligorov.

51 Kiro Gligorov, Makedonija e se shto imame, Skopje 2002, 202.

52 Po aty, 207.

Arkivi