ZHVILLIMET POLITIKO-SHOQËRORE TE SHQIPTARËT NË MAQEDONI 1990 - 2001

Deklarata e pavarësisë së Maqedonisë

Deklarata e pavarësisë së Maqedonisë

Deklarata për pavarësinë e Maqedonisë ishte akti i parë politik, me rëndësi historike për Maqedoninë si shtet, pas zgjedhjeve të para plurale. Deklarata u soll në Kuvendin e Maqedonisë, më 25 janar, 199125. Ky akt i rëndësishëm ishte hapi i parë politik drejt mëvetësisë së Maqedonisë. Mbi baza të saj u ndërtuan të gjitha aktet e mëvonshme të shtetit të ri, të pavarur në Ballkan. Mirëpo, Deklarata nuk e shprehte realitetin multietnik të Maqedonisë, por përmbante karakteristika të theksuara nacionale maqedonase. Establishmenti politik maqedonas filloi të shpalosi platformën për shtetin e posaformuar etnik maqedonas. Kjo platformë nacionale maqedonase ishte në kundërshtim me aspiratat e popullit shqiptar në Maqedoni, gjë që do të shkaktojë kriza të kohëpaskohshme ndëretnike.

Deklarata e pavarësisë së Maqedonisë shënon pikënisje të synimeve të një populli që pretendon të themelojë shtet sovran. Si e këtillë edhe Deklarata për shtet të pavarur të Maqedonisë ishte pikënisje për themelimin e një shteti të ri, të pavarur në hapësirat e Gadishullit Ballkanik. Përcaktimet bazë të Deklaratës për pavarësi26, e shtrembërojnë realitetin historik dhe etnik mbi të cilat duhej të themelohet shteti i ri në Ballkan. Sipas këtyre përcaktimeve, projekti për shtetin e pavarur të Maqedonisë mbështetet mbi “integritetin territorial të shtetit maqedonas” dhe mbi “të drejtën e popullit maqedonas për vetëpërcaktim” (Neni 1 i Deklaratës). Ky formulim në mënyrë shumë të qartë përcakton karakterin e shtetit të ri si shtet nacional maqedonas, duke përjashtuar mundësinë e themelimit të një shteti multietnik, ku do të përfshiheshin shqiptarët dhe popujt tjerë që jetonin në Maqedoni.

Me rastin e aprovimit të Deklaratës për pavarësi reagimi i faktorit politik shqiptar ishte shumë i çuditshëm. Faktori politik shqiptar nën ndikimin e rrethanave që mbretëronin në Jugosllavinë socialiste, ishte në mëdyshje të plotë. Duke pasur besim të plotë te faktori i vet politik, shqiptarët nuk e manifestuan pakënaqësinë e tyre. Pra, populli shqiptar në Maqedoni ishte në pritje. Faktori më i rëndësishëm politik shqiptar, Partia për Prosperitet Demokratik konstatoi se Deklarata për pavarësi të Maqedonisë nuk kishte ndonjë rëndësi të madhe dhe se gjithëçka do të marrë të mbarën. Në fakt, faktori shqiptar duke qenë në mëdyshje, me apo pa vetëdije e mashtronte veten dhe popullin shqiptar në Maqedoni. Në Koferencën e Dytë të Partisë për Prosperitet Demokratik, të mbajtur në Teatrin e Kombësive në Shkup, më 19 maj, 1991, në raportin e kryesisë së kësaj partie, lidhur me Deklaratën për sovranitet dhe pavarësi të Republikës së Maqedonisë, thuhet: “ajo duhet të trajtohet si akt politik e kurrësesi si akt juridik dhe kushtetues. Sipas raportit, Deklarata përmban thënie parimore dhe nuk është vendim. Kjo, popullit maqedonas nuk i jep të drejtë të vendosë për popujt tjerë të Maqedonisë, veçanërisht për shqiptarët”27.

Ky konstatim i një partie serioze politike ishte një mashtrim i madh. Shumë shpejt ky konstatim u demaskua, me rastin e miratimit të akteve tjera juridiko-kushtetuese, të cilat bazë patën Deklaratën e pavarësisë së Maqedonisë.



25 >>Flaka e vëllazërimit<<, “Deklaratë për sovranitetin e Republikës së Maqedonisë”, Shkup, 27 janar, 1991, 2.

26 Në Deklaratën e pavarësisë së Maqedonisë thuhet:

Neni 1. Me këtë deklaratë shprehet sovraniteti i Republikës Socialiste të Maqedonisë në pajtim me përcaktimet kushtetuese për pavarësinë dhe integritetin territorial të shtetit maqedonas, si dhe të drejtën e popullit maqedonas për vetëpërcaktim, duke e inkuadruar edhe të drejtën për shkëputje.

Neni 2. Sistemi politik, ekonomik dhe juridik i RSM, themelohen mbi Kushtetutën e RSM dhe ligjet republikane, e në pajtim dhe me përcaktimet e shprehura në këtë deklaratë. Kushtetuta e RSFJ, ligjet federative, dispozitat e aktet tjera të përgjithshme federative do të zbatohen në territorin e RSM, në rast se nuk janë në kundërshtim me Kushtetutën e RSM, ligjet dhe vendimet republikane të Kuvendit me të cilat realizohet sovraniteti i RSM.

Neni 3. Duke shprehur sovranitetin e RSM-së, Kuvendi i RSM do të sjellë Kushtetutë të re, me të cilën përveç tjerash do të përcaktohet rregullimi shoqëror dhe simbolet e ardhshme të shtetësisë së Maqedonisë.

Neni 4. Republika Socialiste e Maqedonisë si shtet sovran vendos në mënyrë të pavarur për marrëdhëniet e ardhshme me shtetet e popujve tjerë të Jugosllavisë, në pajtim me interesat e saj, përmes rrugës së qetë dhe demokratike.

Neni 5. Kjo deklaratë, Kushtetuta e RSM, ligjet republikane dhe dispozitat e aktet tjera të përgjithshme, paraqesin bazë për vendosjen dhe veprimin, si të organeve dhe organizatave republikane, po ashtu edhe të organeve dhe organizatave federative në territorin e RSM.

Neni 6. Kuvendi i RSM dhe organet kompetente të Republikës, për sjelljen e Kushtetutës së re, munden edhe në mënyrë të pavarur të ndërmarrin masa për mbrojtjen dhe përparimin e pozitës dhe të drejtave të pjesëve të popullit maqedonas të cilët si pakica jetojnë në vendet fqinje, për maqedonasit në vendet tjera, për mërgimtarët nga Maqedonia dhe për qytetarët me punë të përkohshme në botë.

Neni 7. Në rast se me marrëveshje dhe në mënyrë demokratike nuk zgjidhen marrëdhëniet e ndërsjella të republikave sovrane në RSFJ, ose kjo bëhet në mënyrë në të cilën sovraniteti i Republikës rrezikohet, Kuvendi i RSM do të sjellë ligj kushtetues me të cilin do t’i caktojë çështjet tjera me rëndësi kushtetuese-juridike me të cilat RSM si shtet i pavarur do ta marrë përsipër realizimin e të drejtave sovrane që i ka realizuar nëpërmjet organeve të RSFJ dhe do ta caktojë mënyrën e marrëveshjes me republikat tjera për trashëgiminë juridike të RSFJ dhe për marrëdhëniet e ndërsjella, sipas parimeve të së drejtës publike ndërkombëtare.

27 >>Koha<<, “Konferenca e Dytë e Partisë për Prosperitet Demokratik”, Prishtinë, 22 maj, 1991, 23.

Arkivi