ZHVILLIMET POLITIKO-SHOQËRORE TE SHQIPTARËT NË MAQEDONI 1990 - 2001

Kriza politike në Shqipëri dhe reflektimi i saj (1997)

Kriza politike në Shqipëri dhe reflektimi i saj

(1997)

Në fazën e zhvillimit të proceseve të reja në Ballkan dhe Evropë, shqiptarët e ish Jugosllavisë shpresonin se Shqipëria do të mund të imponohet si faktor i rëndësishëm, që do të mund të ndihmojë në zgjidhjen e “çështjes shqiptare” në këto hapësira. Por, kur në pranverë të vitit 1997, në Shqipëri, shpërthyen trazirat me përmasa shqetësuese, shpresat e shqiptarëve të ish Jugosllavisë u fundosën.

Ngjarjet e pranverës së vitit 1997, në Shqipëri, jo vetëm që e kthyen atë shumë pas, por ndikuan në mënyrë shumë të disfavorshme për shqiptarët në tërësi dhe për zhvleftësimin e “çështjes shqiptare”63. Edhepse këtu nuk kemi për qëllim të analizojmë shkaqet e shpërthimit të pakënaqësisë ndaj institucioneve shtetërore shqiptare apo ndaj grupimit politik që i drejtonte ata institucione, por është fakt i pamohueshëm se këto ngjarje e dëmtuan shumë rëndë “çështjen shqiptare” në dy rrafshe: në atë ndërkombëtar dhe në rrafshin e brendshëm të shqiptarëve që jetonin në trojet e ish Jugosllavisë (në veçanti, në rrafshin e brendshëm të shqiptarëve të IRJM). Në rrafshin ndërkombëtar u rigjallërua teza e vjetër, se shqiptarët nuk janë në gjendje të ndërtojnë shtet demokratik, sepse në Shqipëri pati rend dhe rregull vetëm gjatë sundimeve të dorës së fortë (1925-1939) dhe gjatë sundimit të diktaturës komuniste (1944-1990)64. Në rrafshin e brendshëm (është fjala për shqiptarët e IRJM), ngjarjet e Shqipërisë ndikuan shumë negativisht në demoralizimin e shqiptarëve dhe faktorit politik të tyre, të cilat i stimuluan qarqet nacionaliste maqedonase. Pikërisht në rrjedhë të ngjarjeve në Shqipëri, qarqet nacionaliste antishqiptare në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, duke shfrytëzuar situatën anarkiste dhe kaotike në Shqipëri realizuan skenarin e “9 Korrikut 1997”, duke u përpjekur që të eliminojnë nga skena politike ato forca politike, të cilat nuk përputheshin me konceptin e politikës nacionaliste të Kiro Gligorovit, për shtetin nacional maqedonas.



63 Prof. Dr. Emine Arifi-Bakalli: “Shqiptarët besojnë në ardhmërinë e tyre”, Kombi, New York, 1997, 150.

64 Po aty, 150.

Arkivi