ZHVILLIMET POLITIKO-SHOQËRORE TE SHQIPTARËT NË MAQEDONI 1990 - 2001

Bashkimi i faktorit politik shqiptar

Bashkimi i faktorit politik shqiptar

Në pranverë të vitit 1997, Shqipëria u zhyt në një anarki të plotë, si rezultat i falimentimit të sistemit “piramidal“. Qarqet antishqiptare serbe dhe maqedonase përpiqeshin të shfrytëzojnë momentin e dhënë për të realizuar ëndrrat e kahmotshme të tyre. Ata filluan t’i koordinojnë veprimet e tyre të kombinuara politike dhe ushtarake. Përderisa serbët, gjatë vitit 1997, i shtuan veprimet e tyre ushtarako-policore në Kosovë, maqedonasit përgatitën skenarin e “9 Korrikut” për t’i dhënë fund radikalizimit të kërkesave shqiptare. Këtyre tendencave të politikës antishqiptare, në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, subjekti politik shqiptar iu përgjigj përmes një procesi të ri, atë të bashkimit të forcave politike duke krijuar makrostruktura politike. Ky proces u bë i mundshëm pas zgjedhjeve komunale të vitit 1996. Hapin e parë, në këtë drejtim e bënë subjektet politike opozitare shqiptare, me bashkimin e tyre. Ky proces u kurorëzua me bashkimin e Partisë për Prosperitet Demokratik të Shqiptarëve dhe Partisë Demokratike Popullore, në Kongresin, e quajtur “Kongresi i Bashkimit”, më 4 korrik, 199748, në sallën e Pallatit të kulturës në Tetovë. Me këtë rast, pas përgatitjeve paraprake të Kuvendeve të degëve dhe përcaktimit të delegatëve, në Kongresin e Bashkimit u formua një parti e re politike: PARTIA DEMOKRATIKE SHQIPTARE. Ky shembull i bashkimit të subjektit politik të shqiptarëve u përshëndet nga mbarë anëtarësia e gjerë përparimtare e të dy partive si dhe nga faktori politik shqiptar jashtë IRJM.

Procesi i bashkimit të forcave politike paralajmëroi një fazë të re të strukturimit të partive politike në IRJM. Ky hap i rëndësishëm politik mundësoi formimin e makrostrukturave politike shqiptare, që do të mund të kishin ndikim më të madh në zhvillimin e proceseve politike dhe do të mund të korrigjonin gabimet e bëra deri atëherë. Mirëpo, ky proces nxiti shqetësim në qarqet nacionaliste maqedonase dhe në qarqet pro-serbe, prandaj filluan goditjet e njëpasnjëshme, jo vetëm për ta ndërprerë këtë proces, por edhe për ta zbehur veprimin politik të partisë së re dhe tërësisht për ta eliminuar nga skena politike. Kundërpërgjigja e atyre qarqeve që shihnin rrezik në bashkimin e shqiptarëve, nuk vonoi shumë. Pesë ditë pas “Kongresit të Bashkimit”, përgatitën skenarin e 9 Korrikut.

Qeveria e Cërvenkovskit përmes nxitjes së konfliktit, synonte ta fajësojë atë pjesë të faktorit politik shqiptar, që përpiqej të formojë makrostruktura politike shqiptare, si destabilizues të Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë. Reagimi i subjektit politik shqiptar që merrte pjesë në qeverinë aktuale ishte i zbehtë. Përfaqçsuesit e saj në Qeverinë e Cërvenkovskit deklaruan se për intervenimin në Gostivar dhe Tetovë “s’paskan ditur dhe nuk paskan qenë të informuar për aksionin policor në Gostivar49. Kjo deklaratë publike dëshmon qartë se, shqiptarët, edhepse pjesëmarrës të ekzekutivës shtetërore, nuk ishin faktor vendimmarrës, por shfrytëzoheshin vetëm si “figura” për t’i arsyetuar opinionit dhe Bashkësisë ndërkombëtare për “kinse” karakterin multietnik të shtetit.

Skenari i “9 Korrikut” kishte për qëllim pengimin e procesit të bashkimit të faktorit politik shqiptar dhe kthimin e fazës së servilizmit (të shqiptarëve). Në Gostivar dhe Tetovë shpërtheu terrori i shfrenuar policor kundër popullatës së pa mbrojtur shqiptare dhe aktivistëve të Partisë Demokratike Shqiptare. Torturat mizore të aktivistëve politikë të partisë së re dhe rrahjet brutale të shqiptarëve, kishin për qëllim të frikësonin popullatën. Qëllimi i fundit i këtij skenari ishte eliminimi përfundimtar nga skena politike e partisë së unifikuar, të quajtur Parti Demokratike Shqiptare.



48 “Kongresi i Bashkimit”, u quajt Kongresi në të cilin u bashkuan subjektet politike shqiptare, Partia për Prosperitet Demokratik e Shqiptarëve dhe Partia Demokratike Popullore, me ç’rast u formua Partia Demokratike Shqiptare, PDSH.

49 >>Koha<<, “Ky ishte skenar, faktori shqiptar nuk është përgjegjës”, Prishtinë, 30 korrik, 1997, 16.

Arkivi