ZHVILLIMET POLITIKO-SHOQËRORE TE SHQIPTARËT NË MAQEDONI 1990 - 2001

Njohja ndërkombëtare e Republikës së Maqedonisë

Njohja ndërkombëtare e Republikës së Maqedonisë

Marrëdhëniet me fqinjët

Përderisa faktori politik shqiptar nuk mund të gjente identitet politik, establishmenti politik maqedonas vazhdonte rrugën e pavarësisë së Maqedonisë. Kështu, pasi rrumbullakësoi procesin e brendshëm të formësimit si shtet, Maqedonia bëri përpjekje për njohjen ndërkombëtare të saj.

Bullgaria - ishte shteti i parë që e njohu Maqedoninë, kur qeveria bullgare më 15 janar, 1992, e njohu Maqedoninë si shtet të pavarur116. Më 1 tetor, 1992, Republika e Bullgarisë hapi konzullatën gjenerale në Shkup, ndërsa më 1 shkurt, 1993, Republika e Maqedonisë hapi konzullatën gjenerale në Sofje. Më 21 dhjetor, 1993, qeveritë e dy vendeve vendosën marrëdhënie të plota diplomatike në nivel të Ambasadave117.

Gjithashtu me Republikën e Bullgarisë u bënë shumë takime në nivel të kryetarëve të shteteve; të parlamenteve; të kryetarëve të qeverive dhe në nivel të Ministrive të Punëve të Jashtme.

Gjatë vitit 1992 dhe 1993, ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë u nënshkruan shumë marrëveshje bilaterale:

- Më 1992, midis Bullgarisë dhe Maqedonisë u nënshkrua kontrata për vendosjen e marrëdhënieve konzullare dhe hapjen e Konzullatave në të dy vendet;

- Më 20 nëntor, 1992, në Shkup u nënshkrua Kontrata për bashkëpunim midis Ministrive të Punëve të Brendshme të të dy vendeve

- Gjatë vitit 1993, në Shkup u nënshkrua Marrëveshja për shkëmbim ekonomik dhe tregtar (kjo nuk u ratifikua nga parlamenti bullgar);

- Më 19 tetor, 1993, në Sofje u nënshkrua Marrëveshja për transportim ndërkombëtar të mallërave dhe udhëtarëve;

- Më 25 nëntor, 1993, në Sofje u nënshkrua Konventa konsullare midis dy vendeve (kjo nuk u ratifikua nga parlamenti i Bullgarisë);

Turqia - Republika e Maqedonisë më 24 dhjetor, 1992, shpalli Dekretin për ratifikimin e Ligjit për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën e Turqisë118.

Organizata e Kombeve të Bashkuara - më 9 prill, 1993119, Republika e Maqedonisë u pranua si anëtare e 181 pranë Organizatës botërore. Sipas Rezolutës 817, të miratuar nga Kuvendi i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, në dokumentet e organizatës botërore, Republika e Maqedonisë u emërua:

“ISH REPUBLIKA JUGOSLLAVE E MAQEDONISË” –

I R J M ( FYROM ) 120.

Shqipëria - e njohu pavarësinë e IRJM pak ditë pas njohjes së saj nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, më 26 prill, 1993. Më 24 dhjetor, 1993, Shqipëria dhe IRJM vendosën marrëdhënie diplomatike. Përfaqësuesit diplomatik në të dy vendet punonin edhe më parë dhe me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike këto Përfaqësi u ngritën në Ambasada. Ambasador i parë i Shqipërisë në IRJM u emërua z. Shaban Murati, ndërsa nga IRJM në Shqipëri u emërua Nikolla Todorçevski121.

Në fazën fillestare u nënshkrua:

- Marrëveshja për bashkëpunim në Arsim dhe marrëveshja për bashkëpunim tekniko-shkencor, si dhe shumë protokole për bashkëpunim midis Ministrive për Punë të Brendshme, për Ekonomi, për Bujqësi, për Urbanizëm, Ndërtimtari dhe Mbrojtjen e Ambientit jetësor;

Pas kësaj një kohë pati ngecje në zhvillimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe IRJM. Më vitet e mëvonshme (1997 dhe 2000) do të nënshkruhen edhe shumë marrëveshje tjera. Gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri, të Ministrit për Punë të Jashtme të IRJM, z. Hanxhiski (1997), u nënshkruan gjashtë marrëveshje:

- Marrëveshja për mirëmbajtje, ripërtërirje dhe përcaktim të vijës kufitare;

- Marrëveshja për masat për pengim dhe zgjidhje të incidenteve në kufirin shqiptaro-maqedonas;

- Marrëveshja për heqjen e vizave për pasaportat diplomatike;

- Marrëveshja për rregullimin e komunikacionit kufitar në zonën kufitare;

- Marrëveshja për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve dhe

- Marrëveshjen për bashkëpunim ekonomik dhe tregtar.

Në vitin 2000 u bë edhe vizita e parë zyrtare e kryetarit të Qeverisë shqiptare, z. Fatos Nano në Maqedoni, kur u nënshkruan edhe disa marrëveshje bilaterale:

- Marrëveshja për përfundimin reciprok të lëndëve gjyqësore;

- Marrëveshja për ndihmë juridike në lëndët penale qytetare;

- Marrëveshja për ekstradim;

- Marrëveshja për t’iu shmangur tatimit të dyfishtë;

- Marrëveshja për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes së bimësisë;

- Marrëveshja për bashkëpunim në fushën e veterinarisë dhe;

- Marrëveshja për komunikacionin ndërkombëtar të udhëtarëve dhe mallrave dhe bashkëpunim reciprok midis Drejtorive të doganave të të dy vendeve.

Greqia - nuk e njihte Maqedoninë si shtet me emrin e saj, Republika e Maqedonisë.

Por, më 13 shtator, 1995, në Njujork u nënshkrua Marrëveshja e përkohshme midis Republikës së Greqisë dhe Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, me çka filluan marrëdhëniet e para midis këtyre dy shteteve, ndërsa dallimet për emrin e Maqedonisë u lanë të bisedohet nën mbikqyrjen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Në janar, 1996, në Shkup u hap Zyra për lidhje me Greqinë. Shefi i parë i kësaj zyre u emërua Aleksandros Maljas. Kah mesi i shkurtit 1997, në Athinë u hap Zyra për lidhje e IRJM. Shefi i parë i kësaj zyre u emërua Lupço Arsovski.

Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së përkohshme në Njujork, më 13 tetor, 1995, u nënshkrua Memorandumi për masat praktike në lidhje me realizimin e Marrëveshjes së përkohshme. Kjo mundësoi që po në të njëjtin vit, në Athinë, të nënshkruhen Protokollet për regjim reciprok të vizave dhe taksave, për komunikacion dhe transport, për punët doganore dhe kartuçi i gjelbërt ndërkombëtar për sigurimin e automjeteve122.

Jugosllavia - vendosi marrëdhënie diplomatike me IRJM më 8 prill, 1996, me nënshkrimin e Marrëveshjes për rregullimin e marrëdhënieve dhe përparimin e bashkëpunimit midis dy vendeve. Në qershor, 1996, u hap Ambasada e Jugosllavisë në IRJM. Ambasador i parë u emërua Zoran Janaçkoviq, ndërsa IRJM Ambasadën e vet në Jugosllavi e hapi në shtator, 1996. Ambasador i parë i IRJM u emërua Sllavko Milosavlevski.

Me Jugosllavinë janë nënshkruar disa marrëveshje:

- Marrëveshja për tregti;

- Marrëveshja për komunikacion të rregullt ajror;

- Marrëveshja për transport ndërkombëtar të mallrave dhe udhëtarëve;

- Marrëveshja për rregullimin e komunikacionit hekurudhor kufitar;

- Marrëveshja për nxitje të ndërsjellë dhe mbrojtje të investimeve;

- Marrëveshja për bashkëpunim doganor dhe ndihmë reciproke;

- Marrëveshja për shmangie të tatimit të dyfishtë në marrëdhënie të tatimit të të ardhurave dhe në kapital;

- Marrëveshja për bashkëpunim në fushën e veterinarisë;

- Marrëveshja për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes së bimësisë;

- Protokolli për shkencë, teknikë dhe bashkëpunim ekonomik në fushën e bujqësisë;

- Marrëveshja për bashkëpunim tekniko-shkencor;

- Marrëveshja për bashkëpunim në fushën e kulturës, arsimit dhe sportit;

- Konventa konzullare dhe;

- Marrëveshja për heqjen e vizave.



116 Ministerstvo za Nadvoreshni raboti, “Odnosite i sorabotkata na Republika Makedonija so sosednite zemji”, 4. Dokumenti i Ministrisë së Punëve të Jashtme të IRJM.

117 Po aty, 4.

118 Dekreti me Nr. 08-5034/1, Shkup, 24 dhjetor, 1992. Sluzhben vesnik na Republika Makedonija, nr. 83, 30 noemvri, 1992.

119 >>Flaka e vëllazërimit<<, “Republika e Maqedonisë anëtare e OKB”, 11 prill, 1993.

120 FYROM - Former Yogoslav Republic Of Macedonia (IRJM - Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë). Prej momentit të pranimit të Republikës së Maqedonisë ajo zyrtarisht filloi të quhet me këtë emër. Sllavo-maqedonasit në të shumtën e rasteve në përdorim të brendshëm e kundërshtonin përdorimin e këtij emërtimi të ri edhepse vetë udhëheqësia e tyre e pati pranuar si të tillë. Andaj nga ky moment edhe në këtë punim shtetin e Maqedonisë do ta emërtojmë me emrin zyrtar Ish Republika e Maqedonisë.

121 Ministerstvo za Nadvoreshni raboti na Republika Makedonija, “Odnosite i sorabotkata na Republika Makedonija. so sosednite zemji”, (kopja ruhet në selinë e PDSH, Tetovë)

122 Po aty.

Arkivi