ZHVILLIMET POLITIKO-SHOQËRORE TE SHQIPTARËT NË MAQEDONI 1990 - 2001

Zgjedhja e kryetarit të Maqedonisë

Zgjedhja e kryetarit të Maqedonisë

Posa u aprovua Deklarata për pavarësi, në Kuvendin e Maqedonisë u shtrua zgjedhja e kryetarit të Republikës. Kryetar i parë i Maqedonisë së pavarur u zgjodh Kiro Gligorovi28. Metodologjia e zgjedhjes së kryetarit të Maqedonisë nuk ndryshoi aspak nga metodologjia tipike e ish-sistemit komunist. Sipas dëshmive të vetë Gligorovit, kandidimi i tij nuk ka rrjedhur sipas procedurës legale parlamentare (bisedimeve midis udhëheqësve të forcave relevante politike parlamentare, Z.R.), por sipas marrëveshjeve të prapaskenave të akademikëve dhe intelektualëve maqedonas që qysh më herët ishin të angazhuar në “Forumin maqedonas” për përgatitjen e programit nacional29. Pra, Kiro Gligorovi ishte parapërgatitur si kandidat më i përshtatshëm, idetë e të cilit përputheshin plotësisht me idetë e Forumit maqedonas. Në këtë kontekst, akademik Bllazhe Ristovski, në gazetën “Nova Makedonija”, të datës 24 janar, 1991, deklaroi: “Qysh para më shumë muajve, duke punuar në Forumin maqedonas për përgatitjen e Programit nacional maqedonas, unë u binda se Kiro Gligorovi është personi më i përshtatshëm për vendin e kryetarit, sepse ai i sublimon disa komponente relevante në rrethanat tona: shtetas me përvojë dhe politikan i shkathët, si dhe patriot i verifikuar, që në mënyrë më të përshtatshme përqëndron kontinuitetin midis ASNOM (KAÇKM) dhe shtetit të parë sovran maqedonas30.

Pra, Kiro Gligorovi erdhi në krye të Maqedonisë, jo nga zgjedhjet e drejtpërdrejta, por nga prapaskenat e qarqeve nacionaliste maqedonase, të cilët e zgjodhën atë përmes përfaqësuesve në Kuvendin e Maqedonisë, më 27 janar, 199131. Faktori politik shqiptar edhepse përfaqësonte interesat e tërë popullit shqiptar të Maqedonisë, ishte i përjashtuar nga ky proces i vendosjes. Mirëpo, edhe përkundër mospërfilljes faktori politik shqiptar e mbështeti zgjedhjen e Gligorovit për kryetar të Maqedonisë.

Platforma e Gligorovit e parashihte Maqedoninë si “shtet nacional të maqedonasve me pakicat tjera”32. Pra, cilat ishin “pakicat tjera” ? Pa dyshim, ai si pakicë nacionale e llogariste edhe popullin shqiptar të Maqedonisë, i cili në të gjitha aspektet nuk ishte pakicë. Gligorovi, duke shfrytëzuar aftësitë e tij si një politikan i shkathët përpiqej të formojë shtetin e pavarur të Maqedonisë, si shtet kombëtar maqedonas. Përveç kësaj, ai me rastin e zgjedhjes për kryetar të shtetit paralajmëron pretendimet territoriale të Maqedonisë, duke shfrytëzuar praninë e sllavëve etnik në vendet fqinje33.

Shtrohet pyetja se çfarë politike udhëhoqi kryetari Gligorov gjatë mandatit të vet ?

Shikuar nga këndvështrimi i interesit të popullit shqiptar politika e Gligorovit mund të analizohet në dy rrafshe:

1. Në rrafshin e brendshëm – qëndrimi i tij kundrejt

popullit shqiptar të Maqedonisë dhe

2. Në rrafshin e jashtëm – politika e tij ndaj Kosovës dhe Shqipërisë.

Në politikën e brendshme të Maqedonisë, Gligorovi me kalimin e kohës e qartësoi platformën e tij nacionaliste dhe njëkohësisht antishqiptare dhe antidemokratike. Gjatë kohës përderisa Gligorovi ishte kryetar, në Maqedoni ndodhën shumë kriza, të cilat në esencë kishin karakter antishqiptar. Kronologjikisht, gjatë kësaj periudhe ndodhën:

- ngjarjet e Ladorishtës së Strugës;

- sulmet brutale të policisë maqedonase, në Bit Pazar të Shkupit;

- sulmet brutale policore kundër ngritjes së Universitetit në gjuhën shqipe, në Tetovë;

- afera e armëve;

- sulmet brutale të policisë në Gostivar dhe Tetovë, në korrik 1997;

- proceset e montuara politike kundër udhëheqësve shqiptarë të komunave të Tetovës dhe Gostivarit;

- projekti fashizoid për “transportimin” e kosovarëve nëpër “korridorin” e tij (Gligorovit) …

Të gjitha këto ngjarje kanë ndodhur pikërisht në kohën kur Kiro Gligorovi ishte kryetar i Maqedonisë. Viktima të këtyre ngjarjeve ishin gjithmonë shqiptarët. Për qëllimet e fundit të tyre do të flas në pjesët tjera të këtij punimi.

Në politikën e jashtme, Gligorovi afirmon tezën e “politikës së ekuidistancës”34. Në fakt, ai zgjedh tezën më të papërshtatshme për interesin kombëtar shqiptar, sepse politika e këtillë përpiqej të copëzojë substancën kombëtare dhe politikën globale shqiptare. Një politikë e tillë ishte në favor të qarqeve ekspansioniste serbe dhe filialave të tyre në Maqedoni, të cilët synonin “pastrimin” e shqiptarëve nga Kosova dhe trojet tjera etnike. Sipas logjikës politike të ekuidistancës, çfarë do që të ndodhte në Kosovë, shqiptarët e Maqedonisë duhej të bënin “sehir”. Me fjalë të tjera, edhe nëse në Kosovë shpërthente lufta e armatosur, shqiptarët e Maqedonisë nuk duhej të përziheshin në “çështjet e brendshme të Serbisë”. Kjo tendencë ishte në kundërshtim të drejtpërdrejtë me politikën globale shqiptare dhe në kundërshtim me parimet dhe të drejtën demokratike të popullit shqiptar për t’u mbrojtur nga makineria luftarake serbe.

Kryetari i Maqedonisë, Kiro Gligorovi nuk ishte në gjendje të kuptojë zgjimin dhe vetëdijen kombëtare të shqiptarëve të ish-Jugosllavisë dhe lidhjet e tyre shpirtërore dhe kombëtare. Ai nuk ishte në gjendje të kuptojë filozofinë e veprimit të faktorit politik shqiptar, se në rast të ndonjë konflikti ushtarak, populli shqiptar do të veprojë si komb.

Gligorovi, kurrësesi nuk mund të pajtohet me Kosovën si shtet të pavarur, apo të ndarë nga Serbia. Gligorovi Kosovën e konsideron si çështje të brendshme të Serbisë, ndërsa Shqipërinë përpiqet ta njohë sikurse fqinjët tjerë, pa mos hyrë në analiza të thella për ndikimin e madh që ushtronte shteti shqiptar ndaj shqiptarëve të Maqedonisë, që ishin faktor i rëndësishëm politik në Republikën e Maqedonisë35.

Çështja e Kosovës, sipas Gligorovit nuk ekziston fare, sepse ai Kosovën e llogarit vetëm si problem të Serbisë36. Por, shtrohet dilema, pse Gligorovi është shumë i preokupuar me Kosovën dhe pse i frikësohet Kosovës së pavarur37 ?

Kryetari i Maqedonisë vë në spikamë shpërnguljen e serbëve nga Kosova, duke e fajësuar për këtë Kushtetutën e vitit 197438. Ai i shtrembëron faktet historike, të cilat dëshmojnë të kundërtën, për shpërnguljen e shqiptarëve nga vatrat Kosova dhe viset tjera shqiptare në ish-Jugosllavi. Pra, faktet historike flasin të kundërtën e asaj që thotë Gligorovi. Ato flasin për kolonizimin e Kosovës dhe të viseve tjera shqiptare me serbë dhe malazezë dhe për shpërnguljen e shqiptarëve. Me këtë rast, do të përmend vetëm disa fakte të njohura botërisht: në vitet 1918-1941 qarqet shtetërore serbe në Kosovë dhe viset tjera shqiptare vendosën me dhunë 17.679 familje sllave, të cilët grabitën tokat e shqiptarëve39. Nga ana tjetër gjatë kësaj periudhe nga trojet shqiptare u dëbuan 276.489 shqiptarë, për t’u vendosur në Anadoll të Turqisë. Poashtu, në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, 1949-1967 pushteti komunist serb në Kosovë do të krijojë rrethana tjera për dëbimin dhe shpronësimin e shqiptarëve nga trojet e veta. Rreth vitit 1950 filloi një fushatë e egër për ta nxitur popullin shqiptar, që të deklarohet me përkatësi nacionale “turke”. Në të njëjtën kohë u bë Marrëveshja Xhentelmene Tito-Kyprili, në Split, më 1953, sipas të cilës në Anadoll u dëbuan 412 000 shqiptarë40, dhe sipas planeve të Aleksandër Rankoviqit në tokat shqiptare duhej të kolonizohen 64.000 banorë sllavë.

Pra, Gligorovi nuk din asgjë ose nuk do të dijë për:

- Programin nacional serb “Naçertania”, 1844;

- Programin serb “Depërtimi në detë”, 1881;

- “Konventën jugosllavo-turke për shpërnguljen e shqiptarëve në Anadoll”, 1938;

- “Marrëveshjen Xhentelmene Tito-Kyprili për deportimin e shqiptarëve në Anadoll”, 1953;

- “Programin jugosllav për Kosovën”, 198841.

Poashtu, Gligorovi nuk din asgjë për Elaboratet e Vasa Çubrilloviqit të datës 3 Nëntor, 1944 dhe 5 Janarit, 194542.

Mbi bazë të këtij qëndrimi ndaj Kosovës, qysh në vitin 1992, në prag të Samitit të Edinburgut, Gligorovi apeloi në Bashkësinë Evropiane, për njohjen e Maqedonisë dhe angazhimin e saj për mosnjohjen e çështjes së Kosovës. Me këtë rast, ai thotë: “Njohja jonë (e ka fjalën për njohjen e Maqedonisë, Z. R.) do të lehtësonte zgjidhjen e problemit të Kosovës dhe do të mënjanonte rrezikun që kriza të bartet edhe në Maqedoni. Ai kërkon nga Bashkësia ndërkombëtare forca paqësore që do të vendosen në kufirin me Serbinë dhe Shqipërinë. Ai thotë se nëse shkaktohen trazira në Kosovë, gjithësesi do të shkaktohet konflikt ballkanik“. Gligorovi me politikën e tij dinake përpiqej të frikësojë Bashkësinë Ndërkombëtare për konfliktin e mundshëm me përmasa të gjera ballkanike. Prandaj, ai kërkon që njohja e Maqedonisë të bëhet akt i kryer, sipas konceptit të tij, me qëllim që të bëjë izolimin total të Kosovës, duke e mbajtur anën e qarqeve nacionaliste serbe. Mirëpo, duhet theksuar se Bashkësia Ndërkombëtare nuk ra në grackat e politikës së Gligorovit. Zhvillimi i mëvonshëm i ngjarjeve, gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës, dëshmoi se teza e Gligorovit ishte “falso”, sepse konflikti nuk mori përmasa ballkanike, ashtu siç propagonte kryetari i Maqedonisë.

Gligorovi do të vazhdojë të mbajë anën e nacionalistëve serbe dhe do të angazhohet haptazi te diplomatët e huaj që Kosova të trajtohet si çështje e brendshme e Serbisë. Ai pranon se diplomatëve të huaj, amerikanë dhe evropianë u ka sugjeruar se: >>nuk mund të luajnë me tezën “Kosova e pavarur” – kjo mund të ketë implikime tragjike dhe të mëdha <<42. Ai do të përpiqet deri në momentin e fundit të mbetet aleat i fshehtë i qarqeve nacionaliste serbe. Gjatë periudhës së Luftës Çlirimtare të Kosovës, Gligorovi si kryetar i Maqedonisë u përpoq të pengojë vendosjen e logjistikës së NATO në Maqedoni. Por, kësaj radhe rrethanat shoqëroro-politike në Maqedoni ndryshuan në dëm të politikës së tij. Në këtë moment, Gligorovi nuk kishte as mbështetjen e brendshme të Qeverisë së Georgievskit dhe as mbështetjen e Bashkësisë Ndërkombëtare.

Në përfundim të luftës Çirimtare të Kosovës, Gligorovi për herë të fundit do të përpiqet t’u kundërvihet rrethanave të krijuara, duke iu kundërvënë takimeve në mes të përfaqësuesëve të Kosovës dhe të Maqedonisë, si dy vende fqinje, kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe kryeministrit të Maqedonisë, Lupço Georgievskit43.

Pikëpamjet e këtilla të kryetarit të Maqedonisë, z. Kiro Gligorov nxjerrin një përfundim logjik, se ai ishte një nacionalist i madh maqedonas, një komunist tipik jugosllav, me një politikë të qartë antikosovare dhe antishqiptare, e cila vetëvetiu zhytej në ujërat e politikës serbe dhe filialave të tyre në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë.



28 Kiro Gligorov, politikan maqedonas. Lindi më 3 maj, 1917. Kreu Fakultetin juridik. I takon lëvizjes së studentëve, të para Luftës së Dytë Botërore. Në mënyrë aktive ka marrë pjesë në Luftën antifashiste, që nga viti 1941. Nga viti 1944 u bë anëtar i LKJ. Ka qenë anëtar i AVNOJ, sekretar i Këshillit iniciativ për thirrjen e ASNOM dhe anëtar i Presidiumit të Kuvendit të përkohshëm popullor të Jugosllavisë federative. Në periudhën e pas luftës ka ushtruar këto detyra dhe funksione: në periudhën 1974 -1978, ishte kryetar i Kuvendit të RSFJ, ndërsa nga viti 1948-1962, ishte profesor në Fakultetin ekonomik të Universitetit të Beogradit. Është zgjedhur (disa mandate) delegat në Kuvendin federativ dhe në Kuvendin e RS të Maqedonisë. Në Kongresin e VIII u zgjodh anëtar i KQ të LKJ, në Kongresin IX, për anëtar të Kryesisë së LKJ, në Kongresin X, anëtar i Kryesisë së KQ të LKJ, kurse në Kongresin XI të LKJ, anëtar i KQ. të LKJ, >>Flaka e Vëllazërimit<<, 30 janar, 1991, 1.

29 FORUMI MAQEDONAS për përgatitjen e programit nacional maqedonas e kishte zanafillën në prag të reformimit të komunistëve maqedonas. Në fakt, në prag të shpërbërjes së Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, në Lidhjen Komuniste të Maqedonisë filluan të bëhen reforma. Në krye të këtyre reformave ishte Petar Goshevi, i cili në vitin 1989 u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Maqedonisë. Kiro Gligorovi në këtë kohë jetonte në Beograd, por për çdo javë kthente nga Beogradi në Shkup te zyra e Petar Goshevit, i cili në kuadër të Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Maqedonisë kishte formuar Komisionin për reforma, i ashtuquajtur “Komisioni i Goshevit”. Sipas Gligorovit, në këtë organ është diskutuar për demokratizimin e Maqedonisë, për privatizimin dhe angazhimin për ekonomi të tregut, për çështjet e pakicave nacionale në Maqedoni dhe jashtë saj etj.

Në ndërkohë, një grup intelektualësh maqedonas në Shkup formuan Forumin maqedonas. Në këtë grup bënin pjesë: akademikët Bllazhe Ristovski, Nikolla Klusevi, Cvetan Grozdanovi, Ksente Bogoevi, regjisori Lubisha Georgievski, profesori Kiril Temkovi (sekretar i Forumit) dhe Kiro Gligorovi. Sipas Gligorovit, në Forumin maqedonas është diskutuar rreth përpilimit për një program nacional me qëllim që të përcaktohen rrugët se si Maqedonia të dalë nga kriza dhe të formohet si shtet sovran. Kiro Gligorov, Makedonija e se shto imame, Kultura, Skopje, 157.

30 Kiro Gligorov: Makedonija e se shto imame, Kultura, Skopje 2002, 167.

31 >>Flaka e vëllazërimit<<, “Kiro Gligorov-kryetar i Republikës së Maqedonisë”, 30 janar, 1991.

32 Kiro Gligorov, Makedonija e se shto imame, Skopje, 2000, 169. Me rastin e zgjedhjes për kryetar të Republikës së Maqedonisë, në fjalën e tij para deputetëve të Kuvendit të RSM, Kiro Gligorov, në mes tjerash tha: “…përkrahjen e vlerësoj si legjitimitet të marrë që të angazhohem për Republikën tonë dhe për interesat e saj si përfaqësues i popullit maqedonas, të gjitha nacionaliteteve dhe të gjithë banorëve të Maqedonisë. Vetëm në një bazë të këtillë mund të ndërtojmë shtet sovran dhe modern juridik, të aftë të marr edhe vendime më vendimtare për ardhmërinë e popullit maqedonas, për nacionalitetet tjera që jetojnë në të, për të gjithë qytetarët e Maqedonisë”.

33 Kiro Gligorov: Makedonija e se shto imame, Kultura, Skopje 2002, 170, citoj: “… sipas meje, çështje kyçe paraqet sovraniteti i shtetit maqedonas, fati i pjesëve të popullit maqedonas në vendet fqinje…”

34 Po aty, 431. Citoj: “Politika e ekuidistancës parashikon fqinjësi të mirë me të gjithë fqinjët, por asnjëri prej tyre të mos ketë përparësi (privilegje) në këto marrëdhënie, me qëllim që asnjë nga fqinjët të mos ketë pozitë dominante që të mund të ndikojë në politikën e jashtme dhe të brendshme …”

35 Po aty, 431-432.

36 Po aty, 454.

37 Po aty, 454-455, 458. Në librin e tij, “Makedonija e se shto imame”, ai përpiqet të shpjegojë shkaqe të ndryshme, midis të cilave ai përmend, rritjen mekanike të numrit të shqiptarëve në Maqedoni, sidomos pas tërmetit të vitit 1963, kur shumë shqiptarë nga Kosova vinin të punojnë, siç thotë ai, si punëtorë ndërtimi dhe largimin nga Kosova të popullatës serbe dhe popullsisë jo shqiptare. Sipas tij, shqiptarët atje arritën 90 % nga popullsia e përgjithshme. Ai është paranoik dhe thotë, se kjo frymë mund të lidhet me popullsinë shqiptare në Maqedoni dhe të mbijetojë ideja për “Shqipërinë e Madhe”.

38 Sipas Kushtetutës së RSFJ, të vitit 1974, Kosova njihet si pjesë konstituive e Federatës jugosllave. Ustav na Socijalistiçka Federativna Republika Jugosllavija, Neni 2: “Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë e përbëjnë: RS e Bosnjës dhe Hercegovinës, RS e Maqedonisë, RS e Sllovenisë, RS e Serbisë, si dhe KSA e Vojvodinës dhe e Kosovës të cilat janë në përbërje të RS të Serbisë, RS e Kroacisë dhe RS e Malit të Zi; Botim i Gazetës zyrtare të RSM, Shkup 1974, 29.

39 Hakif Bajrami, Politika serbe për rikolonizimin e Kosovës, Prishtinë, 2002, 617.

40 Po aty, 621.

41 Po aty, 614.

42 Mbi baza të këtyre Elaborateve, Tito më 8 shkurt, 1945, në saje të kërkesës së M.Gjillasit dhe A. Rankoviqit vendosi diktaturën ushtarake në Kosovë. Me këtë akt filloi tragjedia e shqiptarëve të Kosovës, ku serbët mund të vrisnin shqiptarë dhe të mos i përgjigjen askujt për këto krime.

42 Kiro Gligorov, Makedonija e se shto imame, Skopje 2002, 462.

43 Kiro Gligorovi shkruan në librin e tij se: “Vizita e Hashim Thaçit, në cilësinë e kryeministrit të përkohshëm të Kosovës në Shkup dhe vizita e kryeministrit të Maqedonisë, Lupço Georgievski, në Prishtinë, si dhe synimi i hapjes së përfaqësisë maqedone në Kosovë, është negative. Ai thotë se këto qëndrime e llogarisin Kosovën si fqinj të pestë të Maqedonisë. Për të konstatuar, se në tërë politikën e Georgievskit ka një prapavijë të thellë, në të cilën ndikim të madh në qeveri ka faktori shqiptar, përmes partisë së Arbën Xhaferit, e cila haptzi insiston për Kosovën e pavarur, 463.

Arkivi