ZHVILLIMET POLITIKO-SHOQËRORE TE SHQIPTARËT NË MAQEDONI 1990 - 2001

Regjistrimi i popullsisë në IRJM - 1990-2001

Regjistrimi i popullsisë në IRJM - 1990-2001

Në IRJM jetojnë popuj me përkatësi të ndryshme etnike, sllavë dhe josllavë. Nga vetë përbërja etnike ky vend paraqet një shtet multietnik në Ballkan. Me shpalljen e IRJM, shtet i pavarur, pritej të fillojë procesi i identifikimit të veçantive etnike, që mund të bëhej përmes regjistrimit real të popullsisë. Gjatë kësaj periudhe u bënë dy regjistrime, i pari në vitin 1991 dhe i dyti në vitin 1994 (regjistrim i jashtëzakonshëm, Z.R).

1948 1953 1961 1971 1981

Maqedonas

789 648

68.5 %

860 699

66 %

1 000 854

71.2 %

1 142 375

69.3 %

1 279 323

67. 0 %

Shqiptarë

197 389

17.1 %

162 524

12.4 %

183 108

13.0 %

279 871

17.0 %

377 208

19.8 %

Turq

95 940

203 938

131 484

108 522

86 591

Rom

19 500

20 462

20 606

24 505

43 125

Serbë

29 721

35 112

42 726

46 465

44 468

Vlleh

9 511

8 668

8 046

7 190

6 384

Bullgarë

889

920

3 087

3 334

1 980

Regjistrimi në IRJM gjatë kohës së Jugosllavisë socialiste 1.

Nëse e shfletojmë historikun e regjistrimeve të popullsisë në këtë vend, gjatë kohës kur kjo ishte pjesë e Jugosllavisë socialiste do të vërejmë qartë tendencën për rritje të popullatës sllave dhe njëkohësisht tendencën për zvogëlim të popullatës josllave, sidomos të asaj shqiptare. Nuk do shumë mend se gjatë tërë kohës së ekzistimit të Jugosllavisë socialiste, në këtë republikë janë bërë përpjekje që në forma të ndryshme të zvogëlohet përqindja e popullatës shqiptare.

Nga tabela mund të shihet qartë “loja” me regjistrimet e popullsisë në IRJM në kohën e Jugosllavisë socialiste. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, më 1948, në IRJM kishte 17.1 % shqiptarë. Pesë vjet më vonë kjo përqindje zbriti në 12.4 %. Pra, shihet qartë se manipulimi me përqindjen e shqiptarëve në në këtë republikë ishte shumë i madh.

Më 1991, në shtetin e posaformuar të IRJM u organizua regjistrimi i popullsisë. Por, në ato rrethana historike, shqiptarët në tërësi e bojkotuan regjistrimin nga droja e një manipulimi të ri me përqindjen e tyre. Në Entin statistikor nuk ishte i punësuar asnjë shqiptar. Si rrjedhojë, e kësaj shqiptarët nuk kishin besim se mund të bëhet një regjistrim real i popullsisë. Edhepse, regjistrimi i vitit 1991 u bojkotua në tërësi, Enti statistikor rezultatet i shpalli në bazë të vlerësimeve të tij. Sipas këtyre vlerësimeve IRJM më 1991, kishte gjithsej 2.033.964 banorë, ndërsa përbërja etnike ishte si vijon:

Maqedonas

1 328 187

65.3 %

Shqiptarë

441 987

21.7 %

Turq

77 080

3.8 %

Rom

52 103

2.6 %

Vlleh

7 764

0.5 %

Serbë

42 755

2.2 %

Regjistrimi i popullsisë në IRJM në vitin 1991.

Më 1994, në IRJM, u bë regjistrimi i ri i popullsisë, i cili u quajtë regjistrim i jashtëzakonshëm. Ky regjistrim u organizua nga 27 qershori deri më 5 korrik, 1994 dhe u zhvillua nën mbikqyrje dhe finacim ndërkombëtar 2.

Përbërja dhe përqindja etnike e popullsisë së shtetit të pavarur kishte rëndësi të madhe politike. Çështja e regjistrimit nuk ishte problem për grupet e vogla etnike, si: turqit, romët, vllehët dhe serbët, por ishte problem për raportet shoqërore e politike shqiptaro-maqedonase dhe përqindja e tyre në këtë shtet, të cilët ishin elemente të rëndësishme për përkatësinë e shtetit të ri të pavarur. Faktori politik maqedonas përmes regjistrimit të popullsisë përpiqej që Bashkësinë ndërkombëtare ta vë para faktit të kryer. Për ta realizuar regjistrimin e jashtëzakonshëm, vetë kryetari Gligorov, siç thotë, përpiqej ta bind kryeministrin Cërvenkovski për t’u organizuar regjistrimi, jo për diç tjetër, por për t’u vërtetuar, ndërkombëtarisht, përqindja e shqiptarëve në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë 3, me qëllim që, siç thotë ai: “shqiptarëve, njëherë e përgjithmonë t’u merret e drejta e kontestimit të shtetit”(është fjala për shtetin etnik maqedonas, Z.R.)4.

Sipas Ligjit, në regjistrimin e jashtëzakonshëm të popullsisë së Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, nuk hynin personat që ishin banorë të Maqedonisë, që përkohësisht jetonin në botën e jashtme5.

Regjistrimi i jashtëzakonshëm i viti 1994, nën “mbikqyrjen ndërkombëtare”, në IRJM nxori në shesh një absurd të llojit të vet. Sipas tij numri i përgjithshëm i popullsisë në këtë shtet kishte rënë, në krahasim me regjistrimin e vitit 1991. Atëbotë, Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë kishte gjithsejt 2.033.964 banorë6, ndërsa, në vitin 1994, numri i popullsisë ishte zvogëluar në 1.936.877 banorë7. Nga shifrat në tabelën e mësipërme mund të shihet se në vitin 1994, Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë ka pasur 97.087 banorë më pak se katër vjet më parë, përderisa numri i shqiptarëve, ishte rritur për vetëm 927 banorë.

Gjithsej banorë: 1. 936 877 ose në përqindje:

Maqedonas 1. 288 330 66.5

Shqiptarë 442 914 22.9

Turq 77 252 4.

Rom 43 732 2.3

Vlleh 8 467 0.4

Serbë 39 260 2.

Rezultatet zyrtare të regjistrimit të jashtëzakonshëm të vitit 1994.

Edhe kësaj radhe u vërtetua manipulimi i madh me përqindjen etnike të popullsisë në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Edhe me këtë regjistrim nuk u arrit të kuptohet saktë përbërja etnike e popullsisë në shtetin e ri të posaformuar.

Pra, çështja e përbërjes etnike të Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë mbeti e hapur. Faktori shqiptar ishte i bindur se popullata shqiptare në këtë shtet përfshinë së paku 1/3 e popullsisë së saj. Kjo e dhënë bazohej në regjistrimin intern që kishte bërë faktori shqiptar si dhe nga rezultatet e referendumit për Autonomi politike territoriale të shqiptarëve, ku vetëm numri i votuesve, me të drejtë vote, arrinte afërsisht 400.000 banorë8.



1 Statistiçki godishnik na Republika Makedonija, Skopje 1997, 94.

2 >>Zëri<<, “Regjistrimi është i rëndësishëm për ardhmërinë e Maqedonisë”, Prishtinë, 28 maj 1994, 15.

3 Kiro Gligorov, Makedonija e se shto imame, Kultura, Skopje, 2002, 240.

4 Po aty.

5 Sllavko Millosavlevski – Mirçe Tomovski: Albancite vo Republika Makedonija 1945-1995, Skopje 1997, 295.

6 Statistiçki godishnik na Republika Makedonija, Skopje, 1997, 94

7 Po aty.

8 Nga raporti i Kuvendit të Autonomisë politike territoriale të shqiptarëve në Maqedoni thuhet se kanë votuar gjithsej 360.928 votues.

Arkivi