ZHVILLIMET POLITIKO-SHOQËRORE TE SHQIPTARËT NË MAQEDONI 1990 - 2001

Përplasjet në Partinë për Prosperitet Demokratik dhe ndarja e saj

Përplasjet në Partinë për Prosperitet Demokratik

dhe ndarja e saj

Me pjesëmarrjen e PPD si partner i koalicionit të Qeverisë së Cërvenkovskit, nga viti 1992 marrëdhëniet brenda faktorit politik shqiptar filluan të ashpërsohen. Faktorët që ndikuan në ashpërsimin e këtyre marrëdhënieve ishin të natyrës subjektive, mosdurimet ndërnjerëzore dhe ndërmjet grupeve të ndryshme dhe të natyrës politike, PPD nuk kishte strategji për zgjidhjen e çështjes shqiptare në Maqedoni. Në fakt, të dy partitë shqiptare, Partia për Prosperitet Demokratik dhe Partia Demokratike Popullore e pranonin integritetin territorial të Maqedonisë dhe zgjidhjen e çështjes shqiptare e shihnin brenda Maqedonisë. Mirëpo, përplasjet ndodhën pikërisht për çështjen e dytë, se si të zgjidhet çështja shqiptare brenda Maqedonisë.

Qëndrimet kundërthënëse të faktorit shqiptar e hutuan edhe faktorin ndërkombëtar, që ishte i angazhuar për çështjen e Maqedonisë. Lordi Gert Arens, që ishte caktuar udhëheqës i Grupit punues për nacionalitetet dhe pakicat nacionale nga Konferenca e Londrës, pas shumë kontakteve me lidershipin shqiptar, u deklarua publikisht, se “nuk e ka të qartë se çfarë kërkojnë shqiptarët104. Kjo deklaratë e një zyrtari të lartë evropian tregon qartë se faktori politik shqiptar nuk dijti më së miri të shtrojë çështjen e shqiptarëve të Maqedonisë tek Bashkësia ndërkombëtare.

Faktori politik që kishte mandatin e popullit shqiptar, në momentin vendimtar, kur u krijua shteti i ri në Ballkan hamendej në mes të opcioneve të ndryshme. Ai nuk diti të menaxhojë politikën e faktorit ndërkombëtar dhe interesin e tij gjeostrategjik në Ballkan, për t’ia përshtatur atë politikës së interesave të popullit të vet. Faktori maqedonas këtë dobësi e shfrytëzoi me mjeshtri të përkryer, duke ngritur shtetin nacional maqedonas.

Faktori politik maqedonas krahas formimit të shtetit të pavarur bënte përpjekje serioze drejt njohjes ndërkombëtare të Maqedonisë. Mirëpo, në këtë proces nuk dukej asnjë interes me rëndësi kombëtare për shqiptarët e Maqedonisë në shtetin e ri. Të gjithë aktvendimet më të rëndësishme në shtetin e pavarur u sollën pa pëlqimin e shqiptarëve105. Shtrohej pyetja, edhe çka duhej të ndodhte, që udhëheqja politike shqiptare të kuptonte, se në shtetin e ri, të posakrijuar, populli shqiptar i kishte humbur të gjitha të drejtat kombëtare, si ato të trashëguara, ashtu edhe ato historike.

Prandaj, kursi i politikës duhej të ndërrohej patjetër, sepse zhvillimet politike nuk shkonin në favor të proceseve demokratike dhe të barazisë së plotë të popullit shqiptar. Në partinë më të madhe shqiptare, PPD, filluan shqetësimet e anëtarësisë së gjerë. Degët kryesore të saj, ajo e Tetovës, e Gostivarit dhe e Strugës i filluan reformat në drejtim të ndërrimit të kursit politik. Pikërisht, në këtë moment në horizont filluan të dallohen dy vija politike brenda subjektit politik shqiptar. Njëra prej tyre mbështeste politikën e vjetër, të pritjes, ndërsa vija e re politike kërkonte përshpejtim të proceseve, duke marrë një qëndrim më të vendosur në favor të interesave të popullit shqiptar në Maqedoni. Çështja arriti deri në organin më të lartë të partisë, Kuvendin Qendror të partisë më të madhe shqiptare106, me çka u thirr seanca III e tij. Për shkak të ngecjeve të proceseve politike, në organin më të lartë partiak u mblodhën nënshkrime107, për shkarkimin e udhëheqësisë partiake të Partisë për Prosperitet Demokratik. Zhvillimi i ngjarjeve solli dorëheqjen e udhëheqësisë së Partisë për Prosperitet Demokratik dhe Kongresin e parakohshëm të kësaj partie.

Shkaqet kryesore të kundërthënieve brenda subjektit politik shqiptar, ishin :

1. Mungesa e platformës së veprimit politik,

2. Pozita e margjinalizuar e shqiptarëve në sistem,

3. Mossukeseset për të bërë ndërrime në sistem,

4. Participimi në qeverinë e koalicionit pa kushtëzime dhe pa platformë,

5. Anashkalimi i jetësimit të Autonomisë politiko-territoriale të shqiptarëve në Maqedoni.

Është interesant anketimi i opinionit shqiptar, në këtë kohë në Maqedoni për zhvillimet brenda subjektit politik shqiptar: Sipas tyre 33.47 % e të anketuarëve mendonin se konfrontimet në Partinë për Prosperitet Demokratik shpërthyen për shkak të çështjes së pazgjidhur të statusit politik të shqiptarëve në Maqedoni, ndërsa 26.29 % mendonin se kundërthëniet ishin pasojë e qasjeve të ndryshme për statusin politik të shqiptarëve në Maqedoni, “Popull shtetformues” apo “Autonomi politike territoriale – Republika e Iliridës “108.

Si rrjedhojë e situatës së rëndë brenda faktorit politik shqiptar, pasuan fajësimet publike, ku kryetari i partisë më të madhe shqiptare, e cila në fakt ishte bartëse e proceseve politike në Maqedoni, në vend që të fajësojë establishmentin politik maqedonas për mosrealizimin e përcaktimeve programore të partisë së tij, fajësoi diasporën shqiptare të Gjermanisë dhe Zvicrës109 dhe Shqipërinë110.

Kongresi II i Partisë për Prosperitet Demokratik

Pas përgatitjeve të gjata të grupeve të proviniencave të ndryshme politike, që dolën më herët në skenë brenda Partisë për Prosperitet Demokratik dhe pas takimeve e konsulltimeve të shumta, në Tiranë dhe në Prishtinë, më në fund u thirr Kongresi II i parakohshëm i Partisë për Prosperitet Demokratik. Përgatitjen e Kongresit e bëri “Këshilli i përbashkët për përgatitjen e Kongresit111 solli vendimin që Kongresi të mbahet më 12 shkurt, 1994, në Tetovë, në sallën e madhe të Pallatit të kulturës. Këshilli i përbashkët zgjodhi komisionet e përbashkëta për organizimin e Kongresit dhe më 7 shkurt, 1994, në prag të Kongresit, mbajti mbledhjen e dytë të tij. Në këtë mbledhje në rend dite ishte shqyrtimi i propozim dokumenteve dhe raportet e komisioneve. Me këtë rast u miratua Projekt-programi i Kongresit dhe u hartuan kriteret për përfaqësimin e delegatëve. Sipas tyre Kongresi, gjithësej, duhej të kishte 244 delegatë.

Më 12 shkurt, 1994, ashtu siç ishte e paraparë, solemnisht u hap Kongresi i parakohshëm i Partisë për Prosperitet Demokratik. Në punimet e Kongresit merrnin pjesë shumë të ftuar, midis të cilëve: Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Tritan Shehu, përfaqësuesi i Partisë Republikane të Shqipërisë, Kryetari i Partisë Demokratike Popullore, Iljaz Halimi, Kryetari i Forumit për të drejtat e njeriut, Milaim Fejziu, anëtari i Qeverisë së Kosovës, Muhamet Bicaj, ndërsa telegram përshëndetës pati dërguar edhe kryetari i Qeverisë së Kosovës, Bujar Bukoshi,112.

Fatkeqësisht, akoma pa i filluar punimet, një pjesë e delegatëve të Kongresit u larguan nga salla e pallatit ku mbahej Kongresi. Ky ishte sinjal se faktori më i rëndësishëm politik shqiptar do të ndahet në dy pjesë.

Në sallën e Pallatit të kulturës, në Tetovë, punimet e Kongresit zgjatën deri në orët e vona të datës 12 shkurt, dhe orët e para të datës 13 shkurt, 1994. Në përfundim të punimeve të Kongresit u miratuan dokumentet përfundimtare dhe Deklarata politike e Kongresit të parakohshëm. Gjithashtu, u zgjodhën organet drejtuese partiake, Kuvendi Qendror dhe Kryesia e Partisë për Prosperitet Demokratik. Kryetar i partisë u zgjodh Arbën Xhaferi113, i cili në fjalën e rastit para delegatëve, tha:

Këtë detyrë të vështirë dhe me përgjegjësi të madhe e mora me një brengë për shumë shkaqe, por do t’i përmendi vetëm disa: detyra e Kryetarit të partisë vjen në një kohë kur shumë procese politike kanë marrë fund. Kanë marrë fund për shak se shumë aspekte si në kushtetutë dhe pranimi i disa shteteve kanë ngushtuar hapësirën e veprimit politik. Mirëpo kjo, megjithatë shton motivin për punë dhe shpresoj se ka hapësirë se mund të ndryshohen shumë gjëra. E dyta, për shkak se këtu sonte ndodhi një përçarje që s’kishte nevojë dhe ndodhi një përçarje për shkaqe, të them, procedurale. Ne gjithmonë përçahemi për çështje të vogla e jo për platforma programore. Kur e aprovuam programin të gjithë ishim unanimë dhe të gjithë ishim njëmend që të punojmë për atë program. Unë, me siguri nuk mund t’ju premtoj shumë, por do të premtoj se Partia nuk do të jetë në shërbim të personave që e drejtojnë atë, por ne, me siguri edhe unë, do të jemi në shërbim të Partisë”.

Me zgjedhjen e udhëheqësisë së re politike, partia më e madhe shiptare në Maqedoni, rrënjësisht e ndërroi kursin e veprimit politik. Ajo prej një politike defanzive kaloi në një politikë ofanzive, duke mobilizuar masat e gjëra popullore shqiptare, me shpresë se do të rikthejë proceset politike për aq sa do të ishte e mundur.

Ndërkaq, pjesa tjetër e delegatëve që u larguan nga salla e Pallatit të kulturës mbajtën Kongresin tjetër, paralel në sallën e vogël të komunës së Tetovës. Me këtë, definitivisht, partia më e madhe shqiptare në Maqedoni u nda114.

Edhe në këtë Kongres, i cili u mbajt në sallën e komunës së Tetovës, gjithashtu u miratuan konkluzione të Kongresit, u zgjodhën organet partiake, Kuvendi qendror dhe udhëheqësia e re, ku Xheladin Murati u zgjodh kryetar i saj115.

Çka ndodhi disa ditë më vonë ?

Më 16 shkurt, 1994, në zyrat e kryesisë së Partisë për Prosperitet Demokratik, pjesës që u zgjodh në sallën e Pallatit të kulturës, organet policore ia dorëzuan vendimin e gjyqit, sipas të cilit kërkoheshin vulat e partisë dhe çelësat e zyrave. Qeverisë së Maqedonisë nuk i mbeti rrugë tjetër, përpos të ndërhyjë haptazi në punët e brendshme të një subjekti politik shqiptar. Ndërhyrja e organeve shtetërore do të lë pasoja shumë të rënda midis simpatizuesve të të dy krahëve të Partisë për Prosperitet Demokratik.

Përfundimisht, në hapësirën politike të shqiptarëve të Maqedonisë, u formuan dy vija të theksuara politike, vija e mendësisë së vjetër, që llogaritej si e “moderuar” dhe vija e mendësisë së re, e cila llogaritej si “radikale” që kërkonte ndërrim të kursit politik përmes metodave demokratike që i mundëson politika.



104 >>Flaka e vëllazërimit<<, “Nuk e kam të qartë se çfarë kërkon pala shqiptare”, Shkup, 19 shtator, 1993, 8-9.

105 Fjala është për Deklaratën e pavarësisë, Referendumin për Maqedoninë sovrane, Kushtetutën e Republikës, zgjedhjen e kryetarit të shtetit, njohjen ndërkombëtare të saj ...;

106 Statuti i Partisë për Prosperitet Demokratik, neni 40, me nr. protokolli 0201-287/1, 16. 03. 1992.

107 >>Flaka e vëllazërimit<<, “Kryesia përpara revokimit”, 1 shtator, 1993, 3.

108 Po aty, “PPD do të mbetet unike”, 11 shkurt, 1994.

109 >>Nova Makedonija<<, “Raskollot vo PDP e dirigiran od nadvor”, 8 shtator, 1993, (bisedë e gazetarit Panta Xhambazovskit me N.Halilin).

110 >>Flaka e vëllazërimit<<, “Quo vadis Shqipëri”, 18 shkurt, 1994.

111 Këshilli i Përbashkët për përgatitjen e Kongresit u formua si rezultat i përpjekjeve të autoriteteve të Tiranës dhe të Prishtinës për t’i afruar dy vijat politike të Partisë për Prosperitet Demokratik me seli në Tetovë.

112 Proçesverbali i Kongresit të parakohshëm të Partisë për Prosperitet Demokratik. (Procesverbali ruhet në Arkivin e PDSH në Tetovë).

113 Po aty, “Biografi e shkurtër e Arbën Xhaferit”, Arbën Xhaferi u lind në vitin 1948, në Tetovë, ku e kreu gjimnazin, ndërsa studimet në Fakultetin Filozofik. Deri në përjashtimin nga puna, punoi gjashtëmbëdhjetë vjet në Televizionin e Prishtinës, ku gjatë kohë ishte redaktor i programit të kulturës. Është marrë vazhdimisht me shkrime dhe është bërë i njohur me krijime publicistike, ku i ka paraqitur qëndrimet e veta intelektuale për shumë çështje, ngjarje, fenomene, etj. Në postin e kryetarit të PPD vjen si i deleguar nga Dega e Tetovës.

Sqarim plotësues : Arbën Xhaferi në moshën 20 vjeçare ka qenë njëri prej organizatorëve të demonstratave të vitit 1968, në Tetovë. Studimet e Filozofisë i ndoqi në Beograd. Më pas, është vendosur në Prishtinë, ku punoi si redaktor i Televizionit, me ç’rast krijoi emër si kritik i artit, skulpturës dhe filmit. Në vitin 1990, ai ndihmoi në themelimin e Partisë Socialdemokrate në Kosovë. Në vitin 1993 u kthye në Tetovë për të kontribuar në zhvillimet politike në IRJM. Pikëpamjet e tij shkencore për zgjidhjen e çështjes shqiptare në hapësirat e ish Jugosllavisë, opinioni ka mundur t’i njohë përmes shkrimeve publicistike të tij. Në Kongresin e Dytë të parakohshëm të Partisë për Prosperitet Demokratik, të mbajtur në Tetovë, u zgjodh kryetar i kësaj partie. Për shkak të pikëpamjeve të tij për zgjidhjen e çështjes shqiptare në IRJM, që ishte ndesh politikës aktuale të establishmentit politik sllavo-maqedonas, të udhëhequr nga Kiro Gligorov-i, organet shtetërore sllavo-maqedonase ia mohuan legjitimitetin Partisë për Prosperitet Demokratik në të cilën u zgjodh kryetar me procedurë të rregullt demokratike. Por, duke i njohur mirë veprimet antishqiptare të sllavëve, Arbën Xhaferi nuk u tërhoq nga politika edhe përkundër obstruksioneve të përditshme që shkaktonte sistemi i Gligorovit. Ai i vazhdoi kontaktet me masat e gjëra shqiptare në IRJM, (mundësi që i jepte sistemi pluralist) dhe me faktorin ndërkombëtar, duke shpjeguar “hilen” që u bëhej shqiptarëve të IRJM. Ai, në mënyrë shkencore konstatoi se “Kushtetuta është gjenerator i krizës në Maqedoni”. Për këtë arsye ofroi zgjidhje për ndryshimin e kushtetutës, e cila do të definonte raportet ndëretnike dhe do të avanconte pozitën e shqiptarëve në sistem, si popull i barabartë me sllavo-maqedonasit. Me këtë ofertë ai shpresonte se Maqedonia do të mund të ndërtohej si shtet multietnik, ku shiptarët do të kishin barazi të plotë, si komb i barabartë me sllavo-maqedonasit. Refuzimi i ofertës së propozuar nga Arbën Xhaferi për të ndryshuar Kushtetutën, pak nga pak do të sjellë krizën e rëndë që do të shkaktojë luftën e armatosur në vitin 2001. Pas luftës së Kosovës për çlirim nga Serbia, përmes pjesëmarrjes në pushtetin qendror, Arbën Xhaferi duke shfrytëzuar reputacionin e madh, për të fundit herë do të përpiqet me të tërë fuqinë e tij intelektuale që të demokratizojë krizën e sistemit në IRJM. Me fillimin e luftës së armatosur, Arbën Xhaferi, përfundimisht kaloi në agjendën e luftës për ta ndihmuar atë në fushën diplomatike…

114 Po aty, “Ndarje definitive”, 13 shkurt, 1994.

115 Po aty, “Biografia e dr. Xheladin Muratit: Xheladin Murati u lind në fshatin Xhepçisht të Tetovës, Normalen e kreu në Shkup, si dhe shkollimin sipëror dhe është Dr. i Shkencave Pedagogjike. Në Tetovë, punoi si drejtor në Entin Pedagogjik disa vjet radhazi, ku u diferencua nga puna në fushatën e paparë ndaj inteligjencisë shqiptare në vitet e diferencimit ideopolitik. Vazhdimisht merret me punime dhe kërkime shkencore. Momentalisht është nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, ku jep kontribut të veçantë në jetësimin e synimeve programore të partisë që i takon dhe të elektoratit që e ka zgjedhur”, 16 shkurt 1994.

Sqarim plotësues: Dr.Xheladin Murati në zgjedhjet e para shumëpartiake, në IRJM u zgjodh deputet republikan. Me profesion ishte pedagog. Sipas pikëpamjeve të tij politike i përkiste proviniencës së politikanëve të moderuar. Shumë shpejt pas zgedhjes për kryetar të Partisë për Prosperitet Demokratik (të pjesës që mbajti Kongresin në sallën e komunës së Tetovës) dha dorëheqje për t’ia lëshuar vendin e kryetarit të partisë një kandidati që kishte ushtruar funksione të larta në ish Lidhjen e Komunistëve të IRJM.

Arkivi