ZHVILLIMET POLITIKO-SHOQËRORE TE SHQIPTARËT NË MAQEDONI 1990 - 2001

Zgjedhjet e para parlamentare dhe shqiptarët (1990)

Zgjedhjet e para parlamentare dhe shqiptarët

(1990)

Me rënien e sistemit komunist dhe legalizimin e pluralizmit politik, në Maqedoni, u organizuan zgjedhjet në të cilat morën pjesë shumë parti politike që posa ishin formuar. Në këto zgjedhje u legjitimuan forcat politike që qeverisën vendin në mandatin e parë parlamentar. Sikurse në Maqedoni edhe në republikat tjera u zhvilluan zgjedhjet e para plurale. Diheshin vetëm tendencat e strukturave të reja politike për shkëputje nga Jugosllavia, por akoma nuk diheshin pasojat konkrete në kushtet e kundërshtimit në mes synimeve të republikave të Federatës jugosllave.

Zgjedhjet e para parlamentare, në Maqedoni, u mbajtën sipas modelit të shumicës, që parashihte dy rrethe zgjedhore12. Tërë territori i Maqedonisë u nda në 120 njësi zgjedhore, ku në çdonjërën prej tyre duhej të zgjidhej nga një deputet.

Zgjedhjet në Maqedoni ishin në qendër të vemendjes së diplomatëve dhe të komentatorëve të huaj. Ata theksonin se, në rast se në zgjedhje fitojnë forcat nacionaliste, atëherë Maqedonia, Jugosllavia dhe Ballkani jugor do të ballafaqohen me nacionalizma të rrezikshëm13. Sipas gazetës >>Liberasion<<, në Maqedoni, nacionalizmi i shtuar maqedonas, mund t’i shkaktojë vështirësi serioze Jugosllavisë edhe atë, jo vetëm në raport të fqinjëve të saj, por në përgjithësi me Evropën14. Me interes të madh pritej se si do të kalojë në zgjedhjet parlamentare Lidhja e Forcave Reformiste e kryeministrit jugosllav, Ante Markoviq15. Për kryeministrin, zgjedhjet në Maqedoni ishin një test kyç, të cilat mund të ndikonin mbi zgjedhjet në Bosnjë dhe Hercegovinë, në Mal të Zi dhe Serbi. Nga rezultati i zgjedhjeve në Maqedoni, do të varej edhe vazhdimi i debatit, që kishte filluar, për rregullimin e ardhshëm të Jugosllavisë. Por, periudha e ardhshme tregoi, se pas zgjedhjeve në Bosnjë e Hercegovinë, Mal të Zi dhe në Sërbi, në të vërtetë u përtërinë mosmarrëveshjet midis strukturave politike të njësive federale të Jugosllavisë socialiste.

Shqiptarët në Maqedoni, edhe përkundër vërejtjeve të shumta për Ligjin për zgjedhje16, morën pjesë në zgjedhjet e para parlamentare, të përfaqësuar me dy parti politike, Partinë për Prosperitet Demokratik dhe Partinë Demokratike Popullore, të cilat bashkëvepronin përmes një koalicioni.

Atmosfera elektorale ishte impozante. Gati gjithkund, populli shqiptar me dinjitet iu përgjigj thirrjes për votim. Kjo ishte e kuptueshme kur dihej se periudha paraprake e sistemit monist ishte treguar shumë e ashpër kundër shqiptarëve. Me këtë rast nga diaspora erdhi një numër i madh bashkatdhetarësh shqiptarë, që punonin në botën e jashtme, për të votuar përfaqësuesit e popullit shqiptar në Maqedoni. Mediat elektronike botërore, duke raportuar për jehonën e jashtëzakonshme të votuesve të kombësisë shqiptare, të cilët në numër të madh erdhën nga diaspora që të votojnë për partitë shqiptare, theksonin se shqiptarët paraqesin faktor gjithnjë e më të madh në këto hapësira17. Zgjedhjet e para shumëpartiake për herë të parë nxorën në shesh forcën e madhe politike të shqiptarëve të Maqedonisë, që përmes procesit demokratik të mund të impononin zgjidhjen e drejtë të çështjes kombëtare. Rezultatet e zgjedhjeve qysh nga rrethi i parë, nxitën qarqet nacionaliste maqedonase, në hapësirat me shumicë shqiptare, kundër proceseve demokratike. Ata qarqe shprehën pakënaqësinë nga procesi zgjedhor përmes demonstratave të pakuptimta në rrugët e Gostivarit, Tetovës dhe gjetiu18. Demonstratat ishin tërësisht me karakter antishqiptar dhe antidemokratik. Ata në esencë demaskuan ish sistemin komunist, i cili decenie me radhë kishte kultivuar frymën antishqiptare në Maqedoni. Parullat që u dëgjuan në këto demonstrata ishin: “Vdekje për shqiptarët”, “Vdekje për PPD”, “Shqiptarët të shkojnë e të votojnë në Shqipëri”, “Duam zgjedhje të reja”, “Mjaft kemi pritur”, “Kjo s’është Kosovë”, “Çohuni maqedonas”, “Ku jeni shqiptarë”, “Maqedonia e pastër”, “Maqedonia është vetëm e maqedonasve”, “Maqedoninë dhe sovranitetin e saj nuk e ndajmë me askend”, “Ruaje qenin të të hajë”… !!! Demonstruesit kërkonin edhe: anulimin e zgjedhjeve, shkarkimin e Komisionit republikan për zgjedhje, shkarkimn e Qeverisë republikane, daljen e të gjitha partive maqedonase me kandidatë të përbashkët …19. Pasojat e këtyre demonstratave me karakter antishqiptar ishin shumë të mëdha për marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni.

Zgjedhjet e para parlamentare në sistemin pluralist, në Maqedoni filluan më 11 nëntor, dhe përfunduan më 23 dhjetor, 199020. Në 120 njësi zgjedhore me 1.339.021 votues u votua për 1.115 kandidatë të propozuar nga 18 parti politike dhe 44 kandidatë të pavarur, gjithsejt 1158 kandidatë.

Në rrethin e parë u zgjodhën 24 deputetë21.

m@4@5l@4@11@9@11@9@5xe" o:preferrelative="t" o:spt="75" coordsize="21600,21600">