ZHVILLIMET POLITIKO-SHOQËRORE TE SHQIPTARËT NË MAQEDONI 1990 - 2001

Zgjedhjet e treta parlamentare në IRJM (1998)

Zgjedhjet e treta parlamentare në IRJM

(1998)

Zgjedhjet e treta parlamentare në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë u zhvilluan në tetor, 19981. Ligji për zgjedhjet e treta ndryshonte nga Ligji i përparshëm, ngaqë në këto zgjedhje u aprovua modeli i kombinuar: modeli i shumicës dhe ai proporcional. Sipas Ligjit të ri, 85 deputetë zgjidheshin sipas modelit të shumicës, ndërsa 35 deputetë, sipas sipas modelit proporcional2.

Në zgjedhjet e treta parlamentare morën pjesë 17 parti politike. Partitë politike shqiptare, Partia për Prosperitet Demokratik dhe Partia Demokratike Shqiptare3 lidhën një marrëveshje, me çka elektorati shqiptar u relaksua tërësisht në këto zgjedhje.

Marrëveshja në mes faktorit politik shqiptar u lidh në prag të shpërthimit të Luftës Çlirimtare të Kosovës. Marrëveshja i zbuti në masë shumë të madhe kundërthëniet e vjetra në mes këtyre dy forcave rivale të shqiptarëve të IRJM. Me këtë marrëveshje u parandaluan ngatërresat ndërshqiptare, në kohën që kriza kosovare filloi të merrte përmasa shqetësuese. Për të dy partitë politike çështja e çlirimit të Kosovës ishte parësore. Në Kosovë kishin filluar përpjekjet e para të luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës4. Shqiptarët jashtë saj bartnin një përgjegjësi shumë të madhe historike për veprimet e tyre në këto momente vendimtare. Ata duhej me çdo kusht të ruanin stabilitetin e vendeve ku jetonin, me qëllim që t’i mundësonin veprim të suksesshëm logjistikës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Marrëveshja midis dy subjekteve shqiptare kishte rëndësi shumë të madhe, sepse çështja e Kosovës i tejkalonte të gjitha mosmarrëveshjet politike ndër shqiptarët e IRJM. Ajo pati jehonë shumë të madhe jo vetëm te popullata shqiptare, por edhe më gjërë. Marrëveshja jo vetëm që ndikoi dukshëm në relaksimin e raporteve ndërmjet shqiptarëve të IRJM, por njëkohësisht, sinajlizoi se, në luftën eventuale shqiptaro-serbe, populli shqiptar do të kundërpërgjigjet si një komb i tërë5. Në fakt, marrëveshja midis subjekteve politike shqiptare të IRJM ishte vazhdimësi e makroprojekteve politike kombëtare shqiptare. Udhëheqësit politik shqiptarë, me këtë marrëveshje, dëshmuan se janë të përgjegjshëm dhe dinë të luajnë rolin e tyre, në momente vendimtare historike.

Marrëveshja në mes të PDSH dhe PPD, u nënshkrua në sallën e Komunës së Tetovës, më 9 shtator, 1998, në praninë e një numri të madh gazetarësh. Atë e nënshkruan dy liderët politik shqiptar: Arbën Xhaferi dhe Abdurrahman Aliti6.

Në dokumentin e marrëveshjes në mes PDSH dhe PPD, thuhet:

Sot PPD dhe PDSH, nënshkruajnë Marrëveshjen për bashkëpunim dhe veprim të përbashkët politik në periudhën e ardhshme, të motivuar nga vullneti reciprok për të shtuar efikasitetin politik të shqiptarëve në Maqedoni, në mënyrë që me energji të përbashkët politike të realizojnë aspiratat e tyre për dinjitet të barabartë, individual dhe kolektiv, në këtë vend. Me këtë marrëveshje strukturohet një angazhim politik i shqiptarëve në realizimin e objektivave fundamentale politike të tyre dhe që deri më tash kanë funksionuar si pika konvergjente programore ndërmjet këtyre dy partive. Me këtë marrëveshje po ashtu vihen themelet e një bashkëpunimi institucional ndërmjet këtyre dy partive, me të cilën palët nënshkruese marrin obligime dhe përgjegjësi të përbashkëta për çështjet e definuara në të. Zhvillimet politike që i lamë pas na mësuan se s’duhet vepruar ndaras politikisht, sa kohë që kemi një minimum fundamental të objektivave të përbashkëta. Së këndejmi, aktin e sotëm, ne e konsiderojmë si një akt të pjekurisë sonë politike, të shqiptarëve këtu dhe si hap me rëndësi për ta kuptuar politikën si art të pajtimit, brenda një kolektiviteti dhe me të tjerët. Imperativi shqiptar tash dhe në të ardhmen është uniteti politik mbi baza të parimeve demokratike. Është ky një hap për ta kristalizuar peizazhin politik në dy parti të strukturuara qartë dhe me kredibilitet, në mënyrë që të mbyllet procesi i fragmentarizimit politik të shqiptarëve nëpër parti apo grupime politike që s’mbajnë peshë, por vetëm shkapërderdhin energjinë politike të popullatës në alternativa të padefinuara politike. Akti i sotëm, me të cilin dy partitë më relevante të shqiptarëve, krijojnë konvergjencën demokratike të veprimit politik, është me rëndësi edhe për faktin se krijon një vizion të përbashkët, legjitim dhe demokratik mbi çështjen shqiptare në Maqedoni dhe zgjidhjen e saj”.

Kjo marrëveshje, përveç daljes në zgjedhje të përbashkëta i obligonte subjektet politike nënshkruese për të bashkëpunuar në realizimin e objektivave të përbashkëta, siç ishin :

- garantimi i statusit të barabartë politik të shqiptarëve në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë;

- arsimimi në gjuhën shqipe në të gjitha nivelet, sidomos në zgjidhjen e çështjes së arsimit sipëror në gjuhën shqipe dhe statusin e Universitetit të Tetovës;

- zgjerimi i hapësirës për përdorim zyrtar të gjuhës shqipe në nivel qendror dhe lokal;

- përfshirja proporcionale e shqiptarëve në institucionet politike e shtetërore, në administratën publike në rrafsh qendror dhe lokal dhe në qendrat e vendosjes ekonomike e financiare në rrafsh qendror dhe lokal;

- decentralizimi real i pushtetit qendror dhe forcimi i pozitës dhe të rolit të pushtetit lokal dhe;

- angazhimi i të dyja partive në lirimin e të burgosurve politikë7.

Sipas marrëveshjes midis PPD dhe PDSH u bë ndarja e mandateve të përfaqësuesve shqiptarë për Kuvendin republikan, në shtatëmbëdhjetë njësi zgjedhore, në raport: 10 kandidatë për Partinë për Prosperitet Demokratik dhe 7 për Partinë Demokratike Shqiptare, (modeli i shumicës)8. Gjithashtu, u hartua Lista e përbashkët proporcionale e të dy partive politike, sipas parimit, përfaqësuesi me numër “tek” i takonte Partisë Demokratike Shqiptare, ndërsa numri “çift” i takonte Partisë për Prosperitet Demokratik, (modeli proporcional)9.

Partitë nënshkruese të kësaj marrëveshjeje dhe simpatizuesit e tyre obligoheshin që të mos përkrahin kandidatë të pavarur10.

Marrëveshja e nënshkruar jepte shpresë për një kthesë në integrimet e reja dhe për procese që do të jenë më frytëdhënëse jo vetëm për shqiptarët e IRJM, por edhe për tërë hapësirën shqiptare. Ajo ishte një ngjarje e madhe politike, sepse partitë politike shqiptare synonin arritjen e të drejtave kombëtare përmes mjeteve demokratike. Njëkohësisht, ajo kishte për qëllim konsolidimin e radhëve të forcave politike të shqiptarëve që ishte garancion i paqes në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë.

Marrëveshja PDSH-PPD, pati dy efekte pozitive: nga njëra anë u maksimalizua vota shqiptare në IRJM11, me të cilat u zgjodhën 25 deputetë republikanë dhe nga ana tjetër u parandaluan të gjitha konfliktet e mundshme brenda elektoratit shqiptar. Por, efekti më i madh historik, ishte se marrëveshja e subjekteve politike shqiptare dhe urtësia e popullit shqiptar të IRJM i kontribuoi çështjes më madhore kombëtare, strehimit të të dëbuarëve nga Kosova në IRJM dhe ndihmës së pakursyer që dhanë shqiptarët e këtij vendi për çlirimin e Kosovës nga pushtuesi serb.

Rezultati i zgjedhjeve të treta parlamentare në IRJM ishte si vijon:

Koalicioni Alternativa Demokratike – VMRO-DPMNE, fitoi 46 deputetë;

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë, 27 deputetë;

VMRO-DPMNE, fitoi 12 deputetë;

Partia për Prosperitet Demokratik, 14 deputetë12;

Partia Demokratike Shqiptare, 11 deputetë13;

Alternativa Demokratike, 4 deputetë;

Koalicioni Partia Liberale - Partia Demokratike e Maqedonisë, 4 deputetë;

Partia Socialiste e Maqedonisë, 1 deputet;

Partia e Romëve, 1 deputet14.

Pra siç shihet, zgjedhjet e treta parlamentare në IRJM sollën ndryshime në bllokun politik maqedonas. Në këto zgjedhje humbi Lidhja Socialdemokrate, ndërsa fitoi poli tjetër, koalicioni VMRO-DPMNE dhe Alternativa Demokratike. Me disfatën e strukturave Socialdemokrate që ishin bartëse të proceseve të mëparme politike, u krijuan mundësi për pjesëmarrjen në pushtetin qendror edhe të Partisë Demokratike Shqiptare, e cila gjatë periudhës së kaluar ishte ndeshur shumë herë me politikën e Socialdemokratëve maqedonas. Faktorit politik shqiptar iu dha mundësia për reforma në interes të arritjes së barazisë së shqiptarëve në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, përmes procesit demokratik parlamentar.

Zgjedhjet e treta parlamentare në IRJM, në momentin vendimtar historik e hoqën nga pushteti një strukturë që ishte trashëgimtare e mendësisë së vjetër, të Lidhjes famëkeqe të komunistëve. Ajo, për tetë vjet me radhë, gjatë tërë periudhës së sistemit pluralist kishte ngritur shtetin e ri, IRJM, si shtet kombëtar maqedonas, pa e përfillur interesin kombëtar të popullit shqiptar. Në politikën e jashtme, struktur politike socialdemokrate, asnjëherë nuk ishte distancuar nga dhuna dhe terrori fashizoid serb, që ishte ushtruar kundër Kosovës dhe shqiptarëve të atjeshëm. Struktura e Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, haptazi mbante anën e qarqeve nacionaliste serbe kur ishte në pyetje “çështja e Kosovës”. Ky pohim u bë publik qysh në fillim të vitit 1998, kur edhe vetë kryetari Gligorov, propozoi “korridorin” famëkeq për transportimin e kosovarëve nëpër Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Deklarata e Gligorovit, që u dha gjatë vizitës së tij në Moskë, më 199815, në fakt, ishte “komplot” i qarqeve serbo-maqedonase kundër shqiptarëve. Ajo manifestonte strategjinë e përbashkët serbo-maqedonase për pastrimin etnik të Kosovës. Pra, vetë presidenti i Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, vihej në funksion të aleatit të Serbisë së Millosheviqit, që përmes dhunës serbe të mund të shpopullohej popullata shqiptare nga Kosova. Mirëpo, këtë plan antikosovar dhe antishqiptar e penguan zgjedhjet e treta parlamentare, të cilat nuk e legjitimuan strukturën politike që mbështeste platformën antikosovare të kryetarit Gligorov, por legjitimuan një strukturë politike që ishte në kundërshtim me të. Pra, zgjedhjet e treta parlamentare dhe humbja e aleatëve të qarqeve nacionaliste serbe në IRJM, ishte një moment vendimtar historik, si për popullin e Kosovës ashtu edhe për popullin shqiptar në tërësi.



1 Sipas: “Reshenie za raspishuvanje na izbori za pratenici vo sobranieto na Republika Makedonija, br. 08-3073/1, 6 avgust, 1998, “Slluzhben vesnik na Republika Makedonija”, br. 40, 8 avgust, 1998.

2 I tërë territori i Maqedonisë llogaritej si një njësi zgjedhore. Me këtë rast, votuesit përcaktohen për partitë politike dhe listat e tyre dhe jo për kandidatët për deputet.[

3 Partia Demokratike Shqiptare edhepse kishte kaluar shumë kohë prej kur ishte formuar si subjekt politik, ajo akoma kundërshtohej për t’u regjistruar si një subjekt politik me emrin PDSH, andaj akoma vepronte si dy parti, PPDSH dhe PDP.

4 UÇK – Ushtria Çlirimtare e Kosovës – Formacioni ushtarak që luftonte me armë në dorë për çlirimin e Kosovës.

5 >>Rilindja<< (Tiranë), “Shqiptarët do të reagojnë ashpër dhe vendosmërisht si një komb” 31 janar, 1998.

6 Arsyetimin e Marrëveshjes e lexoi aktivistja e Prosperitetit Rinor, Zejnepe Alili. Përcjellë nga >>Flaka e vëllazërimit<<, 10. 09. 1998, 3.

7 Po aty, 3.

8 Marrëveshja e PPD dhe e PDSH, Pika 2.2. Sipas saj, PPD do të nxjerrë kandidatë në këto njësi zgjedhore: - në njësinë zgjedhore nr. 21 (Likovë); në njësinë zgjedhore nr. 44 (Strugë, Dollogozhdë, Llabunisht, Veleshtë); në njësinë zgjedhore nr. 52 (Gostivar, Çegran, Negotinë, Vrapçisht); në njësinë zgjedhore nr. 53 (Gostivar, Vrutok, Negotinë dhe Vrapçisht); në njësinë zgjedhore nr. 55 (Kamjan, Bogovinë, Bërvenicë); në njësinë zgjedhore nr. 56 (Tetovë, Kamjan, Bogovinë dhe Shipkovicë); në njësinë zgjedhore nr. 60 (Zhelinë, Jegunovcë, Bërvenicë); në njësinë zgjedhore nr. 64 (Haraçinë, Hasanbeg, Gazi-Babë); në njësinë zgjedhore nr. 75 (Qendër ) dhe në njësinë zgjedhore nr. 81 (Saraj dhe Kondovë). Ndërsa, PDSH do të nxjerrë kandidatë në këto njësi zgjedhore: në njësinë zgjedhore nr. 42 (Kërçovë, Osllomej, Zajas, Sërmnovë); në njësinë zgjedhore nr. 43 (Dibër dhe Zhupë); në njësinë zgjedhore nr. 54 (Gostivar dhe Banjicë e Poshtme); në njësinë zgjedhore nr. 58 (Tetovë); në njësinë zgjedhore nr. 59 (Xhepçisht dhe Tearcë); në njësinë zgjedhore nr. 66 (Karshiakë) dhe në njësinë zgjedhore nr. 84 (Çair dhe Qendër). Dokumenti i Marrëveshjes, (kopja) ruhet në Arkivin e PDSH, në Tetovë.

9 Sipas Ligjit për zgjedhjet e deputetëve, në zgjedhjet e treta parlamentare në IRJM, për Kuvendin e republikës, zgjidheshin gjithsej 120 deputetë, prej të cilëve 85 zgjidheshin sipas principit të shumicës, ndërsa 35, sipas principit proporcional, Slluzhben vesnik na RM, br. 24, 28 maj, 1988, Zakon za izbor na pratenici vo Sobranieto na Republika Makedonija, çlen 2 .

10 Marrëveshja e PPD dhe e PDSH, Pika 2.3.

11 >>Flaka e vëllazërimit<<, 3 nëntor, 1998, “Në zgjedhjet e treta parlamentare partitë shqiptare sëbashku fituan 25 deputetë”.

12 Deputetët e Partisë për Prosperitet Demokratik: Abdurahman Aliti, Rizvan Sulejmani, Mevlan Tahiri, Abdulla Aliu, Iljas Sabriu, Sefedin Haruni, Mersel Bilalli, Azis Pollozhani, Asllan Selmani, Ismet Ramadani, Olloman Sulejmani, Naser Ziberi, Abdilhadi Vejseli dhe Kastriot Haxhirexha.

13 Deputetët e Partisë Demokratike Shqiptare: Arbën Xhaferi, Zamir Dika, Nazmi Kadriu, Bilall Lutfiu, Fatmir Etemi, Fadil Bajrami, Muhamed Tahiri, Iljaz Halimi, Jonuz Abdullai, Hisni Shaqiri dhe Aliriza Lloga.

14 Drzhavna Izborna Komisija “Parlamentarni izbori ’98, Koneçni rezultati od Parlamentarnite izbori ‘98”, Skopje, fevruari ,1999, g. 115-117.

15 Rilindja, “Oferta e Gligorovit për korridorin nëpër IRJM është fashizoide”, Tiranë, 30 janar, 1998.

Arkivi