ZHVILLIMET POLITIKO-SHOQËRORE TE SHQIPTARËT NË MAQEDONI 1990 - 2001

Shthurja e Jugosllavisë socialiste

Shthurja e Jugosllavisë socialiste

Jugosllavia socialiste u themelua nga komunistët jugosllavë, në Jajce të Bosnjë-Hercegovinës, më 29 nëntor, 1943. Ajo u ndërtua mbi baza të sistemit federal. Në krye të Jugosllavisë socialiste u zgjodh J. B. Tito, një komunist jugosllav me prejardhje kroate. Sistemin politik në këtë vend e drejtonte vetëm një parti politike, Lidhja Komuniste e Jugosllavisë. Pas vdekjes së Titos, në Jugosllavi filloi kriza e rëndë ekonomike dhe politike, e cila u bart edhe brenda Lidhjes Komuniste. Në janar, 1990, u mblodh Kongresi i XIV i jashtëzakonshëm i Lidhjes së Komunistëve jugosllavë. Kongresi i zhvilloi punimet në atmosferë tensionesh të mëdha midis përfaqësuesve serbë nga njëra anë dhe atyre sllovenë e kroatë nga ana tjetër. Akoma pa i përfunduar punimet, Kongresi u shthur e me këtë u shthur edhe Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë. Delegacioni slloven i pari i lëshoi punimet e Kongresit. Me këtë kriza jugosllave hyri në fazën e saj përfundimtare dhe më tragjike. Pikërisht gjatë kësaj periudhe u legalizua sistemi i ri pluralist, u formuan partitë e shumta politike dhe u mbajtën zgjedhjet shumëpartiake në të gjitha njësitë federale të Jugosllavisë socialiste.

Në Slloveni dhe Kroaci, në zgjedhjet shumëpartiake, fituan forcat politike që angazhoheshin për shkëputje nga Jugosllavia. Në Slloveni, ato udhëhiqeshin nga Milan Kuçani, ndërsa në Kroaci nga Franjo Tuxhmani.

Zgjedhjet e para shumëpartiake, në Kroaci, u zhvilluan në fillim të vitit 1990. Në këto zgjedhje fitoi Bashkësia Demokratike Kroate - HDZ124, në krye të së cilës ishte Franjo Tuxhman125. Me fitoren e saj, u konstitua parlamenti (Sabori) i Kroacisë, i cili miratoi një numër amandamentesh të Kushtetutës kroate, me të cilat u ndryshuan simbolet kroate. Pak nga pak rriteshin tensionet ndëretnike në Kroaci dhe situata sa vinte e ndërlikohej. Krahas vendosjes së pushtetit të ri kroat, që doli nga zgjedhjet parlamentare në Kroaci rritej edhe rrezistenca e serbëve të Kroacisë, të cilët nuk pranonin të bashkoheshin me pushtetin e ri kroat. Duke i kundërshtuar vendimet e organeve më të larta të Kroacisë, udhëheqësit serb të Kroacisë, në qershor 1990, në Knin, thirrën “Konventën e Parë Serbe” dhe miratuan Deklaratën për sovranitetin dhe autonominë e popullit serb të Kroacisë. Në gusht, 1990, filluan luftimet e para. Policia kroate u përpoq të çarmatoste forcat rezerve të policisë serbe në Benkovc. Por, serbët e fshatrave përreth u tubuan dhe e shpërthyen stacionin policor, duke i marrë të gjitha armët. Autoritetet kroate u përpoqën t’i dërgojnë forcat speciale, por Armata jugosllave (APJ) i ndaloi këto përpjekje. Të mbrojtur nga Armata jugosllave, serbët e Kroacisë e realizuan referendumin për Autonomi dhe më 1 tetor, 1990, u shpall Rajoni Autonom Serb i Krajinës.

Në fillim të vitit 1991 pushteti kroat në krye me Tuxhmanin përpiqej të organizojë një forcë ushtarake të veten, duke blerë armë jashtë vendit. Për këtë arsye udhëheqësit ushtarakë jugosllavë vendosën të vinin nën kontrollë të drejtpërdrejtë njësitë e Mbrojtjes territoriale kroate. Njëkohësisht, Armata jugosllave filloi të armatoste haptazi serbët e Kroacisë. Kjo i nxiti kroatët në demonstrata, të cilët në Split, më 6 maj, 1991, e rrethuan komandën e Marinës jugosllave. Në rrëmujë e sipër policia kroate dhe Ushtria jugosllave shtinë kundër njëra-tjetrës126.

Shkëndijat e konfliktit të armatosur u shpërndanë edhe në Slloveni. Në Maribor shpërtheu një konflikt i hapur midis njësive të Mbrojtes territoriale sllovene dhe Armatës jugosllave. Kjo e fundit nxori tanket në rrugët e Mariborit, por kjo nxiti demonstrata të sllovenëve, ku u vra një qytetar. Pas këtij momenti e tërë Sllovenia u ngrit në këmbë.

Zhvillimi i ngjarjeve në Kroaci dhe Slloveni e përshpejtoi copëtimin e Jugosllavisë. Më 16 qershor, 1991, Parlamenti i Sllovenisë e shpalli pavarësinë e Republikës së Sllovenisë127, ndërsa më 25 qershor, 1991, edhe Parlamenti i Kroacisë e shpalli Deklaratën e pavarësisë dhe sovranitetin e plotë të Republikës së Kroacisë128.

Një ditë pas shpalljes së pavarësisë së Sllovenisë njësitë speciale të saj në vendkalimet kufitare me Italinë, Austrinë dhe Hungarinë, i hoqën tabelat dhe flamurin e Jugosllavisë dhe i vëndosën tabelat dhe flamurin e Republikës së Sllovenisë. Afër vendkalimeve kufitare të Sllovenisë me vendet fqinje ishin vendosur njësitet e Mbrojtjes territoriale sllovene. Përpjekjet e Armatës jugosllave për t’i penguar këta procese nuk patën sukses. Prandaj, ajo i sulmoi njësitet e Mbrojtjes territoriale sllovene, gjë që nxiti shumë incidente në vendkalimet kufitare. Armata jugosllave u përpoq t’i vërë nën kontrollë aeroportet dhe ta izolojë Slloveninë nga bota. Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Sllovenisë, Janez Jansha, deklaroi:“ prej sot për Slloveninë fillojnë ditët e luftës, ngase për këtë kemi paralajmërim nga vetë Armata jugosllave, sipas planit ushtarak të Armatës Popullore Jugosllave >BEDEM 91< por, ne dhunës do t’i kundërvihemi me dhunë”129. Sipas deklaratës së gjeneralit të Armatës Popullore të Jugosllavisë, Bllagoje Axhiq, vendimi për intervenimin e Armatës në Slloveni ishte marrë nga qeveria federale. Sipas tij, “Ishte dhënë urdhër për të pushtuar 137 pika përgjatë kufirit jugosllav, brenda territorit të Republikës së Sllovenisë dhe për të siguruar që shërbimet doganore kufitare të rifillonin detyrimet e tyre në pikë-kalimet e kufirit”130. Nuk ka dyshim se me këtë intervenim Armata jugosllave përpiqej të rivendosë kontrollë mbi doganat federale dhe ta kthenin Slloveninë me forcë në kuadër të Jugosllavisë dhe në këtë mënyrë të paralizonin përpjekjet tjera për shthurjen e Jugosllavisë. Por, njësitë e Mbrojtjes territoriale sllovene i bllokuan garnizonet e ushtrisë jugosllave duke i paralizuar ata. Duke mos pasur rrugëdalje tjetër, Komanda e lartë ushtarake e Armatës jugosllave, më 18 qershor, 1991, urdhëroi tërheqjen e të gjitha efektivave të ushtrisë nga territori i Republikës së Sllovenisë131. Shumica e këtyre efektivave ushtarake, siç do të shihet më vonë, u stacionuan në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë. Me largimin e Armatës jugosllave, Sllovenia u shkëput nga Jugosllavia. Nga ky moment filloi faza përfundimtare e shthurjes së Jugosllavisë socialiste.

Qarqet luftënxitëse serbe, nën udhëheqjen e Millosheviqit, me lehtësi “lejuan” shkëputjen e Sllovenisë, sepse kjo shkëputje do të nxiste edhe shkëputjen e njësive tjera federale, që do të shkaktonte luftën e përgjakshme. Ata qarqe, duke u bazuar në forcën ushtarake, nën komandën e të cilëve ishte edhe Armata jugosllave, pikërisht luftën kërkonin si mjet për të vendosur raporte të reja shoqërore për një Jugosllavi të tretë, ku do të dominonin serbët.

Ndërkohë, udhëheqësi kroat, Franjo Tuxhman, punonte për të konsoliduar forcat e tij të armatosura, Gardën Popullore të Bashkuar. Stërvitjet e saj ushtarake bëheshin në vende të fshehura, ndërsa armët silleshin përmes rrugëve sekrete. Me fillimin e luftimeve forcat ushtarake kroate u rritën shumë shpejt. Sipas >>Raportit të Politikave Strategjike të Mbrojtjes dhe të Punëve të Jashtme Amerikane<<, Gjermania i kishte shitur Kroacisë një numër të madh llojesh të ndryshme të armëve, si, aeroplanë luftarakë MIG, raketa tokë-ajr dhe tanke të prodhimit të fundit132.

Luftimet në Kroaci vazhduan me intensitet të lartë, gjatë verës së vitit 1991. Sipas shembullit slloven, edhe këtu u bllokuan garnizonet ushtarake të Armatës jugosllave. Mirëpo, për dallim nga Sllovenia, në Kroaci kishte mjaft serbë. Prandaj, kur policia kroate ngatërrohej me popullatën serbe, Armata jugosllave fitonte shkas për të ndërhyrë, me qëllim të mbrojtjes së popullatës serbe. Për një kohë të shkurtër mënyra e këtillë e të vepruarit në Kroaci u shkallëzua në luftë të vërtetë.

Në fillim të shtatorit, 1991, Lord Peter Carrington133, në cilësinë e kryetarit të Konferencës Ndërkombëtare të Hagës, u përpoq të zgjidh kaosin që mbretëronte në Jugosllavi. Por, Konferenca përfundoi pa sukses.

Kah fundi i shtatorit, 1991, filluan operacionet ushtarake të Armatës jugosllave drejt qytetit të Vukovarit. Sipas eskpertëve ushtarakë jugosllavë, ky qytet konsiderohej si “shtyllë kurrizore e ushtrisë kroate”. Revista e Armatës Popullore të Jugosllavisë, >>Narodna Armija<< shkruante se: “Vukovari me dekada të tëra përgatitej të mbështeste depërtimin ushtarak gjerman nëpërmjet Danubit”134. Edhepse beteja për Vukovarin nuk kishte ndonjë strategji të veçantë ushtarake, sulmi kundër këtij qyteti vazhdoi për dy muaj rresht, duke e shkatërruar tërësisht atë qytet.

Në dhjetor, 1991, u bombardua edhe Dubrovniku135, me ç’rast pjesa e vjetër e qytetit pësoi nga bombardimet e Armatës jugosllave. Bombardimi i Dubrovnikut shpaloste plotësisht përpara syve të botës marrëzinë dhe kapriciozitetin e plotë të luftës në Ballkan.

Kah fundi i vitit, 1991, Republika e Sllovenisë dhe e Kroacisë u njohën si shtete të pavarura. Por, njohja e tyre nga Komuniteti ndërkombëtar, e la Bosnjë-Hercegovinën në një situatë pa rrugëdalje. Presidenti i saj, Alija Izetbegoviq136 u gjend përpara dy alternativave, të kërkonte pavarësinë ose t’i bashkohej Jugosllavisë së Millosheviqit. Në fakt, qysh në mars, 1991, udhëheqësit serbë dhe kroatë, Millosheviqi dhe Tuxhmani kishin lidhur një aleancë të pashpallur kundër Bosnjë-Hercegovinës, në Karagjorgjevo137. Kjo marrëveshje ishte një komplot për ndarjen e Bosnjës dhe Hercegovinës.

Pas zgjedhjeve shumëpartiake në Bosnjë dhe Hercegovinë, në tetor, 1991,138 në parlamentin e saj përfaqësuesit myslimanë dhe kroatë aprovuan vendimin për shkëputjen e Bosnjë-Hercegovinës nga Jugosllavia. Por, me këtë vendim nuk u pajtuan përfaqësuesit serbë, të cilët u larguan nga parlamenti. Një muaj më vonë, udhëheqja e serbëve të Bosnjës organizoi referendum me popullatën serbe të republikës, më 9-10 nëntor, 1991. Serbët e Bosnjë-Hercegovinës në referendum u deklaruan për të mbetur në Jugosllavi. Duke mos marrë parasysh referendumin e serbëve të Bosnjës, kryetari, Alija Izetbegoviq kërkoi nga Bashkësia ndërkombëtare njohjen e pavarësisë së Bosnjë-Hercegovinës. Por, Komuniteti Europian u përgjigj se do ta njohë Bosnjën e pavarur nëse populli i saj konfirmonte, me anë të referendumit për këtë vullnet. Andaj në shkurt, 1992, myslimanët dhe kroatët, përmes referendumit votuan për pavarësinë e Bosnjë-Hercegovinës. Nga ky momnet, tensionet në Bosnjë dita-ditës rriteshin. Më 1 mars, 1992, në një lagje me shumicë myslimane, në një dasëm serbe shpërtheu konflikti. Në dasmë valëviteshin flamujt serbë, ndërsa një njeri i armatosur qëlloi mbi turmën duke vrarë të atin e dhëndërrit dhe plagosi një dasmor. Kjo ishte shkëndija që i vuri zjarrin Bosnjë-Hercegovinës139.

Komuniteti Europian e njohu pavarësinë e Bosnjë e Hercegovinës më 6 prill, 1992140. Njohja e pavarësisë së Bosnjë-Hercegovinës, e vuri Armatën jugosllave para faktit të kryer, si një forcë e huaj brenda territorit të saj. Mirëpo, në Bosnjë-Hercegovinë, serbët e kishin formuar parlamentin e tyre dhe Republikën serbe, në krye me Radovan Karaxhiqin. Banja Luka u shpall kryeqendra e Republikës serbe të Bosnjë-Hercegovinës. Ndërkaq, Armata jugosllave e stacionuar në Bosnjë-Hercegovinë u vu nën komandën e gjeneralit Ratko Mlladiq141. Ushtria e tij gjatë vitit 1992/93 arriti që të zotërojë rreth 70 % të territorit të Bosnjë-Hercegovinës.

Por, forcat e Republikës serbe të Bosnjës, nuk ishin e vetmja ushtri që luftonte në këtë shtet të pavarur. Aty luftonte edhe Këshilli Kroat i Mbrojtjes (HVO), si krah i Franjo Tuxhmanit dhe që mbante nën kontrollë shumë territore142. Më 5 qershor, 1992, kroatët e Bosnjë-Hercegovinës, ngjajshëm sikurse serbët, e shpallën Republikën e pavarur të Herceg-Bosnjës.

Ushtria e Bosnjë-Hercegovinës që luftonte për një shtet të bashkuar, ishte nën komandën e presidentit të Bosnjë-Hercegovinës, Alia Izetbegoviqit. Përpjekja për ta armatosur këtë forcë ushtarake, në vitet 1992/93, minohej nga embargoja e armëve, sidomos nga fakti se të gjitha rrugët, prej nga mund të kalonin armatimet e rënda, duhej të kalonin përmes Kroacisë. Megjithatë, gjatë vitit 1994, ushtria boshnjake u tregua shumë e organizuar dhe mori nën kontrollë shumë hapësira territoriale.

Lufta në Bosnjë e Hercegovinë mori përmasa të gjera. Ajo ishte tragjedia më e madhe që ndodhi me rastin e shthurjes së Jugosllavisë socialiste. Kjo luftë përfundoi me ndihmën e Bashkësisë ndërkombëtare, me Marrëveshjen e Dejtonit.



124 “HDZ”- Hrvatska Demokratska Zaednica (Bashkësia Demokratike Kroate).

125 Franjo Tuxhman, në prill, 1990, u zgjodh kryetar i Bashkësisë Demokratike Kroate (HDZ). Një vit më parë u botua libri i tij “Bespuca” (Shkretia), ku Tuxhman si historian, ngulte këmbë se të dhënat zyrtare për të vdekurit në Luftën e Dytë Botërore, në kampin kroat të Jasenovcit ishin tepër të zmadhuara. Gjatë fushatës zgjedhore të partisë së tij, një ndër themelet e platformës, ishte çlirimi i kroatëve nga “kompleksi Jasenovc” dhe nga ndjenja e fajit që shoqërohej me Partinë Fashiste Kroate, ustashët. Pas fitores së partisë së tij, Tuxhmani nisi të jetëson premtimin, duke mbrojtur hapur dhe në shkallë të gjerë “pajtimin” me ustashët, policia e kohës së Luftës së Dytë Botërore dhe Domobranët, si forca të rregullta kroate. Jasmina Udoviçki dhe James Ridgeway, Makthi etnik i Jugosllavisë, New York, 1998, 153.

126 Po aty, 137.

127 Jasminka Udoviçki dhe James Ridgeway, Makthi etnik i Jugosllavisë, New York, 1998, 137.

128 Po aty, 159.

129 Po aty, 13.

130 Jasminka Udoviçki dhe James Ridgeway, Makthi etnik i Jugosllavisë, New York, 1998, 138.

131 Po aty, 139.

132 Po aty, 140.

133 Lord Peter Carrington, kryetar i Konferencës Ndërkombëtare të Hagës për Jugosllavinë, Jasmina Udoviçki dhe James Ridgeway, Makthi etnik i Jugosllavisë, New York 1998, 144.

134 >>Narodna Armija<<, 20 nëntor, 1991. (Marrë nga libri, Makthi etnik i Jugosllavisë, New York, 1998).

135 Jasminka Udoviçki dhe James Ridgeway, Makthi etnik i Jugosllavisë, New York, 1998, 147.

136 Alija Izetbegoviq, kryetar i Partisë për Veprim Demokratik – SDA (Stranka Demokratske Akcije). Partia e tij fitoi në zgjedhjet e nëntorit, 1990, në Bosnjë-Hercegovinë. Ai promovonte idenë se Bosnja duhet të mbetet e bashkuar dhe ishte i mendimit se zgjidhja më e mirë do të ishte një qeveri e koalicionit, ku do të përfaqësoheshin të tri partitë ( të myslimanëve, serbëve dhe kroatëve). Jasmina Udoviçki dhe James Ridgeway, Makthi etnik i Jugosllavisë, New York, 1998, 172.

137 Jasminka Udoviçki dhe James Ridgeway, Makthi etnik i Jugosllavisë, New York, 1998, 169.

138 Po aty, 174.

139 Po aty, 177.

140 Po aty, 179.

141 Ratko Mlladiq, kishte fituar nam dhe kishte marrë gradën e gjeneralit në luftën e Vukovarit. Gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë, urdhëroi bombardimin e parë të Sarajevës, më 6-7 Maj 1992, menjëherë pas njohjes ndërkombëtare të Bosnjë-Hercegovinës. Jasmina Udoviçki dhe James Ridgeway, Makthi etnik i Jugosllavisë, New York, 1998, 149.

142 Po aty.

Arkivi