ZHVILLIMET POLITIKO-SHOQËRORE TE SHQIPTARËT NË MAQEDONI 1990 - 2001

Marrëveshja shqiptaro-maqedonase e Ohrit 38

Marrëveshja shqiptaro-maqedonase e Ohrit 38


Marrëveshja Kornizë e Ohrit është një kontratë shqiptaro-maqedonase për raportet e reja shoqëroro-politike dhe ndërtimin e mëtutjeshëm të shtetit të quajtur, Ish-Republika Jugosllave e Maqeodonisë. Kjo kontratë e të dy popujve u bë e mundshme pas konfliktit të armatosur, që ndodhi në vitin 2001. Marrëveshja u realizua me ndihmën e Bashkësisë ndërkombëtare, e cila dha kontributin e vet për zgjidhje politike të krizës ndëretnike në IRJM.
Marrëveshja është një fitore e suksesshme e forcave demokratike në IRJM. Ajo gjithashtu ëdhtë fitore e angazhimit politik të faktorit shqiptar kundrejt ekskluzivitetit të institucioneve shtetërore maqedonase dhe qarqeve luftënxitëse të tyre. Marrëveshja shënon përmbysjen e madhe të koceptit etnocentrik të shtetit dhe njëkohësisht fillimin e një epoke të re në marrëdhëniet shqiptaro-maqedonase.
Marrëveshja e Ohrit i mundësoi popullit shqiptar të IRJM, të kthejë të drejtat juridiko-kushtetuese, që padrejtësisht iu morën me rastin e miratimit të Kushtetutës së vitit 1991. Kjo marrëveshje vendosi mekanizmin e koncensusit, përmes së cilës në mënyrë legale, në institucione të sistemit, mund të mbrohet interesi kombëtar i popullit shqiptar. Dokumenti i miratuar në Ohër, “de jure” shënon fundin e konceptit nacional të “shtetit të Gligorovit” dhe fillimin e një etape të re, të një kocepti të ri të shtetit, në të cilin populli shqiptar fiton statusin e popullit shtetformues. Vlerën e saj e rrit prania permanente dhe angazhimi serioz i Bashkësisë Ndërkombëtare, Bashkësia Evropiane, SHBA, OSBE. Ky fakt është i mjaftueshëm për të dëshmuar se Marrëveshja e Ohrit është nën mbikqyrje dhe garancë ndërkombëtare. Shikuar nga ky aspekt, marrëveshja shqiptaro-maqedonase mund të cilësohet edhe si historike. Përfundimisht, Republika e Maqedonisë, sipas Marrëvehjes së Ohrit, nuk është vetëm shtet i popullit maqedonas, por edhe shtet i popullit shqiptar që jeton në këto hapësira.
Roli i Bashkësisë Ndërkombëtare për ndërprerjen e konfliktit dhe arritjen e marrëveshjes politike ishte i pazëvendësueshëm. Qysh gjatë zhvillimeve luftarake në IRJM, Unioni Evropian dhe SHBA, dërguan përfaqësuesit e tyre: Francois Leotard dhe James Perdew, si ndërmjetësues për arritjen e paqes. Pas negociatave të mundimshme me palët e konfrontuara, ata përgatitën dokumentin e ashtuquajtur “Versioni Draft i Dokumentit Kornizë”, të cilin më 7 korrik, 2001, ua dorëzuan katër liderëve, pjesëmarrës në Qeverinë e Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe presidentit Trajkovski.
Gjatë zhvillimit të negociatave në Ohër, faktori politik shqiptar startoi me pozicione inkluzive euro-perëndimore. Ai nuk doli me kërkesa për ndarje territoriale, por për barazi të plotë etnike, që ishte në harmoni me parimet europerëndimore. Në fakt, kërkohej që karakteri multietnik i shoqërisë maqedonase të pasqyrohet në rregullimin shtetëror. Ndërkaq, pala maqedonase mbante pozicion eksluziv duke refuzuar kërkesën që pasqyronte diversitetin objektiv të shoqërisë në konceptin e shtetit. Ose me fjalë tjera, përderisa pala maqedonase synonte të kontrollojë të drejtat kombëtare të shqiptarëve, pala shqiptare nuk ndërhynte në korpusin e të drejtave të maqedonasve. Fundi i negociatave shqiptaro-maqedonase ishte Marrëveshja Kornizë e Ohrit.
Në momentin kur pritej që negociatat e Ohrit të marrin fund, qarqe të caktuara nacionaliste, qeveritare dhe joqeveritare maqedonase filluan të japin deklarata të pamatura, të cilat shkaktuan reagime të ashpra të përfaqësuesve ndërkombëtarë. Këto deklarata përpiqesihin të minojnë procesin politik dhe projektin e marrëveshjes të hartuar nga ekspertët mdërkombëtarë. Por, qendrat e vendosjes ndërkombëtare ia bënë me dije palës maqedonase, se: “Rrugëdalje më të mirë, pos pajtimit dhe nënshkrimit të këtij dokumenti nuk ka “39.
Negociatat shqiptaro-maqedonase, në Ohër, zgjatën rreth dhjetë ditë dhe përfunduan më 13, gusht, 2001. Nën trysninë ndërkombëtare, konflikti shqiptaro-maqedonas u mbyll me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit. Ajo u nënshkrua në Shkup, nga përfaqësuesit shqiptarë dhe maqedonas, që merrnin pjesë në koalicionin e zgjeruar qeveritar: Lupço Georgievski, Arbën Xhaferi, Branko Cërvenkovski dhe Imer Imeri. Këtë marrëveshje e nënshkroi edhe kryetari i shtetit, Boris Trajkovski dhe ndërmjetësuesit evro-amerikanë, Leotard dhe Perdew.
Marrëveshja Kornizë e Ohrit përfshinë dhjetë pika kyçe:
1. Parimet themelore;
2. Ndërprerja e armiqësive;
3. Zhvillimi i pushtetit të decentralizuar;
4. Mosdiskriminimi dhe përfaqësimi i drejtë;
5. Procedurat e posaçme kuvendore;
6. Arsimimi dhe përdorimi i gjuhëve;
7. Shprehja e identitetit;
8. Implementimi;
9. Anekset; dhe
10. Dispozitat përfundimatare40.
Me këtë rast, janë nënshkruar tre dokumente, të cilat quhen:
ANEKSI A,
ANEKSI B dhe
ANEKSI C.
Anekset janë pjesë përbërëse e Marrëveshjes Kornizë.
ANEKSI A – përfshinë ndryshimet e Preambulës dhe pesëmbëdhjetë nene të kushtetutës.
Preambula e kushtetutës së vitit 1991, sipas marrëveshjes u zëvendësua, duke u bazuar në konceptin e të drejtave individuale dhe të shoqërisë civile. Në propozimin e ri të Preambulës thuhet:
“Qytetarët e Republikës së Maqedonisë, duke marrë përsipër përgjegjësinë për të tashmen dhe ardhmërinë e atdheut të tyre, të vetëdijshëm dhe mirënjohës ndaj paraardhësve të tyre për viktimat dhe me përkushtim ndaj angazhimit dhe luftës së tyre për krijimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Maqedonisë, por edhe përgjegjës para brezave që vijnë për ruajtjen dhe zhvillimin e gjithë asaj që është e vlefshme për trashëgiminë dhe begatinë kulturore dhe për bashkëjetesën në Maqedoni, të barabartë në të drejtat por edhe në obligimet e tyre ndaj të mirës së përbashkët – Republikës së Maqedonisë – në pajtim me traditat e Republikës së Krushevës dhe vendimet e KAÇKM, dhe Referendumin e 8 shtatorit të vitit 1991, kanë vendosur që ta konstituojnë Republikën e Maqedonisë si shtet të pavarur, sovran, me qëllim që të aplikohet dhe të forcohet sundimi i së drejtës, që të garantohen të drejtat e njeriut dhe liritë qytetare dhe të sigurohet paqeja dhe bashkëjetesa, drejtësia sociale, mirëqenia ekonomike dhe përparimi i jetës individuale e kolektive, përmes përfaqësuesve të tyre në Kuvendin e Repubklikës së Maqedonisë, të zgjedhur lirisht e në zgjedhje demokratike “.
Me propozim-amendamentet kushtetuese u ndërruan këto nene të Kushtetutës së Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë: Neni 7, Neni 8, Neni 19, Neni 48, Neni 56, Neni 69, Neni 77, Neni 78, Neni 84, Neni 86, Neni 104, Neni 109, Neni 114, Neni 115 dhe Neni 131 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë41.

ANEKSI B – përfshinë ndryshimet në legjislacion42:
1. Ligji për pushtetin lokal ;
2. Ligji për financim lokal;
3. Ligji për kufijtë e komunave;
4. Ligjet që kanë të bëjnë me policinë e vendosur nëpër komuna;
5. Ligjet për nëpunësit shtetëror dhe administratën publike;
6. Ligji për njësitë zgjedhore;
7. Rregullat për Kuvendin;
8. Ligjet që kanë të bëjnë me përdorimin e gjuhës shqipe;
9. Ligji për Prokurorin Publik; dhe
10. Ligjet tjera.

ANEKSI C - përfshinë implementimin dhe masat e ndërtimit të besimit43:
1.Mbështetja ndërkombëtare;
2. Regjistrimi dhe zgjedhjet;
3. Kthimi i refugjatëve, ripërtërirja dhe rindërtimi;
4. Zhvillimi i pushtetit të decentralizuar;
5. Mosdiskriminimi dhe përfaqësimi proporcional; dhe
6. Kultura, arsimi dhe përdorimi i gjuhëve;

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes morrën pjesë: Havier Solana44, Xhorxh Robertson45, Mirçea Xhoana46 dhe Lui Mishel47.
Me këtë rast, Xhorxh Robertson, deklaroi: “Tërë vendi duhet të krenohet me këtë ditë, si dhe partitë dhe koalicioni i gjerë qeveritar, sepse kanë bërë marrëveshje që është historike dhe besoj se ajo do të shënojë hyrjen e Maqedonisë në Evropën bashkëkohore”48.
Ndërsa, zëdhënësi i NATO, Iv Brodar, deklaroi: “Marrëveshja politike, nuk është fundi i rrugës, por fillimi i një procesi i cili patjetër duhet të sjellë zgjidhje të përhershme të kësaj krize”49.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes filloi faza e procesit të zbatimit të saj që përfshiu:
- çarmatimin e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare;
- fillimin e procedurës parlamentare për ndryshimin e Kushtetutës
- kthimin e refugjatëve në vendlindjen e tyre;
- rindërtimin e objekteve të shkatërruara nga lufta dhe
- rivendosjen e rendit kushtetues në të gjithë territorin e Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë.
Një ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes, më 14 gusht, 2001, me ndërmjetësimin e ambasadorit të NATO, Pitter Feit u nënshkruajt edhe një marrëveshje tjetër midis përfaqësuesit politik të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, z. Ali Ahmeti dhe presidentit të Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Boris Trajkovski, për amnistinë e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe çarmatimin e saj. Po në këtë datë ekspertët ndërkombëtarë arritën në Shkup për të filluar punën rreth grumbullimit të armëve nga ish luftëtarët e UÇK. Ky operacion u quajt “Korrja esenciale” dhe duhej të kryhej nga 3.500-5.000 trupa të NATO. Operacioni filloi më 27 gusht, 2001. Krahas çarmatimit të ish luftëtarëve të UÇK në fazën e parë, më 6 shtator, 2001, parlamenti i IRJM filloi procedurën për ndryshimin e Kushtetutës50.
Më 14 shtator, 2001, forcat e NATO përfunduan fazën e dytë të programit të mbledhjes së armëve. Ndërsa, parlamenti më 20 shtator, filloi procedurat për përcaktimin e projektndryshimeve që do t’i bëheshin Kushtetutës.
Më 26 shtator, 2001, operacioni i NATO për mbledhjen e armëve përfundoi. Një ditë më vonë, Ushtria Çlirimtare Kombëtare u shpall e shpërbërë.
Më 16 nëntor, 2001, Parlamenti i IRJM miratoi vendimin për shpalljen e amendamenteve IV, V, VI, VII, VIII, IX, X, XI, XII, XIII, XIV, XV, XVI, XVII dhe XVIII të kushtetutës së Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë51, me çka bëhej ndryshimi i saj.
Me Amendamentin IV u ndërrua Preambula e Kushtetutës. Preambula e re maqedonasve ua merrte të drejtën ekskluzive mbi shtetin e IRJM. Pra, jo vetëm maqedonasit, por edhe shqiptarët dhe bashkësitë tjera etnike shndërroheshin në elemente konstituive të shtetit. Me këtë, IRJM, de jure shndërrohej në shtet multietnik52.
Formulimi i ri i Preambulës ishte si vijon:
“Qytetarët e RM-së, populli maqedonas, si dhe qytetarët që jetojnë në kufijtë e saj të cilët janë pjesë e popullit shqiptar, popullit turk, popullit vlleh, popullit serb, popullit rom, popullit boshnjak dhe të tjerëve, duke e marrë përgjegjësinë e së tashmes dhe së ardhmes të atëdheut të tyre, të vetëdijshëm dhe mirënjohës ndaj paraardhësve të tyre për flijimet dhe përkushtimet në përpjekjet dhe luftën për krijimin e Republikës së Maqedonisë si shtet të pavarur dhe sovran dhe të përgjegjshëm para brezave të ardhshëm për ruajtjen dhe zhvillimin e çdo gjëje që është e vlefshme, nga tradita e pasur kulturore dhe bashkëjetesa në Maqedoni, të barabartë në të drejtat dhe obligimet e tyre kah e mira e përbashkët – Republika e Maqedonisë në pajtueshmëri me traditën e Republikës së Krushevës dhe vendimet e ASNOM dhe të referendumit të 8 shtatorit, të vitit 1991, vendosën ta konstituojnë si të pavarur, shtet sovran, me qëllim që të vendos dhe të forcojë pushtetin së drejtës, të garantojë të drejtat njerëzore dhe lirinë e qytetarëve, të sigurohet paqe dhe bashkëjetesë, të drejta sociale, begati ekonomike dhe përparim të jetës individuale dhe kolektive, përmes përfaqësuesve në Kuvendin e RM-së të zgjedhur në zgjedhjet e lira dhe demokratike”, (duhet theksuar se Preambula pësoi ndryshime nga ajo që u propozua sipas marrëveshjes së Ohrit, Z.R.).

Me Amendamentin V u ndërrua Neni 7 i Kushtetutës së IRJM53. Me këtë ndryshim krahas gjuhës maqedonase edhe gjuha shqipe u bë gjuhë zyrtare, në marrëdhëniet e brendshme në shtet.
Ndryshimi i ri ishte si vijon:
“Në tërë territorin e RM dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj qirilik”.
Alinea e parë: “Gjuhë tjetër të cilën e flasin më së paku 20 % e qytetarëve, gjithashtu, është gjuhë zyrtare dhe shkrimi i saj, siç është përcaktuar me këtë nen”
Alinea e dytë: “Dokumentet personale të qytetarëve që flasin gjuhën zyrtare ndryshe prej gjuhës maqedonase, jepen në gjuhën maqedone dhe shkrimin e saj, si dhe në atë gjuhë dhe shkrimin e saj, në pajtueshmëri me ligjin.
Aline e pestë: “Në njësitë e vetëadministrimit lokal gjuha dhe shkrimi që e shfrytëzojnë më së paku 20 % e qytetarëve është gjuhë zyrtare, krahas gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj qirilik … “.

Me Amendamentin X përcaktoheshin kriteret për vendimmarrje në Kuvendin republikan. Me këtë Amendament pengohej majorizimi i shumicës në parlament 54. Me fjalë tjera ky ndryshim vendoste të drejtën e “vetos” rreth çështjeve të veçantive etnike shqiptare.
Në të thuhet:
“Kuvendi mund të vendos nëse në mbledhje janë prezentë shumica nga numri i përgjithshëm i deputetëve. Kuvendi vendos me shumicë votash nga deputetët e pranishëm, ndërsa më së paku me 1/3 nga numri i përgjithshëm i deputetëve.
Për ligjet të cilat drejtpërsëdrejti i përkasin kulturës, përdorimit të gjuhëve, arsimit, dokumentet personale dhe përdorimit të simboleve, Kuvendi vendos me shumicë votash prej deputetëve të pranishëm të cilët u përkasin bashkësive që nuk janë shumicë në RM. Mosmarrëveshjet rreth aplikimit të kësaj rregullative i zgjedh Komiteti për marrëdhënie midis bashkësive”

Amendamenti XII flet për Komitetin multietnik që do të merret me çështjet midis bashkësive etnike në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë55.
“Kuvendi themelon Komitetin për marrëdhënie midis bashkësive.
- Komitetin e përbëjnë 19 anëtarë prej të cilëve nga shtatë anëtarë janë nga radhët e deputetëve të Kuvendit, Maqedonas dhe Shqiptarë dhe nga nji anëtarë nga radhët e deputetëve Turq, Vlleh, Rom, Serb, Boshnjak.
- Komiteti shqyrton çështje nga marrëdhëniet midis bashkësive në Republikë dhe jep mendim dhe propozon për zgjidhjen e tyre .

Ndërsa, Amendamenti XVII precizon ingerencat e pushtetit të vetëadministrimit lokal56. Me këtë ndryshim parashihej zgjerimi i ingerencave të pushtetit lokal në sferën e urbanizmit, zhvillimit ekonomik, planifikimit hapësiror, arsimin, shëndetësinë dhe veprimtari të tjera, të cilat më parë kishin qenë nën kompetencat e pushtetit qendror, ku dominonin maqedonasit:
“Në njësitë e vetëadministrimit lokal qytetarët drejtpërsëdrejti dhe përmes përfaqësuesve marrin pjesë në vendosjen për çështje me rëndësi lokale, veçanërisht rreth çështjeve të shërbimeve publike, urbanizmin, planifikimin hapsinor, mbrojtja e ambientit, zhvillimi ekonomik lokal, financimi lokal, veprimtaritë komunale, arsimi, mbrojtja shëndetësore”.
.
Duhet theksuar se gjatë tërë periudhës së ndryshimeve të domosdoshme procesi i vendosjes së paqes hasi në kundërshtim të ashpër të disa qarqeve nacionaliste luftënxitëse maqedonase, por trysnia e Bashkësisë Ndërkombëtare nuk lejoi që kriza në IRJM të reciklohet.
Marrëveshja e Ohrit karakterizohet si një kompromis i arritur në mes përfaqësuesve politik maqedonas dhe shqiptar të IRJM. Ajo e ndërpreu konfliktin e armatosur midis dy popujve, e cila mund të merrte përmasa të gjera.
Marrëveshja e Ohrit de facto dhe de jure e ndërroi konceptin e shtetit të IRJM dhe e parandaloi uzurpimin e mëtutjeshëm të IRJM, si shtet vetëm i maqedonasve. Në këtë aspect, marrëveshja e Ohrit mund të cilësohet edhe si “marrëveshje historike”. Andaj, u mbetet obligim kombëtar, forcave politike shqiptare në IRJM, t’i realizojnë në afat sa më të shkurtër obligimet që dalin nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit.
38 >>Fakti<<, “Dokumenti i ekspertëve ndërkombëtarë për ndryshimin e Kushtetutës”, 6 korrik, 2001.
39 >>Fakti<<, “BE dhe NATO heqin >>dorëzat<< dhe kritikojnë ashpër Georgievskin”, 20 korrik, 2001.
40 MARRËVESHJA KORNIZË E OHRIT, botuar në gazetën >>Fakti<<, 16 gusht, 2001, “Vetëm zgjidhjet paqësore politike mund ta garantojnë stabilitetin dhe ardhmërinë demokratike të Maqedonisë”
41 Po aty, >>Fakti<<, “Obligimet që dalin nga Aneksi A”:
Neni 7, flet për përdorimin e gjuhëve;
Neni 8, flet për të drejtat themelore të njeriut dhe qytetarit dhe përfaqësimin proporcional të entiteteve nëpër institucionet shtetërore;
Neni 19, flet për lirinë e besimit;
Neni 48, flet për zhvillimin e veçantive të bashkësive etnike dhe përdorimin e simboleve;
Neni 56, flet për mbrojtjen e thesarit historik të të gjitha bashkësive etnike;
Neni 69, flet për procedurën e votimit, me shumicë të përfaqësuesve të bashkësive etnike, për çëshjtet e veçanta të kulturës, arsimimit, përdorimin e gjuhëve,dokumenteve personale dhe përdormin e simboleve;
Neni 77, flet për zgjedhjen e Avokatit Popullor, të drejtat dhe obligimet e këtij institucioni;
Neni 78, flet për formimin e Komitetit për marrëdhënie midis bashkësive;
Neni 84, flet për propozimin e përfaqësuesve të Komitetit për marrëdhënie midis bashkësive;
Neni 86, flet për Këshillin e Sigurisë së Republikës së Maqedonisë;
Neni 104, flet për Këshillin Gjyqësor republikan prej shtatë anëtarëve;
Neni 109, flet për Gjykatën Kushtetuese të Maqedonisë;
Neni 114, flet për Pushtetin Lokal;
Neni 115, flet për mënyrën e rregullimit të marrëdhënieve të Pushtetit Lokal dhe
Neni 131, flet për procedurën e ndryshimit të kushtetutës përmes rrugës parlamentare.
42 ANEKSI B, po aty, >>Fakti<<, “Çka përmban Aneksi B”.
43 ANEKSI C, po aty >>Fakti<<, “Çka parashihet me Aneksin C “.
44 Havier Solana, përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme të Unionit Europian.
45 Xhorxh Robertsoni, sekretar gjeneral i NATO.
46 Mirçea Xhoana, kryesuesi i OSBE.
47 Lui Misheli, ministër i punëve të jashtme të Belgjikës.
48 Fakti, “Rradhën e ka implementimi”, 14 gusht, 2001.
49 Fakti, po aty.
50 Vendimi me nr. 07-2964/1, Slluzhben vesnik na Republika Makedonija, nr. 71. 7 shator, 2001, Shkup.
51 Vendimi me nr. 07-3795/1, Slluzhben vesnik na Republika Makedonija, nr. 91, 20 nëntor, 2001, Shkup.
52 Po aty, AMENDAMENTI IV .
53 Po aty, AMENDAMENTI V .
54 Po aty, AMENDAMENTI X
55 Po aty, AMENDAMENTI XII
56 Po aty, AMENDAMENTI XVII

Arkivi