ZHVILLIMET POLITIKO-SHOQËRORE TE SHQIPTARËT NË MAQEDONI 1990 - 2001

Maqedonia në fillim të proceseve demokratike

Maqedonia në fillim të proceseve demokratike

Në fillim të viteve të nëntëdhjeta të shekullit XX në Evropën Lindore dhe Juglindore u zhvilluan reforma të mëdha shoqëroro-politike që paralajmëruan krizën më të thellë pas Luftës së Dytë Botërore. Reformat shoqëroro-politike e rrënuan sistemin komunist në Evropën Lindore, gjë që shkaktoi shthurrjen e aleancës politike dhe ushtarake të shteteve socialiste, të Paktit të Varshavës. Njëkohësisht, ndodhi edhe shthurja e Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike dhe ndarja e shteteve të Evropës Lindore nga sistemi i përbashkët lindor. Këta zhvillime shoqëroro-politike në Evropën Lindore u reflektuan edhe në Evropën Juglindore. Në Shqipëri, Bullgari dhe Rumani reformat shoqërore shkaktuan kriza të rënda, ndërsa në Jugosllavi krahas reformave të sistemit politik u shthur edhe shteti, me ç’rast njësitë e saj federale shfaqën tendenca separate, duke u shpallur si shtete të pavarura.

Në Jugosllavinë socialiste, në prag të shpërthimit të lëvizjes reformiste u ndeshën dy tendenca me synime të kundërta. Tendenca e parë synonte unitarizmin dhe përpiqej të eliminojë konceptin federal të shtetit jugosllav, tendencë e cila mbështetej nga qarqet nacionaliste serbe. Tendenca e dytë përpiqej të forcojë sistemin federal me atribute konfederale. Tendencën e dytë e mbështetnin qarqet politike kroate dhe sllovene. Kur këta tendenca të kundërta e kapluan edhe vetë Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë, ajo u shpartallua. Shpartallimi i Lidhjes Komuniste mundësoi legalizimin e pluralizmit politik në Jugosllavi (sistemin me shumë parti, Z.R.), me ç’rast në të gjitha njësitë federale u formuan partitë e para politike. Rrjedhojë e këtij procesi politik ishin zgjedhjet plurale dhe konstituimi i organeve të reja legjislative të Republikave dhe Krahinave Autonome. Këta organe më të larta të njësive administrative, të Federatës jugosllave, të konstituuara pas zgjedhjeve të lira demokratike, shpallën pavarësinë nga shteti i përbashkët jugosllav. Ky proces, shkaktoi konfliktin e ashpër dhe shthurjen e Jugosllavisë socialiste.

Agjencitë e jashtme informative dhe ata që i njihnin mirë rrethanat në Jugosllavi, paralajmëronin shthurjen e saj. Në një shkrim të “New York Times”1, thuhej: qysh në vitin 1990, shërbimet sekrete te SHBA, ”Central Intellegence Agency – CIA“, parashikonin se Jugosllavia Federative do të shpartallohet brenda 18 muajve dhe se lufta qytetare në këtë vend të Ballkanit është e pashmangshme.

Këta parashikime u vërtetuan edhe me deklaratën e kryetarit të atëhershëm të Qeverisë jugosllave, Ante Markoviq, i cili më 12 nëntor, 1990, deklaroi: “Aktet e organeve më të larta të Sllovenisë, (shpallja e pavarësisë), Sërbisë e pjesërisht edhe të Kroacisë, pakushtimisht shpiejnë drejt keqësimit të marrëdhënieve politike në Jugosllavi dhe drejtpërdrejt rrezikojnë mbijetesën e vendit” 2.

Në fakt, fundi i Jugosllavisë socialiste filloi që më 23 mars 1989. Në këtë datë ndodhën ndërrimet kushtetuese në Kushtetutën e Serbisë. Qarqet udhëheqëse të saj arbitrarisht e suspenduan Kushtetutën federale dhe njëkohësisht i dërguan tanket në Kosovë për të shuar rezistencën shqiptare kundër ndërrimeve kushtetuese. Kosova u bë jo vetëm “simbol i jostabilitetit”, por pak nga pak u ngrit në çështje parësore për mospajtime dhe qërim hesapesh midis Republikave jugosllave, që rezultoi me konfrontim të hapur. Në fakt, Serbia e shuajti Autonominë e Kosovës dhe Vojvodinës, por nga ana tjetër formalisht i ruajti dy votat e tyre për t’i shfrytëzuar në udhëheqësinë më të lartë të shtetit federativ. Përmes këtij koncepti të vendosjes, qarqet udhëheqëse serbe përpiqeshin të imponojnë politikën e vet kundrejt njësive tjera federale, sidomos kundrejt Sllovenisë dhe Kroacisë, të cilat konsideroheshin pengesë për realizimin e aspiratave hegjemoniste serbe. Pra, nga viti 1989, Jugosllavia nuk mund të ishte siç kishte qenë më parë. Ky ishte fillimi i fundit të Jugosllavisë së Dytë - socialiste. Zhvillimi i këtillë i ngjarjeve politike e prishi marrëveshjen e popujve të Jugosllavisë, që ishte vendosur në Kuvendin e Jajces, në vitin 1943, dhe të sanksionuar me Kushtetutën e vitit 1974.

Maqedonia që ishte njëra prej njësive federale, e njohur brenda kufijve të Jugosllavisë socialiste, zhvillonte një politikë joparimore, nga njëra anë asaj i konvenonte federalizmi real apo konfederalizmi, sikurse përpiqeshin republikat tjera, ndërsa nga ana tjetër, për shkak të çështjes shqiptare (Kosovës dhe shqiptarëve të Maqedonisë), Maqedonia luante lojën e politikës së qarqeve nacionaliste serbe. Me fillimin e konfliktit të armatosur në republikat tjera, Maqedonia mbeti e vetmja zonë në Jugosllavinë socialiste jashtë konfliktit dhe që i shpëtoi histerisë nacionaliste serbe3, por kjo nuk do të thotë se ajo mund të mbetej e këtillë edhe më tej në qoftë se konflikti përhapej edhe në Kosovë.

Në fillim të proceseve pluraliste Maqedonia u cilësua si “oazë e paqes” në Ballkan4, sepse kjo Republikë ishte e vetmja që u shpall si shtet i pavarur dhe u shkëput nga Jugosllavia socialiste pa konflikt të armatosur.

Qarqet udhëheqëse komuniste në Maqedoni në sy të shqiptarëve ishin diskredituar tejmase, sidomos gjatë viteve të fundit të ekzistimit të Jugosllavisë socialiste kur shtypja dhe diskriminimi ndaj shqiptarëve kishte arritur fazë kritike, nën maskën e luftës kundër “nacionalizmit, separatizmit dhe irredentizmit shqiptar”. Politika e atyre qarqeve nacionaliste dhe albanofobe përmes diferencimeve ideo-politike e thelloi mosbesimin ndëretnik, duke lënë pasoja afatgjate ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve. Pra, establishmenti komunist maqedonas, me një papërgjegjësi historike kishte ndërtuar shtetin, Republikën Socialiste të Maqedonisë, e cila për shqiptarin e zakonshëm simbolizonte krijesën shtypëse.

Në këto rrethana shoqërore-politike që mbretëronin në Jugosllavinë socialiste dhe në veçanti në Maqedoni, lindi pluralizmi politik, u formuan partitë politike dhe u mbajtën zgjedhjet e para parlamentare në Maqedoni.



1 “New York Times”, Dejvid Bajnder, “Prognoza e zymtë e CIA për Jugosllavinë” (përcjellë nga revista Koha, Prishtinë, 5 dhjetor, 1990).

2 Koha, po aty.

3 Jasminka Udoviçki dhe James Ridgeway, Makthi etnik i Jugosllavisë, Tiranë 1998, 236.

4 Shprehja “Oaza e paqes”, (është fjala për IRJM) ishte propagandë e maskuar. Kjo shprehje u shpik nga kryetari i saj, Kiro Gligorov, i cili e shfrytëzonte si propagandë për të sqaruar se vetëm në vendin e tij mundi të rruhej paqja, duke zhvilluar një politikë konstruktive të tij dhe vartësve të tij. Në fakt, paqen në IRJM e ruajtën shqiptarët dhe faktori politik, i cili në kohën e vendosjes së fatit të popullit shqiptar, pas shpërbërjes së Jugosllavisë, ishte shumë i kujdesshëm në vendimet e marra..

Arkivi