ZHVILLIMET POLITIKO-SHOQËRORE TE SHQIPTARËT NË MAQEDONI 1990 - 2001

Kryengritja shqiptare në IRJM

Kryengritja shqiptare në IRJM

Shkaqet e kryengritjes

Prej momentit të shpalljes së pavarësisë dhe zhvillimit të procesit pluralist, në adresë të IRJM u bënë shumë vërejtje për proceset demokratike dhe shkeljen e rëndë të të drejtave të shqiptarëve. Vërejtje serioze arritën edhe nga selia e OKB. Sekretari i përgjithshëm i OKB, Butros Gali, për gjendjen në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, me rastin e themelimit të Universitetit të Tetovës, në një moment, tha: “Një Universitet në gjuhën shqipe në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë është i domosdoshëm dhe më se i nevojshëm gjë që do të ishte akt civilizues edhe për vetë Republikën e Maqedonisë“10. Por, të gjitha vërejtjet binin në vesh të shurdhër dhe nuk kuptoheshin seriozisht nga faktori politik maqedonas.

Shkaqet kryesore të pakënaqësisë së shqiptarëve të IRJM mund të përmblidhen në dy çështje kryesore:

1. Koncepti i shtetit të Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe;

2. Diskriminimi i shqiptarëve në institucionet e sistemit shtetëror.

Koncepti i shtetit i rrumbullakësuar me Kushtetutën e 17 nëntorit, 1991, nuk korrespondon me realitetin multietnik të IRJM. Kushtetuta u proklamua si “qytetare”, por në praktikë ushtronte funksionin e Kushtetutës nacionale, duke ngritur shtetin nacional maqedonas. Koncepti i shtetit i skicuar në Preambulë të Kushtetutës, falsifikonte të kaluarën historike. Bashkësitë e konfrontuara etnike, shqiptarët dhe maqedonasit kanë të kaluarën e vet historike, politike, trashëgiminë kulturore, fetare, etj. Duke analizuar të kaluarën historike, të shqiptarëve dhe maqedonasve, në mes tyre kurrë nuk ka pasur konflikte ndëretnike, sepse të dy popujt kanë qenë të shtypur nga pushtuesit e huaj. Gjatë luftërave çlirimtare shqiptarët gjithmonë i janë përgjigjur thirrjes për luftëra kundër pushtuesve të huaj. Mirëpo, pas përfundimit të luftërave të përbashkëta, shqiptarët mbeteshin të zhgënjyer, sepse frytet e fitoreve i shfrytëzonin vetëm sllavët. Me kalimin e kohës, shpikeshin forma të llojllojshme për shtypjen e shqiptarëve. Qëllimi i fundit ishte dëbimi i tyre nga trojet etnike. Ndërkaq, qarqe të dryshme shkencore nacionaliste përpiqeshin të dëshmojnë se shqiptarët në IRJM nuk janë autoktonë, por të ardhur nga viset e ndryshme të Shqipërisë dhe të Kosovës.

Kushtetuta e vitit 1974, shqiptarët i përkufizonte si element shtetformues11, ndërsa Kushtetuta e re “demokratike”, e vitit 1991, shqiptarët i vendos si qytetarë të “rendit të dytë”. Këtij “rikthimi pas”, të statusit politik dhe juridik të popullit shqiptar i paraprinë ndryshimet kushtetuese që u aprovuan në vitin 1989 dhe që u inkorporuan në kushtetutë12. Me këta ndryshime shqiptarët u “fshinë” nga Kushtetuta si element konstituiv i shtetit. Ky ishte terreni i përgatitur për fazën e demokracisë parlamentare. Kështu, “shumica” etnike maqedonase në Parlamentin e shtetit të pavarur arriti që të ndrydh të drejat historike dhe ato të trashëguara të shqiptarëve, përmes procesit të majorizimit. Mënyra e zgjidhjes së problemit ndëretnik, pa koncenzus, përmes procesit të mbivotimit, solli kundërthënie permanente politike, të cilat pak nga pak shpërthyen në konflikt të armatosur.

Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, në fakt, ishte një “kopje” e variantit serb të shtetit. Përderisa Serbia imponoi Kushtetutën përmes tankeve në Kosovë, regjisorët e kushtetutës maqedonase këtë e bënë përmes procesit politik, duke i mbivotuar interesat kombëtarë të shqiptarëve. Ideologët e konceptit të shtetit kombëtar maqedonas, shqiptarët i llogaritnin në pozitën e pakicës baraz me pakicat tjera irelevante në IRJM. Për të qenë ironia edhe më e madhe, protagonistët kryesorë të asaj politike të viteve ’91 e ’92 …të shekullit XX, lansuan tezën për IRJM si “oazë të paqes”13, prapa së cilës zhvillohej projekti nacional i shtetit policor maqedonas.

Qarqet ish-komuniste, që në fakt përbënin bërthamën e nacionalistëve maqedonas, të lidhura ngusht me qarqet ish-komuniste dhe nacionaliste serbe, nën ndikimin e forcës ushtarake, imponuan zgjidhje politike në IRJM, e cila ishte në kundërshtim me proceset e demokracisë parlamentare.

Aprovimi i Kushtetutës së 17 nëntorit, 1991, de jure, shënoi fundin e të drejtave të trashëguara formale për shqiptarët. Me kalimin e kohës, projektuesit e “shtetit nacional maqedonas” përkatësinë dhe sovranitetin shtetëror e konsideronin të mbyllur. Mirëpo, faktori politik shqiptar përpiqej t’i kundërshtojë këto procese antidemokratike, duke u përpjekur që të hap çështjet kontestuese ndëretnike. Këto tendenca të kundërta çonin kah acarimi i marrëdhënieve ndëretnike në IRJM.

Sipas statistikës zyrtare, në IRJM jetojnë 23 % shqiptarë etnik (viti 1994). Edhe përkundër manipulimeve me përqindjen e shqiptarëve, shifrat zyrtare statistikore tregojnë qartë se ky shtet mund të jetë vetëm i karakterit multietnik, ndërsa shqiptarët dhe maqedonasit e përbëjnë pjesën dërrmuese të popullsisë, në fakt e përbëjnë themelin kryesor të shtetit. Mirëpo, Kushtetuta e vitit 1991 nuk përfillte realitetin e brendshëm të përbërjes etnike të shtetit, prandaj si e këtillë ajo ishte gjenerator kryesor i krizës në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Karakteri i saj nacional maqedonas prekte rëndë interesin kombëtar shqiptar dhe ajo nuk i merrte parasysh premisat kryesore historike për formimin e IRJM si shtet, kontributin e shqiptarëve në të kaluarën historike:

- pjesëmarrjen në Kryengritjen e Ilindenit;

- pjesëmarrjen në organet shtetërore të Republikës së Krushevës, si dhe;

- luftën e përbashkët të shqiptarëve të IRJM kundër fashizmit gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Duhet theksuar gjithashtu se qarqet nacionaliste që imponuan Kushtetutën e v. 1991, injoronin tërësisht faktorin shqiptar në ish-Jugosllavi, ku shqiptarët sipas analistëve ushtarak maqedonas konsideroheshin të humbur. Andaj, shkaktarët historik të krizës ndëretnike, që shpërtheu në vitin 2001, ishin projektuesit e Kushtetutës së vitit 1991 dhe ideologët e shtetit nacional të IRJM.

Qeveritarët maqedonas, në takimet me Monitoringun ndërkombëtar, kur flitnin për të drejtat e shqiptarëve të IRJM, përpiqeshin që këto t’i paraqisnin si pakicë nacionale. Në një dokument të Ministrisë së Jashtme, me titull “ Politika gjenerale ndaj pakicave” 14, thuhet:

“Mbrojtja e të drejtave të pakicave në Republikën e Maqedonisë është rregulluar në nivel konstitucional, në të cilën të gjitha pakicat në Republikën e Maqedonisë kanë tretman të njëjtë dhe gëzojnë të dreja të barabarta …Sipas kësaj nuk ekziston mundësia për majorizim të ndonjë pakice kundrejt pakicave tjera, pavarësisht përqindjes së asaj pakice në numrin e përgjithshëm të popullatës “

Në pikën 5.1, të këtij dokumenti thuhet: “… në zgjedhjet e fundit shumëpartiake (1994 ) u zgjodhën 23 deputetë, përfaqësues të pakicave nacionale, nga gjithsejt 120 “ 15.

Në pikën 7, flitet për shkollimin, dhe thuhet: “ Duke u nisur nga fakti se shkollimi i pakicave në gjuhën amtare është e një rëndësie të veçantë për kultivimin dhe ruajtjen e identitetit nacional, Qeveria e Republikës së Maqedonisë siguron shkollim të plotë parashkollor, fillor dhe të mesëm në gjuhën e pakicave“16.

Në pikën 8.3, flitet për përdorimin e gjuhëve të pakicave, dhe në mes tjerash, thuhet: “Përfaqësuesit e pakicave kanë të drejtë lirisht të përcaktojnë emrin e tyre, ndërsa me Ligjin për letërnjoftim, emrat e përfaqësuesve të pakicave shkruhen në dy gjuhë, në gjuhën zyrtare dhe në gjuhën e pakicave …” 17.

Në pikën 9, flitet për kulturën dhe mediumet: “ … Qeveria e Republikës së Maqedonisë tërësisht e financon të përditshmen “Flaka”. Poashtu, është rritur numri i orëve të programit që emiton në gjuhën e pakicave, në RTV shtetëror …”18.

Nëse e analizojmë dokumentin e publikuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, mund të vërejmë se asnjëherë nuk flitet në veçanti për shqiptarët si popull, të cilët vazhdimisht injorohen dhe llogariten si “pakicë”. Kështu, shkruhet dhe flitet edhe kur është fjala për 23 përfaqësuesit e zgjedhur të popullit shqiptar në parlament. Ndërsa, në pikën tetë të këtij dokumenti shihet qartë se autori akoma nuk është liruar nga logjika e skemave të vjetra komuniste, kur dhe emrat personal duhej të diktoheshin nga pushteti.

Çështja e dytë, diskriminimi i shqiptarëve, si etnikum dhe përfshirja shumë e ulët e tyre në institucione të sistemit, ishte rezultat i mosbesimit ndaj shqiptarëve, që si pasojë kishte diskriminimin që i bëhej një populli të tërë. Mosbesimi ndaj shqiptarëve për t’u dhënë detyra me përgjegjësi të madhe shtetërore ishte rrjedhojë e propagandës sllave, e cila këtë e arsyetonte me kinse drojen se shqiptarët mund të punojnë, prapa shpinës së shtetit të pavarur, për “Shqipërinë e Madhe”19.

Diskriminimi është vërejtur edhe nga Organizatat ndërkombëtare. Në një raport të Komisionit për të drejtat e njeriut, pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), thuhet:

“Raportuesi special nënvizoi numrin e vogël të shqiptarëve të punësuar në administratën publike. Si shembull ilustrues mund të nënvizohet se rreth 4.5 % të policëve janë shqiptarë, ndërsa në armatë rreth 4 %. Raportuesi special ishte i informuar se Qeveria ka ndërmend ta zgjidhë këtë problem përmes rritjes së kuotave të pakicave në polici në vende të punës nëpër ministri, gjykata dhe institucione tjera publike”.

Në po të njëjtin dokument, në pikën 204, thuhet: “Raportuesi special nënvizon se forcat policore në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë gjatë kryerjes së obligimeve të veta, akoma tërheqin kah metodat joligjore. Sidomos, shqetësues është përdorimi jashtëligjor i të ashtuquajturave “biseda informative”. Për këtë arsye, thirret Qeveria të ndërmarrë masa konkrete, të përmirësojë disiplinën policore dhe të forcojë kursin në fushën për të drejtat e njeriut për zyrtarët që e zbatojnë ligjin ”20.

Edhepse faktori politik shqiptar bërë përpjekje të mëdha për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në sistem dhe zbutjen e diskriminimit, përsëri kjo dukuri në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë ishte shumë larg eliminimit të plotë. Rrënjët e diskriminimit etnik shqiptar ishin shumë të thella.



10 >>Rilindja<<, “Maqedonia në krizë shumëdimenzionale”, Tiranë, 31 mars, 1995.

11 Ustav na Socijalistiçka Federativna Republika Jugoslavija-Ustav na Socijalistiçka Republika Makedonija, Neni 1,: “Republika Socialiste e Maqedonisë është shtet nacional i popullit maqedonas dhe shtet i kombësisë shqiptare dhe turke …”, Sluzhben vesnik na Socijalistiçka Republika Makedonija, No.7, 25 shkurt 1974, f. 223.

12 Ustav na Socijalistiçka Federativna Republika Jugoslavija - Ustav na Socijalistiçka Republika Makedonija: me amendamentin LVI u ndërrua Neni 1 i Kushtetutës së vitit 1974. Me këtë amendament, Neni 1 u riformulua kështu:: “Republika Socialiste e Maqedonisë është shtet nacional i popullit maqedonas, i bazuar në sovranitetin e popullit .”,Sluzhben vesnik na Socijalistiçka Republika Makedonija, nr. 29, 26 korrik, 1989, 495.

13 “Oaza e paqes” në vitet 90-ta ishte teza më e përhapur e presidentiti Gligorov, për Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë.

14 Ministria e Jashtme e IRJM, “Politika gjenerale ndaj pakicave” Ruhet në Arkivin e administratës së Ministrisë së Jashtme.

15 Sqarim: Njëzet e dy deputetët ishin përfaqësues të shqiptarëve etnik, ndërsa sipas dokumentit në fjalë ata llogariteshin përfaqësues të pakicave etnike, pra, nuk përmendeshin si deputetë shqiptarë.

16 Në shtetet demokratike parlamentare shkollimi është i garantuar në të gjitha nivelet. Në rastin e IRJM shihet qartë se një etnikum e ka uzurpuar shtetin dhe sillet në pozitën e qytetarit të rendit të parë.

17 Kjo nuk ndodh kurrë në praktikë gjatë funksionimit të qeverive demokratike shumëpartiake.

18 Autori i këtij punimi një kohë ka qenë kryeredaktor i Redaksisë “Flaka”. Realiteti është ky: “përmes Redaksisë së “Flakës” dhe botimeve të saj gazetës së përditshme, revistës Jehona, revistave për fëmijë, botimit të veprave letrare artistike, etj ), në fakt është eksploatuar lexuesi shqiptar dhe punonjësit e redaksisë. Këtyre të fundit si kundërshpërblim u janë ofruar të ardhura minimale, e si rrjedhojë lexuesi shqiptar është ndeshur me cilësi të dobët të shkrimeve. Nga ana tjetër, në periudhën e komunizmit “Flaka” ka qenë e kontrolluar rreptësisht duke punuar nën diktatin e tutorëve. Pra, Flaka ishte vetëm servis i varur tërësisht nga eprorët sllavo-maqedonas. Të gjitha përpjekjet e saj për t’u pavarësuar si redaksi në vete, kanë përfunduar pa sukses”.

19 “Shqipëria e Madhe” ishte shpikje e propagandës antishqiptare. Historikisht është dëshmuar se shqiptarët asnjëherë nuk kanë pasur program nacional me pretendime ekspansioniste, për të krijuar shtet të “madh”, ashtu siç kanë pasur serbët, grekët, bullgarët, etj. Këto shpifje i propagonin, pikërisht, ata qarqe që kishin për qëllim të krijonin shtetet e tyre të mëdha në Ballkan.

20 Komisioni ndërkombëtar i OKB, Mbledhja e 52, E/CN. 4/1999/63, 14 mars, 1996, (Kopja e dokumentit ruhet në Arkivin e PDSH, në Tetovë)

Arkivi